Kërko

Mariupol, Ukrainë Mariupol, Ukrainë 

Papa: prirja njerëzore për shkatërrim duhet të kurohet dhe të çrrënjoset

Në një mesazh drejtuar Institutit të Psikologjisë në Universitetin Papnor Gregorian, me rastin e 50-vjetorit të themelimit, Françesku analizon të tashmen dhe konfliktin në Ukrainë. Është e domosdoshme t’i themi “jo” së keqes, të ndihmojmë ata, të cilëve u cënohet dinjiteti dhe të promovojmë personin njerëzor

R.SH. – Vatikan

Përballë krizës së thellë antropologjike, që po kalon bota, “Kisha e ka për detyrë të përgjigjet si duhet”. Kështu shkruan Papa në Mesazhin për Institutin e Psikologjisë në Universitetin Papnor Gregorian, i cili me konferencën ndërkombëtare ndërdisiplinore “Adam, ku je? Çështja antropologjike sot”, kremton 50-vjetorin e themelimit. Takimi synon të analizojë si ndikojnë tek njeriu dhe tek dinjiteti i tij transhendetal sfidat e sotme, si globalizimi, teknologjitë e reja, kriza ekologjike, etj. Kisha do të jetë në gjendje t’u përgjigjet atyre në mënyrë krijuese, në të mirë të së ardhmes?

Lufta, pasoja më e keqe e prirjes njerëzore për shkatërrim

 Papa Françeku përmend konfliktin e Ukrainës, si edhe të gjitha luftërat, “pasoja më e keqe e prirjes njerëzore për shkatërrim, individual e sistemik, që nuk merret mjaft seriozisht e nuk kurohet e çrrënjoset si duhet”. Duhet t’i themi “jo” së keqes, nënvizon Ati i Shenjtë, duke mbrojtur ata, të cilëve u cënohet dinjiteti dhe, duke formuar njerëz të aftë për të formuar si duhet edhe të tjerët nga pikpamja antropologjike. Papa vë në dukje se shërbimi i Institutit, i cili është themeluar në vazhdën e Koncilit II të Vatikanit, është promovimi i njeriut dhe ungjillëzimi i vazhdueshëm, sipas përshpirtërisë injaciane, që kujdeset për çdo njeri, duke marrë parasysh karakteristikat e secilit. Në këtë mënyrë, “ka përgatitur specialistë të aftë të integrojnë përshpirtërinë dhe psikologjinë në veprimtaritë apostolike dhe edukative, në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore të Kishës”. Pasi janë formuar në këtë Institut, nxënësit e tij kanë hapur qendra të ngjashme në Afrikë, në Amerikën Latine, Azi dhe Evropë.

Në shërbim të Kishës në dalje

Konferenca me të cilën Instituti i Psikologjisë kremton gjysmë shekulli veprimtari synon të analizojë trashëgiminë e së shkuarës, për të përballuar sfidat e së ardhmes, thekson Françesku, duke uruar rinovimin e impenjimit në punën kërkimore-shkencore, në mësimdhënie dhe në kujdesin për studentët, që ata të vazhdojnë të shërbejnë në periferitë ekzistenciale, ku njerëzit e kulturave të ndryshme përballojnë vështirësitë dhe sfidat e jetës.

Themeluar në vitin 1971, Instituti i Psikologjisë në Universitetin Papnor Gregorian ka formuar më se 600 edukatorë, që kanë detyra me përgjegjësi në gjithë botën. Duke iu përgjigjur ftesës së Koncilit II të Vatikanit për të përdorur shkencat, "në radhë të parë psikologjinë dhe sociologjinë", për të përfocuar jetën shpirtërore, Instituti ofron një vizion të njeriut që, duke marrë parasysh vlerat e krishtera dhe rëndësinë e motivacioneve subkoshiente, ta ndihmojë atë për të ndihmuar të tjerët.

19 maj 2022, 12:21