Kërko

Papa në takimin me eproret e përgjithshme UISG Papa në takimin me eproret e përgjithshme UISG 

Françesku, murgeshave: pavarësisht nga brishtësitë, shërbejini njerëzimit

Eproreve të përgjithshme, në fund të Asamblesë së UISG (Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme), Papa, i ulur në karrige me rrota, për shkak të dhimbjes së gjurit, u flet për autoritetin e shërbimit, pa frikën e brishtësisë dhe me frymën e ndërtueseve të bashkësisë. Kontributi për Sinodin: të nxirren në pah edhe pyetjet e pakëndshme

R.SH. – Vatikan

Papa flet pa letër në Sallën Pali VI, duke përshëndetur rreth 900 pjesëmarrëset në Asamblenë e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme (UISG), që këto ditë është mbledhur për të diskutuar mbi temën: “Të përqafojmë brishtësitë në udhën sinodale”. Françesku mbërrin në një karrige me rrota, për shkak të dhimbjes së gjurit, që e bën të vuajë prej kohësh, prandaj, nuk duhet të sforcohet. Ua dorëzon murgeshave fjalimin zyrtar, që përqendrohet në dy skena biblike: Jezusin që i lan këmbët Pjetrit në Darkën e Mbrame dhe Marinë Magdalenë, që e ndien se çlirohet nga takimi me Krishtin.

Shërbejini njerëzimit

“Ju ftoj ju, që keni misionin e veçantë për të gjallëruar jetën e kongregatave tuaja dhe për të shoqëruar reflektimin në bashkësitë tuaja – u thotë Papa eproreve të rregulltareve në fjalimin e dorëzuar – të hyni në këtë përmasë të larjes së këmbëve, …dhe ta jetoni autoritetin si shërbim”.

“Edhe jeta rregulltare – vijon më tej mesazhi – ka brishtësitë e saj. Ishim mësuar të jemi të rëndësishëm për numrin e madh të anëtarëve e për veprat tona; të spikatnim e të merreshim parasysh në shoqëri. Kriza, që po kalojmë, na bën t’i ndiejmë brishtësitë e na fton ta pranojmë këtë gjendje. Gjithçka na nxit ta bëjmë tonin qëndrimin e Birit të Zotit para Atit Qiellor e njerëzimit, atë të ‘shërbimit’. Nuk është fjala për skllavërim. Të ulim kryet nuk do të thotë të bllokohemi në trashëgiminë e në inkoherencën tonë”.

Pjesëmarrje aktive në procesin sinodal të Kishës

Ati i Shenjtë i këshillon murgeshat të ulen në këmbët e njerëzimit, për t’i shërbyer atij, por edhe për të kërkuar karizma e rrugë të reja për jetën e bashkësisë së tyre rregulltare. U kërkon eproreve të marrin pjesë aktivisht në procesin sinodal të Kishës, “duke dëgjuar, për t’i dhënë guxim njëra-tjetrës që të flitet me sinqeritet, të bëhen pyetje mbi elementet thelbësore të jetës rregulltare sot. Edhe për të nxjerrë në pah pyetjet e pakëndshme. Mos kini frikë nga brishtësia juaj, mos kini frikë ta çoni atë para Jezu Krishtit”, përfundon Papa.

05 maj 2022, 14:49