Kërko

Takim i Papës Françesku me të rinjtë e Scholas Occurrentes, 2021 Takim i Papës Françesku me të rinjtë e Scholas Occurrentes, 2021 

Scholas Occurrentes, në rangun e Shoqatës së besimtarëve me karakter ndërkombëtar

Një kirograf i Papës Françesku përcakton formën e re juridike të Fondacionit Papnor “Scholas Occurrentes”. Më 19 maj, në Universitetin Urbanian, Ati i Shenjtë do të shoqërojë paraqitjen e Lëvizjes si Shoqatë besimtarësh me karakter ndërkombëtar

R.SH. – Vatikan

 Veprimtaria gjithnjë e më e gjerë e Fondacionit Papnor “Scholas Occurrentes”, si komunitet bashkësish dhe lëvizje edukative me karakter ndërkombëtar, ka nevojë sot për një formë juridike, që e pasqyron këtë realitet të ri. Kështu shkruhet në kirografin e nënshkruar nga Papa Françesku, më 19 marsin e kaluar, në solemnitetin e Shën Jozefit, me të cilin “Scholas Occurrentes” njihet si Lëvizje edukative me karakter ndërkombëtar. Me po atë kirograf, miratohen edhe Statutet përkatëse.

Takimi i Papës me të rinjtë

Scholas lindi nga programet “Escuelas de vecinos” dhe “Escuelas hermanas” në qytetin e Buenos Airesit, me nismën e kardinalit të atëhershëm Jorge Mario Bergoglio. Më pas ajo u shtri në pesë kontinente e më 15 gusht 2015 u konsolidua si Fondacion i së drejtës papnore. Papa do të marrë pjesë në paraqitjen e Lëvizjes Edukative Ndërkombëtare “Scholas Occurrentes”, gjatë një takimi me të rinjtë, më 19 maj, në orën 16.00, në sallën kryesore të Universitetit Urbanian – ngjarje, që mund të ndiqet edhe në kanalin YouTube të Vatican Media. Në këtë takim, do të jenë të pranishëm edhe personalitete nga bota e artit, sportit dhe teknologjisë, përfaqësues të shoqërisë civile nga vende të ndryshme, ku Scholas është aktive, si edhe shumë të rinj, pjesëmarrës të programeve edukative të organizatës.

Leksioni i Françeskut

Papa Françesku do të mbajë leksionin e përurimit të Shkollës “Laudato Si’”, në të cilën marrin pjesë 50 studentë nga Argjentina, Bolivia, Brazili, Kili, Kolumbia, Spanja, Haiti, Italia, Meksika, Panamaja, Paraguai dhe Portugalia. Për një vit, këta të rinj të impenjuar në kujdesin për shtëpinë e përbashkët, do të zhvillojnë projekte me ndikim shoqëroro-ambiental në bashkësitë e tyre. Ndër relatorët e shquar, lideri i grupit muzikor U2, Bono Vox. Së fundi, do të njoftohen veprimtaritë e planifikuara gjatë këtij viti, në vendet e ndryshme ku Scholas është e pranishme.

18 maj 2022, 11:14