Kërko

Refugjatë ukrainas Refugjatë ukrainas 

Papa: nga Ukraina lëvizja më e madhe e refugjatëve në Evropë

Në një mesazh drejtuar Komisionit ndërkombëtar katolik për emigracionin, Françesku e nxit Kishën “t'i shërbejë të gjithëve” dhe “të punojë me vrull për të ndërtuar të ardhmen paqësore”, posaçërisht për kë ikën, që duhet mirëpritur, duhet mbrojtur e duhet dashur.

R. SH. - Vatikan

Janë fjalë falënderimi, ato që Françesku u shkroi pjesëmarrësve në Këshillin Plenar të Komisionit Ndërkombëtar Katolik për Migracionin. Në një mesazh, ai ndalohet tek angazhimi i marrë 70 vitet e fundit, e veçanërisht  “për të ndihmuar Kishat t’u përgjigjen sfidave lidhur me zhvendosjen masive, shkaktuar nga konflikti në Ukrainë”. “Është - thekson Papa - lëvizja më e madhe e refugjatëve në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”.

Të krijojmë ardhmëri paqësore

Në tekstin e mesazhit kujtohen edhe “miliona azilkërkues, refugjatë dhe njerëz të zhvendosur në vise të tjera të botës, të cilët kanë nevojë dëshpërimisht për mirëpritje, mbrojtje e sidomos, për dashuri”. Kjo emergjencë kërkon nga Kisha shërbim dhe dëgjim, por edhe angazhim që të “punojë shumë për ndërtimin e një ardhmërije paqësore”.

“Ju keni mundësi t’i jepni fytyrë bamirësie aktive Kishës, duke i ndihmuar këta njerëz”.

Mision për të shpëtuar

Françesku kujton gjithashtu angazhimet e Komisionit, themeluar nga Papa Piu XII në 1951, lidhur me krijimin e rrjetit të konferencave ipeshkvnore në botë, për  shërbimin baritor në favor të emigrantëve dhe refugjatëve. Një ndër detyrat është edhe ajo e “zgjedhjes së kuadrit drejtues të Komisionit, e miratimit të statuteve të reja dhe e përcaktimit të udhëzimeve operative për vitet e ardhshme”. Prej këndej, kujtimi i disa udhëzimeve udhëheqëse, si rëndësia e angazhimit të përbashkët për “mikpritjen, mbrojtjen, promovimin dhe integrimin e migrantëve dhe të refugjatëve”. Françesku kujton gjithashtu se Komisioni, në kushtetutën apostolike Praedicate Evangelium, përfshihet në kompetencat e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, “në mënyrë që natyra dhe misioni i tij të ruhen në përputhje me parimet e origjinës”.

Dinjiteti i njeriut

Një tregues tjetër është të favorizohet “zhvillimi dhe zbatimi i projekteve baritore migratore dhe trajnimi specialistëve baritorë në fushën e migracionit, gjithmonë në shërbim të Kishave të veçanta dhe sipas kompetencave të tyre”. Detyrë, kjo, që Papa e përcakton “ad intra” (nga brenda), ndërsa “ad extra” (nga jashtë) Komisioni duhet të ofrojë programe të afta për t’iu përgjigjur sfidave globale, duke kryer gjithashtu veprimtari patronazhi. Një pikë tjetër është “ajo e sensibilizimit të gjithanshëm ndërkombëtar për tematikat e migracionit, me qëllim që të favorizohet respekti për të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e dinjitetit të tij, sipas udhëzimeve të doktrinës sociale të Kishës”.

30 maj 2022, 16:34