Kërko

Fëmijë në punë në një fabrikë tullash në Afganistan Fëmijë në punë në një fabrikë tullash në Afganistan 

Puna e fëmijëve, Papa: tepër duar të vogla privohen nga dinjiteti

Françesku dërgon një mesazh për Konferencën e pestë globale kushtuar eliminimit të shfrytëzimit të fëmijëve dhe adoleshentëve për punë, që po mbahet në Durban të Afrikës së Jugut: ta luftojmë fenomenin “me vendosmëri”, të gjithë së bashku, për t’u kthyer të vegjëlve të drejtën për ta jetuar moshën e tyre, nënvizon Papa

R.SH. – Vatikan

Varfëria është nëna e çdo shfrytëzimi. Mjerimi, që shoqërohet me mungesën e mbrojtjes së të drejtave më elementare, është “kafshatë, që s’kapërdihet” nga miliona njerëz çdo vit, duke filluar nga ata, që nuk kanë forcë për t’u mbrojtur. Janë vajza e djem të vegjël, të cilët i detyrojnë “të lërojnë ara, të punojnë në miniera, të bartin ujë edhe pse larg, të kryejnë punë, që i pengojnë të ndjekin shkollën, për të mos folur për krimin e prostitucionit të fëmijëve”. Këto fjalë të dhimbshme janë pjesë e mesazhit, që Papa Françesku i drejton sot Organizatës Botërore të Punës (ILO), me rastin e Konferencës së pestë globale, që po mbahet në Durban të Afrikës së Jugut, nga e diela e kaluar.

Të zhduken shkaqet e varfërisë

Mesazhin e lexoi dje, nunci apostolik, imzot Peter Bryan Wells, para një asambleje, që do t’i vazhdojë punimet deri të premten. Ati i Shenjtë shkruan se tragjedia e shfrytëzimit të fëmijëve është bërë edhe më e rëndë, për shkak të pandemisë, e cila ka ndikuar në përhapjen e varfërisë së skajshme në shumë anë të botës. Për ato “tepër duar të vogla”, që detyrohen të bëjnë gjithçka s’duhet të bëjë një fëmijë, Papa u kërkon “organizmave ndërkombëtare dhe kombëtare” të çrrënjosin “shkaqet strukturore të varfërisë globale dhe pabarazinë shkandulluese ndërmjet anëtarëve të familjes njerëzore”.

“Me vendosmëri”

Nga shfrytëzimi i punës, që shpesh çon në format më të këqija të çdo lloj abuzimi tjetër, miliona fëmijë privohen nga “gëzimi i rinisë dhe nga dinjiteti, që u ka dhuruar Zoti”. Prandaj, ngul këmbë Papa Françesku, Konferenca e ILO-s e ka për detyrë të ndërgjegjësojë më shumë për këtë çështje, në mënyrë që “të gjenden mënyra të përshtatshme e të frytshme për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve, sidomos përmes promovimit të sistemeve të mbrojtjes shoqërore dhe të arsimimit për të gjithë”.

Edhe Selia e Shenjtë dhe e gjithë Kisha, kujton Bergoglio, punojnë që fenomeni të luftohet nga të gjithë, me vendosmëri, për një zgjidhje përfundimtare, pasi masa me të cilën respektohet “dinjiteti njerëzor”, i dhuruar nga Zoti, si edhe të drejtat themelore të më të vegjëlve, “shpreh qartë ç’lloj të rriturish jemi dhe duam të jemi dhe ç’lloj shoqërie duam të ndërtojmë”.

17 maj 2022, 15:24