Kërko

Shenjtërimi i dhjetë të Lumve Shenjtërimi i dhjetë të Lumve 

Papa: në botën plot luftëra dhe tensione, shenjtorët e rinj frymëzojnë udhët e dialogut

Në përfundim të Meshës për shenjtërimin e dhjetë të lumëve në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku u drejtoi një thirrje të re atyre që kanë “detyra me përgjegjësi të madhe” për të qenë “protagonistë të paqes e jo të luftës”. Përshëndeti edhe delegacionet e vendeve të ndryshme, familjet rregulltare dhe autoritetet, në veçanti, presidentin italian Sergio Mattarella. Gjatë një xhiroje me papamobil, disa besimtarë hodhën në xhip një flamur ukrainas.

R. SH. - Vatikan

Dialog kundër tensioneve, luftërave, distancave që shtohen gjithnjë e më shumë në botë. Françesku vuri theksin mbi situatën aktuale dhe barrën e rëndë të dramave, që mbart mbi shpinë. E, menjëherë pas, në fund të Meshës së shenjtërimit në Sheshin e Shën Pjetrit, kujtoi shembullin e dhjetë shenjtorëve të rinj, duke uruar të jenë ndërmjetës të paqes dhe frymëzues për ata, që u prijnë vendeve dhe popullsive të botës:

“Ndërsa mjerisht në botë rriten distancat e shtohen tensionet dhe luftërat, shenjtorët e rinj frymëzojnë zgjidhje të përbashkëta, udhë dialogu, posaçërisht në zemrat dhe mendjet e atyre që kanë detyra me përgjegjësi të mëdha e janë thirrur të jenë protagonistë të paqes, jo të luftës”.

Sheshi, i mbushur përplot

Papa ia drejtoi këtë thirrje një sheshi, prej nga e ndiqnin më se 50,000 besimtarë nga Italia dhe nga e gjithë bota, duke nisur nga Uruguai. Algjeria, Tunizi, Holanda, Franca… për të përfunduar në Indi. Ndërsa tremja e Bazilikës ishte përplot me kardinaj, ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, të cilët bashkëkremtuan në Meshë. Papa i falënderoi , para se të thoshte lutjen e Mbretëreshës Qiellore tek këmbët e shtatores së Virgjërës Mari, vendosur në treme, nën pesë sixhadet me fytyrat e shenjtorëve të rinj.

Përshëndetje autoriteteve dhe familjeve fetare të shenjtorëve të rinj

“Përpara se të përfundoj këtë festë eukaristike, dëshiroj t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj të gjithë: kardinajtë, ipeshkvijtë, priftërinjtë, veçanërisht ata që u përkasin familjeve shpirtërore të Shenjtorëve të rinj dhe të gjithë besimtarët, popull besnik i Zotit, mbledhur këtu nga shumë vende të botës” - tha Papa Françesku. Për të përshëndetur, më pas edhe delegacionet zyrtare të kombeve të ndryshme, veçanërisht Presidentin e Republikës italiane, Sergio Mattarella, ulur në rreshtin e parë pranë vajzës së tij Laura, së bashku me autoritetet e tjera.

Zhvillimi shoqëror dhe shpirtëror

Papa më pas tërhoqi vëmendjen tek gjashtë burrat dhe katër gratë, që sapo i lartoi në nderimin e altarit:

“Është bukur të vëresh se, me dëshminë e tyre ungjillore, këta shenjtorë favorizuan zhvillimin shpirtëror dhe shoqëror të kombeve të tyre përkatëse, e jo më pak, edhe të gjithë familjes njerëzore”.

Prej këndej, lutja që t'i ndriçojnë shtigjet e paqes:

“Tani - përfundoi Papa Françesku - t’i drejtohemi Virgjërës Mari që të na ndihmojë ta ndjekim me gëzim shembullin e shenjtorëve të rinj”.

Një xhiro e gjatë me papamobil, rreth Sheshit

Në fund të lutjes mariane, Papa shkoi në këmbë tek prelatët e ndryshëm, që kremtonin meshën, për t'i përshëndetur personalisht, siç është zakoni i festimeve në Sheshin e Shën Pjetrit. Më pas, mbi një një xhip të bardhë, të zbuluar, bëri një rrotullim të gjatë për të përshëndetur besimtarët  në Sheshin e mbushur me njerëz deri përtej shtyllave të Berninit. Makina, më pas, u drejtua nga Sheshi Pio XII për të vijuar përmes Via della Conciliazione, duke arritur deri në gjysmë të saj. Turma e radhitur në të dy krahët e rrugës e priti Papën duke kënduar, duke duartrokitur dhe duke bërë foto me celularët, për ta përjetësuar gëzimin e kësaj dite!

Flamuri ukrainas dhe kësula e Papës fluturojnë lart…

Ndërsa vijonte xhiroja rreth sheshit, që zgjati rreth njëzet minuta, një dorë nga turma e besimtarëve hodhi flamurin ukrainas verdh-e-blu, që fluturoi mbi xhipin e Papës. E më pas, pak çaste përpara se Françesku të kalonte Harkun e Këmbanave për të shkuar në Shtëpinë e Shën Martës, një ngjarje e vockël, jashtë programit: edhe kësula e bardhë e Papës fluturoi lart, në krahët e një flladi të papritur!

15 maj 2022, 13:45