Kërko

Koncistori i 27 gushtit do të krijojë 21 kardinaj

Papa njoftoi se do të krijojë kardinaj të rinj: ndërmjet tyre, krerë dikasteresh të Kuries. Gjashtëmbëdhjetë zgjedhës. Pesë italianë, ndërmjet të cilëve, ipeshkvi i Komos Cantoni, ipeshkvi i nderit i Cagliarit dhe profesor Ghirlanda. Më i riu, 48 vjeç, është imzot Marengo, prefekt apostolik i Ulan Batorit, kryeqytet i Mongolisë.

R. SH. - Vatikan

Kardinaj, nga të katër anët e botës! Papa, në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, dha njoftimin për Koncistorin e ri, më 27 gushtin e ardhshëm, për krijimin e kardinajve të rinj. Eshtë Koncistori i tetë i papnisë së Françeskut.

“Të hënën e të martën, më 29 e 30 gusht, do të mbahet takimi i të gjithë kardinajve për të reflektuar mbi Kushtetutën  apostolike Praedicate evangelium (Predikonie Ungjillin) e, të shtunë, më 27 gusht, do të mbaj koncistorin për krijimin e kardinajve të rinj” - njoftoi Papa nga dritarja e Pallatit Apostolik.

Tre krerë dikasteresh

Ndërmjet kardinajve të rinj janë tre krerë dikasteresh të Kuries romake: anglezi Arthur Roche, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor;  koreani Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Kongregatës së Klerit; spanjolli Fernando Vérgez Alzaga, president i Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit dhe Guvernatoratin.

Kardinajtë e rinj

Njëherësh me ta, Françesku lartoi në misionin e kardinalit: Jean Marc Avelin, kryeipeshkëv i Marsilies; Peter Okpaleke, ipeshkëv i Ekwulobia, në Nigeri; Leonardo Steiner, kryeipeshkëv i Manhaus; Filipe Neri António Sebastião do Rosário Ferrão, kryeipeshkëv i Goa e Damao, Indi; Robert W. McElroy, ipeshkëv i San Diegos, SHBA; Virgílio do Carmo da Silva; kryeipeshkëv i Timorit lindor; ipeshkvi i Como-s, Oscar Cantoni; Anthony Poola, kryeipeshkëv i Hyderabad, Indi; Paulo César Costa, kryeipeshkëv i Brasilias; Richard Kuuia Baawobr, kryeipeshkëv i Wa, Ghana; William Goh Seng Chye; kryeipeshkëv i Singaporit; Adalberto Martínez Flores; kryeipeshkëv i Asuncion, Paraguay; Giorgio Marengo, prefekt apostolik i Ulan Bator, kryeqytet i Mongolisë. Ky i fundmi, 48 vjeç,  është më i riu ndërmjet kardinajve të rinj.

 Mbi tetëdhjetat

Me ta do të marrin kësulën e kuqe  edhe pesë shërbëtorë të Zotit me moshë mbi tetëdhjetë vjeç që, për këtë arsye, nuk do të hyjnë në një Konklav të mundshëm. Janë: Jorge Enrique Jiménez Carvajal, kryeipeshkëv nderi i Cartagenë-s (Kolumbi); Lucas Van Looy, ipeshkëv nderi i Gent, Belgjikë; Arrigo Miglio, kryeipeshkëv nderi i Cagliari-t; atë Gianfranco Ghirlanda Si, profesor i Teologjisë; imzot Fortunato Frezza, kanonik i Shën Pjetrit.

“Të lutemi për kardinajtë e rinj që, duke e dëshmuar bashkimin e tyre me Krishtin, të më ndihmojnë në shërbesën e Ipeshkvit të Romës për të mirën e mbarë popullit të Zotit”- tha Papa në përfundim të leximit të listës së kardinajve të rinj.

Përbërja e Kolegjit Kardinalor

Kolegji kardinalor sot përbëhet nga 208 kardinaj, nga të cilët 117 zgjedhës e 91 jo zgjedhës. Më 27 gusht numri i kardinajve do të jetë 229, nga të cilët,132 zgjedhës.

29 maj 2022, 13:35