Kërko

2022.05.21 Pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm  të Vëllezërve të Shkollave të Krishtera 2022.05.21 Pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Vëllezërve të Shkollave të Krishtera 

Papa: duhet punuar së bashku për rindërtimin e paktit edukativ

Vëllazërimi dhe kujdesi për shtëpinë e përbashkët. Dy sfida, në atmosferën e emergjencës arsimore, që po përjeton bota, mprehur më tej nga pasojat e pandemisë. Françesku ua kujtoi sot Vëllezërve të Shkollave të Krishtera, pritur me rastin e Kapitullit të 16-të të Përgjithshëm kushtuar “Hapjes së rrugëve të reja, për të shndërruar jetë të reja”.

R. SH. - Vatikan

“Kantier për të ndërtuar rrugë të reja, që të çojnë tek vëllezërit, veçanërisht tek më të varfërit: shtigje të reja arsimore në shkolla, kolegje, universitete, në rreth njëqind vendet, ku janë të pranishëm Vëllezërit e Shkollave të Krishtera”. Papa Françesku e përkufizoi kështu, në fjalimin e tij, Kapitullin e jetuar këto ditë nga Kongregata laikale, themeluar në vitin 1682 në Reims, nga Shën Gjon Baptist de La Salle. Puna edukative - kujtoi - është  dhuratë e madhe para së gjithash për ata që e bëjnë: punë që kërkon shumë, shumë kohë, por edhe që jep shumë. Më pas padia e fortë e Françeskut:

“U thye pakti arsimor! U thye. Shteti, edukatorët dhe familja tashmë janë të ndarë. Ne duhet të kërkojmë një pakt të ri që të jetë komunikativ dhe të punojmë së bashku: kjo është emergjencë edukative”.

Dy sfida arsimore

Vështrimi i Papës përqendrohet te urgjenca arsimore e përjetuar sot në nivel global, e mprehur më tej nga pasojat e pandemisë. Prandaj, duke iu drejtuar rreth njëqind pjesëmarrësve në audiencë, Papa vuri theksin mbi dy sfida: “vëllazërim” dhe “kujdes për shtëpinë e përbashkët”:

“Ju, vëllezër, bëni pjesë në këtë kantier, madje jeni në vijë të parë, duke edukuar për të kaluar nga një botë e mbyllur, në një të hapur; nga  kultura e hedhurinës, në  kulturën e kujdesit; nga kërkimi i interesave të pjesëshme, tek kërkimi i së mirës së përbashkët. Si edukatorë e dini mirë se ky shndërrim duhet të nisë nga ndërgjegjja, përndryshe mbetet vetëm fasadë”.

Besëlidhja arsimore, në shkollën e Krishtit

Kjo është vepër që, sipas Ipeshkvit të Romës, nuk kryhet vetëm, por në bashkëpunim arsimor me familjet, bashkësitë, shoqatat laikale, realitetet e territorit:

“Edukatori i krishterë, në shkollën e Krishtit, para së gjithash është dëshmitar; e pastaj dhe mësues, në atë masën që është dëshmitar. Nuk kam asgjë për t’ju mësuar në këtë drejtim por vetëm, si vëlla, dua t’jua kujtoj. Dhe mbi të gjitha lutem për ju, që të jeni vëllezër të vërtetë, e jo vetëm sa për emër, ashtu si edhe shkollat ​​tuaja të jenë me të vërtetë të krishtera, e jo vetëm sa për emër!”.

Ungjillëzoni duke edukuar, edukoni duke ungjillëzuar

Ju ftoj - theksoi Papa - të ecim përpara me gëzim: të ungjillëzojmë duke edukuar dhe të edukojmë duke ungjillëzuar. Të ndërtojmë rrugëve të reja, me vetëdijen se rruga me të vërtetë e re, “Rruga”, është Jezu Krishti. Vetëm duke e ndjekur, përfundoi Françesku, jeta shndërrohet dhe “ne bëhemi tharm, kripë dhe dritë!

21 maj 2022, 13:24