Kërko

Giovanni Battista Scalabrini (1839-1895) Giovanni Battista Scalabrini (1839-1895)  

Giovanni Battista Scalabrini, apostull i emigrantëve, do të shpallet shenjtor

Papa do të mbledhë koncistorin për kanonizimin e themeluesit të Lum të Misionarëve të Shën Karlit. Në dekretet e publikuara sot, edhe lumnimi i ardhshëm i një laikeje spanjolle dhe shpallja e shtatë të nderuarve të rinj.

R. SH. - Vatikan

Një valë miratimesh për lartimin në nderimet e altarit të ipeshkvit, që njihet kudo në botë si shenjt Pajtor i emigrantëve. Kjo ndodhi pasi Françesku vendosi të mbledhë koncistorin për shenjtërimin e Giovanni Battista Scalabrinit, ipeshkvit të Piacenzës që, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, themeloi Kongregatën e Misionarëve të Shën Karlit, me misionin  e posaçëm për t’i shërbyer migrantëve. Me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, meritoi të quhej “Babai i emigrantëve”.

Kur Giovanni Scalabrini vdiq, më 1 qershor 1905, në solemnitetin e Ngjitjes së Krishtit në Qiell, dëshmia e tij ishte tashmë e pashlyeshme. Ndaj Gjon Pali II e shpalli të lum, në 1997.

Vendimi i Françeskut u shpall sot, gjatë takimit të Papës me kardinalin Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, pas miratimit të votave të favorshme të seancës së zakonshme të kardinajve dhe ipeshkvijve anëtarë të Dikasterit. Data e shenjtërimit do të shpallet me rastin e koncistorit, në të cilin do të shenjtërohet edhe i Lumi Artemide Zatti (Dekret i 9 prillit 2022), laik italian, i emigruar me familjen në Argjentinë në fund të viteve 1800, bashkëpunëtor i salezianëve dhe misionar në Patagoni. U miratuan edhe dekretet për njohjen e një mrekullie, me ndërmjetësimin e laikes spanjolle Maria de la Concepción Barrecheguren y García, dhe virtytet heroike të shtatë shërbëtorëve të Zotit, të cilët bëhen kështu të nderuar.

Do të shpallet e lume edhe një grua laike spanjolle

Do të shpallet e lume edhe Maria de la Concepción Barrecheguren y García (1905-1927), laike spanjolle, e cila vdiq nga tuberkulozi në moshën 22 vjeçare pa mundur të vishte petkun rregulltar, siç dëshironte. Me ndërmjetësimin e saj u krye një mrekulli: u shërua një fëmijë spanjoll 2 vjeç, në vitin 2014.

Të nderuarit e rinj

Të nderuarit e rinj janë shtatë, pesë burra dhe dy gra, ndërmjet të cilëve, edhe një laike polake, Giovanna Woynarowska (1923-1979), infermiere e dalluar për cilësitë e saj në ndihmë të të prekurve nga sëmundje të ndryshme.

Të nderuarit e tjerë janë kryeipeshkvi filipinas Teofilo Bastida Camomot (1914-1988), themelues i Kongregatës së Bijave të Shën Terezës; ipeshkvi italian Luigi Sodo (1811-1895); prifti spanjoll Giuseppe Torres Padilla (1811-1878), bashkëthemelues i Kongregatës së Motrave të Shoqërisë së Kryqit; prifti italian Giampietro di Sesto San Giovanni (në shekull Clemente Recalcati), Frat i Vogël Kapuçin (1868-1913), themelues i Kongregatës së Motrave Misionare Kapuçine të Shën Françeskut të Asizit në Brasilias; meshtari italian Alfredo Morganti (i quajtur Berta), i Urdhërit të Fretërve të Vegjël (1886-1969); murgesha meksikane Marianna e Trinisë së Shenjtë (e lindur Marianna Allsopp González-Manrique,1854, -1933), bashkëthemeluese e Kongregatës së Motrave të Trinisë së Shenjtë.

21 maj 2022, 14:28