Kërko

Pamje nga Mariupol Pamje nga Mariupol 

Françesku: vuaj dhe qaj për vuajtjet e popullit ukrainas

Mendimi i Françeskut shkoi përsëri në vendin e Evropës Lindore, prej nga “vijnë edhe lajmet e tmerrshme të fëmijëve të dëbuar dhe të internuar”. E ndërsa ne jemi dëshmitarë të regresit makabër të njerëzimit - kujtoi - e pyes veten, njëherësh me shumë njerëz të dëshpëruar: “thua vërtet po kërkojmë paqen?”

R. SH. - Vatikan

Papa, pas lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore kujtoi se sot filloi muaji kushtuar Nënës së Zotit. Ati i Shenjtë i ftoi “gjithë besimtarët dhe baskësitë ta thonë çdo ditë të majit Rruzaren për paqen”. E, më pas, mendimi i Françeskut shkoi “në qytetin ukrainas të Mariupolit, ‘qytet i Marisë', i bombarduar dhe i  shkatërruar barbarisht”:

“Edhe tani, edhe prej këtu, e përsëris kërkesën që të krijohen korridore humanitare të sigurta për njerëzit e ngujuar në fabrikën e çelikut të atij qyteti. Vuaj e qaj, duke menduar për vuajtjet e popullsisë ukrainase e, në veçanti, për më të dobtit, të moshuarit dhe fëmijët. Arrijnë  edhe lajme të tmerrshme për dëbimin dhe internimin e fëmijëve. Dhe ndërsa jemi dëshmitarë të regresit makabër të njerëzimit, e pyes veten, njëheresh me një mori njerëzish të dëshpëruar, nëse vërtet po kërkojmë paqen; nëse ekziston vullneti për të shmangur shkallëzimin e vazhdueshëm ushtarak dhe verbal e nëse po bëjmë ç’është e mundur që të heshtin armët”.

Së fundi, Papa bëri edhe një thirrje të fuqishme:

“Mos u dorëzoni para logjikës së dhunës, spirales mizore të armëve. Të ecim në rrugën e dialogut dhe paqes”.

01 maj 2022, 13:37