Kërko

Papa Kamilianëve: profecia juaj e mishëruar, në Kishë “spital fushor”

Françesku u takua sot me pjesëmarrësit në kapitullin e 59-të të përgjithshëm të Urdhërit të Shërbëtorëve të të Sëmurëve, që sapo zgjodhi eprorin e ri të përgjithshëm, atë Pedro Tramontin, rregulltar i provincës së Shteteve të Bashkuara. Ati i Shenjtë i ftoi të vijojnë “t’i marrin mbi vete plagët dhe shqetësimet e vëllezërve e të motrave më të ligshta”

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku u takua sot me pjesëmarrësit në kapitullin e 59-të të përgjithshëm të Urdhërit të Shërbëtorëve të të Sëmurëve, që sapo zgjodhi eprorin  e ri, atë Pedro Tramontin, rregulltar i provincës së Shteteve të Bashkuara.

Pas një përshëndetjeje të përzemërt drejtuar rregulltarve të pranishëm, Papa përsëriti menjëherë pyetjen, në qendër të reflektimit të rregulltarëve këto ditë të rëndësishme për ardhmërinë: “Cila është profecia kamiliane sot?”:

“Ju propozoni të gjeni udhë të reja ungjillizimi dhe afërsie, në mënyrë që ta realizoni me besnikëri dinamike karizmën tuaj në shërbim të të sëmurëve. Shën Kamili de Lelis, i shndërruar nga dashuria e Zotit, ndjeu thirrjen për t’i dhënë jetë një familjeje të re rregulltare e cila, në ngjasim të Jezusit plot dhembshuri për të vuajturit në trup dhe në shpirt, do ta jetonte urdhërimin e dashurisë duke e përhapur me gëzim Fjalën e Ungjillit dhe duke u kujdesur për njerëzit më të ligshtë”.

Kamilianët sot

Më pas  Papa Françesku kujtoi kushtet e reja, në të cilat jetojnë kamilianët, ashtu si e gjithë Kisha:

“Kohë në të cilën sundon individualizmi dhe indiferenca, me pasojë vetminë dhe humbjen e shumë jetëve. Përgjigja e krishterë - shpjegoi Papa - nuk është ajo e dorëzimit para së tashmes, as shprehja e keqardhjes për të kaluarën, që nuk kthehet kurrë më. Është bamirësia e cila, e frymëzuar nga besimi në Provaninë Hyjnore, di ta vlerësojë kohën dhe ta dëshmojë përvujtërisht Ungjillin”.

Në gjurmët e Themeluesit

Këtë e realizoi Themeluesi juaj, një nga shenjtorët që - u kujtoi në vijim Papa kamilianëve - diti ta mishërojë më së miri stilin e Samaritanit të Mirë, duke iu afruar vëllait të plagosur e të mbetur pa ndihmë në mes të rrugës. Kjo është pika e kthesës, që të ndihmon të dalësh nga errësira e një bote të mbyllur, për të krijuar një botë të ndritur (krh. Enc. Brothers all, kapitujt 1-3).

Më pas, porosia:

“Ju, vëllezër, ju takon dhurata dhe detyra të frymëzoheni nga Krishti për ta shikuar me sytë e Tij realitetin e vuajtjes, të sëmundjes dhe të vdekjes. Kjo kërkon t’i bindeni thirrjes së Shpirtit Shenjt, Shpirt i gjallërisë apostolike, për të zbuluar dhe për të përshkuar së bashku shtigje të pashkelura ose për të shprehur në forma të reja, forcën e karizmës kamiliane”.

Ky stil jetese dhe apostullimi, kushtuar posaçërisht shërbimit ndaj të sëmurëve, të ligshtëve dhe të moshuarve, përkon me dy përmasa themelore të jetës së krishterë: nga njëra anë, me dëshirën për dëshmi konkrete ndaj të tjerëve, e nga një tjetër, me nevojën për ta kuptuar vetveten sipas frymës së vogëlsisë ungjillore.

Besnikëri ndaj dashurisë së parë

Në vijim, Papa i ftoi kamilianët të frymëzohen gjithnjë nga Lumturitë, për t’ua çuar butësisht dhe thjeshtësisht, lajmin e mirë të varfërve dhe të vegjëlve të sotëm. E më pas i uroi ta mbështesin njëri-tjetrin, me besimin se e mira bërë një motre ose një vëllai që vuan, është dhuratë bërë vetë Jezusit dhe se ajo, që jetohet dhe dhurohet çdo ditë me gëzim, edhe të padukshëm për sytë e botës, nuk humbet kurrë, por si fara e rënë në tokë, mbin dhe jep fryt.

Në gjurmët e Shën Kamilo de Lelis

Të dashur vëllezër, mbi të gjitha dua t’ju falënderoj për atë që jeni dhe për atë që bëni në Kishë -  pohoi Papa - Nëse duam t’ u ofrojmë njerëzve një “spital fushor” të mirë, ku të plagosurit mund të takohen dhe të ndjejnë afërsinë dhe butësinë e Krishtit, nëse e duam këtë, nuk mund të bëjmë pa karizmën e Shën Kamilit de Lelis. Prej këndej, urimi me të cilin u mbyll ky takim shprehës për të sotmën e të ardhmen:

“Ju takon t’ia jepni duart, këmbët, mendjen dhe zemrën tuaj kësaj dhurate të Zotit, që t’i vazhdojë veprat e Atij të Lumit në kohën tonë. Zoti i bekoftë me begati punimet e kapitullit tuaj, e Zoja ju shoqëroftë gjithmonë në udhën tuaj!”.

16 maj 2022, 12:27