Kërko

Logoja e shtegtimit të Françeskut në Sudanin e Jugut (5-7 korrik) Logoja e shtegtimit të Françeskut në Sudanin e Jugut (5-7 korrik)  

Shtegtimi i Papës në Kongo e në Sudanin e Jugut, ndërmjet viktimave të dhunës

U publikua programi zyrtar i vizitës së 37-të apostolike të Françeskut në dy vendet afrikane në datat 2-7 korrik. Në Juba, shtegtimi Ekumenik me Kryeipeshkvin e Canterbury, Justin Welby dhe moderatorin e Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, Jim Wallace.

R. SH. - Vatikan

Dy kombe, tre qytete, tetë fjalime, tre predikime, takime me autoritetet civile dhe kishtare, të rinj, persona të zhvendosur, viktima të dhunës.   Program intensiv, ndonëse me intervale pushimi, ky që e pret Françeskun në shtegtimin apostolik të 2-7 korrikut në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut, ku Papa - duke përmbushur një dëshirë të shprehur vite më parë - do të bëjë një “Shtegtim Ekumenik Paqeje”, së bashku me Kryeipeshkvin e Canterbury-t, Justin Welby dhe moderatorin e Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, Jim Wallace.

Nisja me 2 korrik

Zyra e Shtypit e Vatikanit publikoi sot programin zyrtar të vizitës së 37-të apostolike të Jorge Mario Bergoglios, e cila, siç u kujtua, do të fillojë të shtunën më 2 korrik me nisjen në orën 9.30 nga Aeroporti Fiumicino i Romës për në kryeqytetin Kinshasa. Françesco do të zbresë në Aeroportin Ndërkombëtar “Ndjili” pas një fluturimi prej gjashtë orësh e gjysmë. Pas pritjes zyrtare, do të zhvendoset në “Palais de la Nation” për ceremoninë e mirëseardhjes, vizitën e mirësjelljes Presidentit Félix Tshisekedi në Salle Présidentielle dhe takimin në kopshtin e Pallatit me autoritetet dhe trupin diplomatik, ku do të mbajë fjalimin e parë të shtegtimit. Dita e parë do të mbyllet me takimin privat, tashmë tradicional, me anëtarët e Shoqatës vendase të Jezusit, jezuitët, në Nunciaturën Apostolike.

Meshë dhe takim me klerin në Kinshasa

Ditën e dytë, e dielë, 3 korrik, do të ketë vetëm dy veprimtari. E para është Mesha, në orën 8.00, në aeroportin Ndolo në Kinshasa, në fund të së cilës Papa do të kremtojë edhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Më pas, në mbrëmje, në orën 18.00, Françesku do të takohet me ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët dhe seminaristët, në Katedralen “Notre Dame du Congo”.

Etapa në Kivunë e Veriut

Më 4 korrik, nga Kinshasa Papa do të zhvendoset në Kiwu-në e Veriut, një provincë në ekstremin lindor të vendit. Nisja me avion për në kryeqytetin Goma është planifikuar në orën 6.45, mbërritja në orën 10.15. Takimi i parë i Françeskut do të jetë Mesha në Fushën Kibumba në orën 12.00; pasdite, në orën 17.00, do të takohet me viktimat e dhunës në Beni. Është qyteti i dytë më i rëndësishëm në Kivu-në e Veriut, tashmë i rrënuar nga epidemia e Ebolës dhe fatkeqësitë natyrore, por mbi të gjitha nga    masakrat e civilëve dhe mizoritë e tjera, si rrëmbimet, plaçkitjet, ekzekutimet masive, të kryera nga milicitë dhe ushtria. Papa Françesku do të qëndrojë më se një orë me viktimat, në Qendrën e Pritjes së Dioqezës së Gomës, më pas, në orën 18.30 do të shkojë në aeroport, për t’u kthyer në Kinshasa.

Sudani i Jugut: martirizimi i murgeshave, vrarë një vit më parë, farë paqeje

Nga Kinshasa Papa do të ndahet të nesërmen, të martën më 5 korrik, për të fluturuar në Sudanin e Jugut, në drejtim të kryeqytetit Juba. Por më parë,   do të takohet me të rinjtë dhe katekistët, në stadiumin e Martirëve, në orën 08.40. Ceremonia e lamtumirës në Aeroportin “Ndjili” do të vijojë në orën 10.10, më pas nisja së bashku me Welby dhe Allace për në Juba, ku do të zbresë rreth orës 15.00. Ndalesa e parë është Pallati Presidencial për një vizitë mirësjelljeje te presidenti Salva Kiir Mayardi, të cilin në prill 2018 Papa e pati mirëpritur në Shën Martë, së bashku me autoritetet më të larta fetare dhe politike të Sudanit të Jugut për ushtrimet shpirtërore ekumenike, kushtuar lutjes për dhuratën e paqes në një vend të torturuar nga lufta e përgjakshme civile. Menjëherë më pas do të zhvillohet takimi me zëvendës-presidentët e Sudanit Jugor, me autoritetet dhe trupin diplomatik në kopshtin e Pallatit Presidencial. Me këtë rast pritet që  Papa të mbajë një fjalim.

Takimi me të shpërngulurit

Dita e parafundit e udhëtimit, e mërkurë 6 korrik, do të hapet me vizitën  në “Kampin për të shpërngulurit brenda vendit” në Juba, në orën 08.45. Ndërsa në orën 11.30 Papa do të takojë privatisht jezuitët e Sudanit të Jugut në Nunciaturën Apostolike. Pas një pushimi të gjatë, në orën 17.00, Papa do të takohet me ipeshkvijtë, priftërinjtë dhe rregulltarët, në Katedralen e Shën Terezës. Në orën 18.30, lutja ekumenike në mauzoleun “John Garang”, memorial kushtuar liderit të ndjerë të Lëvizjes Popullore Çlirimtare të Sudanit, zëvendëspresident i parë i Sudanit, pas marrëveshjeve të paqes.

Mesha dhe nisja për në Romë

Në të njëjtin mauzole, vend kujtimesh, por edhe takimesh politike, Françesku do të rikthehet në mëngjesin e 7 korrikut, për të kremtuar Meshën e fundit të udhëtimit, në orën 08.00. Në orën 10.45, Papa do të shkojë në aeroport për ceremoninë e lamtumirës. Nisja për në Romë planifikohet për në orën 11.15, zbritja në Fiumicino, në orën 18.05.

Motoja dhe logoja

Motoja dhe logoja e shtegtimit të Papës në Sudanin e Jugut janë gati. Motoja është: “Lutem që të gjithë të jenë një”,  frazë, që do të shoqërojë gjithë shtegtimin.

28 maj 2022, 14:34