Kërko

Autoritetet e Budizmit të Mongolisë Autoritetet e Budizmit të Mongolisë 

Papa budistëve të Mongolisë: paqe njerëzimit, përmes dialogut

Në një botë të dërmuar nga konfliktet, në të cilën feja shpërdorohet tepër shpesh për të përligjur aktet e dhunës, thirrja e fuqishme e Françeskut në audiencën me përfaqësues nga vendi aziatik: e kemi për detyrë të nxisim një kulturë të ndryshme, të bazuar mbi faljen, dhe jo mbi dhunën, si na mësojnë Mjeshtrit e feve tona, Jezusi dhe Buda. Njerëzimi ka etje për paqe!

R. SH. - Vatikan

Është vizita e parë zyrtare në Vatikan e një delegacioni të Autoriteteve të Budizmit të Mongolisë, “shenjë shprese” për një vend, që tashmë krenohet për traditën e gjatë të bashkëjetesës ndërfetare. E Papa Françesku u shprehu menjëherë mirënjohjen, duke i inkurajuar “të zbulojnë  rrugë të reja për dialogun budisto-kristian”. Takimi të kujton menjëherë një përvjetor të dyfishtë: 30-vjetorin e Prefekturës Apostolike në vend, si dhe  lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë me synimin e thellimit të bashkëpunimit, për ndërtimin e një “shoqërie paqësore”.

Selia e Shenjtë dhe Mongolia: bashkëpunim gjithmonë pozitiv

Reflektimi i Papës u përqendrua mbi konceptet e paqes dhe të heqjes dorë nga dhuna, koncepte të themelore të mësimeve të Jezusit e të Budës:

“Paqja vijon të jetë dëshira e zjarrtë e njerëzimit edhe sot. Prandaj, përmes dialogut në të gjitha nivelet, është urgjente të promovohet kultura e paqes, që i kundërvihet dhunës dhe të punohet për këtë. Ky dialog duhet t’i ftojë të gjithë ta kundërshtojnë dhunën në të gjitha format e saj, duke përfshirë edhe dhunën kundër ambientit. Fatkeqësisht, ka nga ata që vazhdojnë ta përdorin fenë, për të justifikuar aktet e dhunës dhe urrejtjes”.

Dishepuj të Mjeshtrave të kundërdhunës

Të jesh “dishepull i vërtetë” i Jezusit apo ndjekës i Budës, do të thotë “t’i pranosh propozimet e tyre” - shpjegoi Françesku. Dashuria për Zotin, për armiqtë, logjika e faljes janë mësime të Jezusit, i cili - theksoi Papa - “jetoi në kohë dhune” dhe “mësoi se fusha e vërtetë e mejdanit, ku ndeshen dhuna dhe paqja, është zemra e njeriut”. Pikërisht “përmes rrugës së mospranimit të dhunës, që e çoi në Kryq, Jezusi e fitoi duelin, e mundi armiqësinë”. Kështu edhe Buda, në mesazhin e tij kundër dhunës, për paqen, mësoi - kujtoi Papa, duke cituar përmbledhjen e mësimeve të Dhammapada-s - se “fitorja lë pas gjurmë urrejtjeje, mbasi i munduri vuan” dhe se “ta mundësh vetveten është më e vështirë se të fitosh mbi të tjerët”.

Prej këndej, thirrja, me sytë ngulur mbi të tashmen e ndërlikuar:

“Në një botë të shkatërruar nga konfliktet dhe luftërat, si udhëheqës fetarë, të rrënjosur thellë në doktrinat tona përkatëse, e kemi për detyrë të ngjallim në zemrën e njerëzimit vullnetin për të hequr dorë nga dhuna dhe për të ndërtuar kulturën e paqes”.

Ta forcojmë miqësinë, për të mirën e të gjithëve

Tashmë në Mongoli dialogu ndërfetar është i harmonishëm - nënvizoi Françesku - duke kujtuar, më pas, tridhjetë vjetët e pranisë së Kishës Katolike në vendin aziatik. Histori “mjaft e re” - pohoi - dhe me "numra të vegjël", por domethënëse, nëse kujtojmë angazhimin për të “promovuar  kulturën e takimit”:

“Ta forcojmë miqësinë tonë për të mirën e të gjithëve. Mongolia ka një traditë të gjatë bashkëjetese paqësore të feve të ndryshme. Shpresoj se kjo histori e lashtë e harmonisë në larmi mund të vazhdojë edhe sot, nëpërmjet zbatimit të lirisë fetare dhe promovimit të nismave të përbashkëta për të mirën e përgjithshme. Prania juaj sot këtu është në vetvete shenjë shprese”.

Prej këndej, urimi  për “begati e paqe, drejtuar manastireve budiste të Mongolisë, pas ftesës përfundimtare drejtuar të gjithëve për “vazhdimin e dialogut vëllazëror dhe të marrëdhënieve të mira me Kishën Katolike në vend, për kauzën e paqes dhe të harmonisë”.

28 maj 2022, 12:33