Kërko

Kupola e Bazilikës së Shën Pjetrit, Pasuri e Kishes e pasuri e UNESCO-s Kupola e Bazilikës së Shën Pjetrit, Pasuri e Kishes e pasuri e UNESCO-s 

Papa: në jetën rregulltare, “zotërimi i pasurisë së patundshme të programohet me largpamësi”

Mesazh i Papës për pjesëmarrësit e konferencës së 4 e 5 majit në Antonianum, me temë: “Karizma dhe krijimtaria. Katalogimi, administrimi dhe projekte novatore për trashëgiminë kulturore të bashkësive të jetës rregulltare”

R.SH. – Vatikan

“Duhet ta rishqyrtojmë çështjen e ripërdorimit të pasurive të paluajtshme, që nuk nevojiten më, kërkesë gjithnjë e më urgjente sot, jo vetëm për shkak të tkurrjes numerike të bashkësive të jetës rregulltare dhe të nevojës për të gjetur fonde për kujdesin ndaj motrave e vëllezërve tanë të moshuar e të sëmurë, por edhe, sidomos, për shkak të pasojave të përshpejtimit të ndryshimeve legjislative, të cilave, detyrimisht, duhet t’u përshtatemi”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin, me të cilin u hap konferenca me temë: “Karizma dhe krijimtaria. Katalogimi, administrimi dhe projekte novatore për trashëgiminë kulturore të bashkësive të jetës rregulltare”, organizuar në Romë, nga Kongregata për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, si edhe nga Këshilli Papnor për Kulturën. Takimi mbahet në Auditoriumin “Antonianum”, më 4 e 5 maj.

Pasuritë e instituteve rregulltare dëshmojnë karizmën e tyre

Papa kujton se “Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë promovuese të artit dhe të kulturës në shërbim të fesë, kujdestare të një pjese shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kishës dhe të njerëzimit”, përmes arkivave, librave, veprave artistike e liturgjike e, edhe përmes pronave të tyre, të cilat shpesh, janë Pasuri e UNESCO-s.

“Sot, mund të shtohet se vlera e tyre ka të bëjë, në thelb, me aftësinë për të transmetuar atë përmbajtje fetare, shpirtërore dhe kulturore, që, për trashëgiminë kulturore të Instituteve të jetës rregulltare, konsiston sidomos në njohjen e marrëdhënieve të tyre me historinë, përshpirtërinë dhe traditat e veçanta të secilës prej bashkësive, praktikisht, në marrëdhëniet me ‘karizmën’ e tyre”.

Mundësi për ta rinovuar e për ta rimenduar thirrjen rregulltare

Pronat e këtyre bashkësive, vijon Papa, nuk janë thjesht zotërime, por vende, që dëshmojnë për karizmën e tyre, vende ku thirrja e rregulltarëve mund të rimendohet dhe të aktualizohet. Duke pasur parasysh temën e konferencës, Ati i Shenjtë theksoi se “kërkesa e, nganjëherë, edhe barra për ruajtjen e kësaj trashëgimie, mund të kthehet në mundësi për ta rinovuar e për ta rimenduar karizmën, duke e kuptuar atë sërish në kuadrin aktual shoqëroro-kulturor dhe duke e riprojektuar për të ardhmen”.

Planifikim largpamës

Së fundi, tema e shitjes, ose e tjetërsimit të pasurive të paluajtshme.

“Problemi duhet trajtuar jo me vendime të improvizuara apo të nxituara, por në kuadrin e një vizioni të përgjithshëm dhe të një planifikimi largpamës, madje, nëse është e mundur, edhe përmes ekspertëve profesionalë”, nënvizoi Françesku, i vetëdijshëm se ky “është argument tejet delikat dhe i ndërlikuar, që mund të tërheqë njerëz të paskrupullt, me interesa të tjera, duke u bërë rast shkandulli për besimtarët”.

Ati i Shenjtë, në përfundim të mesazhit, vë në dukje nevojën për “të vepruar me maturi dhe largpamësi të madhe”.

04 maj 2022, 14:09