Kërko

Papa priti delegacionin e Global Solidarity Fund Papa priti delegacionin e Global Solidarity Fund 

Papa: ndihma për periferitë e botës nuk është lëmoshë, por vëllazërim

Fjalët e Françeskut drejtuar Fondit Global të Solidaritetit, me inkurajimin për t'u qëndruar pranë të braktisurve nga shoqëria: shumë të krishterë e kanë "zemrën të ndyer nga egoizmi dhe janë edicioni i ri i fariseizmit më të lashtë"; është e nevojshme të shkohet drejt një ekonomie komunitare

R.SH. – Vatikan

 Të jetohet pranë njerëzve të periferive, të integrohen emigrantët në shoqëri, jo për bamirësi apo mëshirë, por për të reaguar kundër dimrit demografik dhe për t’i hapur rrugën një ekonomie të krishterë, e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Këto janë këshillat e Papës Françesku në takimin me drejtuesit e Fondit Global të Solidaritetit, ku bëjnë pjesë rregulltarë, të cilët në Davos, ku po zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror, diskutojnë për lidershipin dhe përfshirjen shoqërore të më të braktisurve e më të mënjanuarve.

Ati i Shenjtë i priti në Vatikan, u foli pa letër dhe u dorëzoi fjalimin e përgatitur. “Më pëlqen – nënvizoi Françesku – kur njerëzit punojnë në kufi, në periferi. Thjesht, sepse edhe Jezusi shkoi në periferi: Ai shkoi për t’u treguar njerëzve Ungjillin”, u tha ai, duke u shpjeguar se periferitë mund të karakterizohen nga nevoja materiale, por edhe nga ato shpirtërore, “pasi ka njerëz që jetojnë në mirëqënie, por e kanë shpirtin copë-copë”. Stili i Zotit, vazhdoi Papa, është afërsia e, "shumë njerëz kanë nevojë për afërsi".

“Shkoni në periferi, takoni njerëz për të cilët nuk pyetet, njerëz të braktisur nga shoqëria, sepse jetojmë në kulturën e hedhurinave e, edhe njerëzit hidhen. Të shkoni atje, ashtu siç bëri Jezu Krishti”.

Ato kongregata rregulltarësh, ose ata të krishterë, që mbyllen në vetvete me pretendimin se po ruajnë fenë, se duan ta kenë shpirtin të pastër, pa dëshmuar afërsi me kënd, ndoshta, pohoi Papa, “do ta kenë shpirtin të pastër, por e kanë zemrën të ndyer me egoizëm” e janë “një lloj edicioni i ri i fariseizmit më të lashtë”.

Emigrantët duhen integruar e jo getizuar

 Më pas, Papa foli për emigrantët, duke përsëritur katër fjalët themelore, që thotë shpesh për ta: mikpritje, shoqërim, promovim dhe integrim.

“Nuk është ndonjë vepër bamirësie t’i lësh emigrantët aty. Jo! Duhen marrë e integruar, me edukim, me punësim, me të gjitha këto gjëra”.

 Papa kujtoi atentatin e aeroportit të Brukselit, ku të rinj belgë, bij emigrantësh, vranë 11 vetë, në emër të Isis-it. Emigranti i paintegruar, nënvizoi Françesku, është i rrezikshëm për veten dhe për të tjerët, pasi gjithë jetën mbetet lypsar e mban në shpirt mllefe kundër shtetit, ku ndodhet. Evropa është bërë nga emigrantët e sot ka nevojë për ta që të zhvillohet më tej, theksoi Ati i Shenjtë.

“Kemi një dimër demografik, nuk lindin fëmijë dhe horizonti i së ardhmes bëhet më i ngushtë: le të vijnë ata njerëz të mirë, por duhet të integrohen! Të integrohen. Prandaj, ju falënderoj shumë për çka bëni me ta. Nuk është lëmoshë, jo, është vëllazërim”.

Të kalohet në një ekonomi komunitare

Papa kërkoi më pas, të punohet për të kaluar nga ekonomia liberale në ekonominë komunitare, që merr parasysh nevojat e gjithë njerëzve. Për këtë po punohet me të rinjtë e me gratë ekonomiste, nënvizoi Françesku, duke përmendur studimet e Mariana Mazzucato-s, ekonomiste dhe akademike italiane, amerikane, bijë emigrantësh italianë.

“Nuk mund të jetojmë me një model ekonomik, që vjen nga liberalizmi dhe iluminizmi. As nuk mund të jetojmë me një model ekonomie, që vjen nga komunizmi. Kemi nevojë për një ekonomi të krishterë, ta themi kështu”.

Papa e përfundoi fjalën e tij, duke i ftuar anëtarët e Fondit Global të Solidaritetit të shkojnë në të gjitha periferitë e botës, sidomos në Juglindjen e Azisë, në Afrikë, në Amerikën Latine.

25 maj 2022, 13:33