Papa Françesku në Kanada nga 24 deri më 30 korrik
R.SH. - Vatikan
Papa e ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të shkuar në Kanada, ku Kisha është e angazhuar në një proces të rëndësishëm pajtimi me popullin indigjen. Drejtori i Zyrës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, njoftoi sot se Françesku do të jetë në vend nga 24 deri më 30 korrik, “me ftesën e autoriteteve civile, kishtare dhe të bashkësive indigjene”.
Është shtegtimi i 38-të apostolik i Papës, që do të vizitojë qytetet Edmonton, Québec dhe Ikaluit. Në audiencën e 1 prillit me delegacionet e popujve indigjenë të Kanadasë, që i pati takuar më parë edhe individualisht, Françesku preku plagët e një periudhe të vështirë e, duke kujtuar përkushtimin “për Shën Anën, gjyshen e Jezusit”, këtë vit - u premtoi - do të doja të isha me ju në ato ditë ”. Kujtojmë se festa e Shën Anës kremtohet më 26 korrik.
Dhimbje dhe turp për të kaluarën
Në të njëjtën audiencë, Papa kërkoi ndjesë për ngjarjet e së kaluarës, që dolën dramatikisht në dritë me zbulimin e një varri masiv në Shkollën Rezidenciale Indiane Kamloops. Histori abuzimi dhe dhune e kryer ndërmjet fundit të shekullit të 19-të dhe dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit të 20-të, kur qeveria kanadeze krijoi shkollat rezidenciale për t’i asimiluar kulturalisht fëmijët indigjenë. Shkollat iu besuan kishave të krishtera lokale, përfshirë edhe atë katolike. Në këto ambiente përgjithësisht të pafinancuara, fëmijët shpesh keqtrajtoheshin dhe shpërdoroheshin:
“Ju kam thënë dhe e përsëris: ndjej dhimbje e turp kur kujtoj rolin që luajtën katolikë të ndryshëm, sidomos me përgjegjësi arsimore, në gjithçka që ju lëndoi, në abuzimet dhe në mungesën e respektit për identitetin tuaj, kulturën tuaj dhe madje edhe vlerat tuaja shpirtërore. E gjithë kjo është në kundërshtim të plotë me Ungjillin e Jezusit”- u pati thënë Papa indigjenëve gjatë takimeve me ta, në Vatikan.
Rrugë drejt së vërtetës
Vizita e Papës është një nga etapat e rrugës së pajtimit, nisur nga Kisha Kanadeze, sapo doli në shesh e vërteta. Rrugë, që Françesku ftoi të ndiqet me vendosmëri sepse “procesi i rehabilitimit kërkon veprime konkrete”. Prej këndej, inkurajimi “për ta vazhduar kërkimin transparent të së vërtetës”, “për shërimin e plagëve dhe pajtimin” e për të nxitur rizbulimin dhe rigjallërimin e kulturës së vendasve, me dashuri, respekt dhe vëmendje të veçantë ndaj tyre e traditave të tyre.