Kërko

Papa: kujdes ndaj të fundmëve, kundërvënie kulturës së indiferencës

Duke folur para kongregatave të themeluara nga Shën Giovanni Calabria për të ndihmuar më të varfërit dhe më të mohuarit nga shoqëria, Papa theksoi se sot ndjehet nevoja për të krishterë që kujdesen për të tjerët, në mënyrë që askujt të mos i mungojë çka duhet për të jetuar. Duhen rifituar vlerat e ndarjes së përbashkët!

R.SH. - Vatikan

“Kultura e provanisë” është ilaçi i “kulturës së indiferencës”, tejet të përhapur në shoqëritë e mirëqenies. Françesku e nënvizoi këtë, gjatë audiencës mbajtur në Sallën Klementine, me pjesëmarrësit në Kapitujt e Përgjithshëm të Shërbëtorëve të Varfër të Provanisë Hyjnore, të thirrur - në gjurmët e Shën Gjon Kalabrisë – “për të gjallëruar në botë besimin në Zotin Atë dhe lëshimin me dashuri bijnore në krahët e Provanisë së Tij”. Një mision i kryer mbi të gjitha “në shoqërinë e më të varfërve, më të fundmëve, më të flakurve të shoqërisë”, të cilët Don Kalabria i pati quajtur “perlat” e Veprës që themeloi. Papa shpjegoi se “përshpirtëria e krishterë e providencës nuk është fatalizëm, nuk do të thotë të presim që zgjidhjet e problemeve dhe të mirat që na duhen, të na bien nga qielli”:

“Përkundrazi, do të thotë të përpiqemi t’i ngjajmë, në Shpirtin Shenjt, Atit tonë qiellor në kujdesin për krijesat e tij, veçanërisht për ato më të brishtat, më të voglat; do të thotë të ndajmë me të tjerët atë pak që kemi, në mënyrë që askujt të mos i mungojë çka është e nevojshme. Ky është qëndrimi i kujdesshëm, i nevojshëm më shumë se kurrë, për t’iu kundërvënë atij të indiferencës”.

Të rifitohet vlera e ndarjes së përbashkët

Duke kujtuar temën e Kapitullit të kongregatave të Don Kalabrisë, “Profecia e bashkimit”, Papa vuri në dukje se bashkimi “lind dhe ushqehet para së gjithash në marrëdhëniet me Zotin Trini”, e më pas manifestohet konkretisht në vëllazëri, në frymën e familjes”. Gjithashtu theksoi se  pjesa themelore e bashkimit është ndarja e përbashkët. Më pas kujtoi shembullin e të moshuarve, të cilët e ndanë ushqimin, me ata që trokitën në derën e tyre duke kërkuar ndihmë. E kjo është një mënyrë shumë konkrete për ta jetuar Provaninë si ndarje”, duke ftuar të rifitohen këto vlera. Së pari…

“Mendësinë e atyre, që thyejnë bukën duke bekuar Zotin Atë, të sigurt se ajo bukë do të mjaftojë për ta dhe për fqinjin që ka nevojë. Kështu na mësoi Jezu Krishti në mrekullinë e ndarjes - dhe jo të shumëzimit - të bukëve dhe peshqve. Sot ka nevojë për të krishterë që i shërbejnë Provanisë, duke praktikuar ndarjen”.

Shpallja e dashurisë së Zotit në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale

Më pas Françesku u ndalua tek figura e Don Kalabrisë, “njeri i kushtuar  Kishës së kohës së tij, i cili dinte t’u përgjigjej nevojave duke shkuar në periferi, për të treguar fytyrën atërore dhe amtare të Zotit”. Më pas i nxiti meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret e misionit të tij ta “rilexojnë me besnikëri krijuese, duke kërkuar shtigje të reja”, për të mos rënë në vetvlerësim, por për të ecur në jetë sipas stilit që frymëzon Zoti. Papa shprehu gjithashtu besimin se mendësia sinodale dhe vëllazërore do ta frymëzojë shërbimin e të gjithë familjes kalabreze dhe shtoi:

“Periferitë gjeografike dhe ekzistenciale në të cilat Zoti ju dërgon janë fusha ku ju mund të shpallni dashurinë e urtë të Atit nëpërmjet mëshirës së begatë, duke mishëruar butësinë e fytyrës së Perëndisë pa paragjykime dhe pa përjashtime. Duajini të varfërit - duke u bërë të varfër”.

Kundërshtimi i kulturës së shpërdorimit dhe indiferencës

Së fundi, Françesku e inkurajoi familjen kalabreze ta vlerësojë  pasurinë e thirrjeve të ndryshme “në bashkimin e dallimeve”.

E, në përfundim, uroi që si të shuguruarit, ashtu dhe laikët të mund të gëzohen duke ofruar një dëshmi të thjeshtë, të përulur dhe të guximshme, me humanizëm e pa mediokritet dhe të jenë profeci bashkimi, duke e  dëshmuar Ungjillin e Provanisë, në ndarjen me më të varfërit, e duke iu kundërvënë kulturës së shpërdorimit dhe të indiferencës.

30 maj 2022, 14:57