Kërko

Papa Gjon Pali I - Papa Luciani Papa Gjon Pali I - Papa Luciani 

Françesku: Vështrimi profetik i Gjon Palit I mbi plagët e botës

Sot gazeta italiane Avvenire botoi parathënien e Papës Françesku, shkruar për librin “Magjsteri.Tekste dhe dokumente të Papës Gjon Pali I”. Vëllimi, përgatitur nga Fondacioni i Vatikanit Gjon Pali I, doli nga Shtëpia Botuese e Vatikanit në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese të Shën Palit.

R. SH. - Vatikan

Sot gazeta italiane Avvenire botoi parathënien e Papës Françesku, shkruar për librin “Magjisteri. Tekste dhe dokumente të Papës Gjon Pali I”. Vëllimi, përgatitur nga Fondacioni i Vatikanit Gjon Pali I, doli nga Shtëpia Botuese e Vatikanit në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese të Shën Palit. Pjesa e parë përmban predikimet, fjalimet, letrat, reflektimet në audiencat e përgjithshme dhe në Engjëllin e Tënzot, mbajtur a shkruar nga Papa Luçiani në 34 ditët e Papnisë së Tij (26 gusht - 28 shtator1978). Së dyti, shënimet dhe reflektimet e Albino Lucianit, shkruar në fletoret e tij të shënimeve gjatë ditëve të pakta në krye të Kishës.

Shkruan Françesku

Gjon Pali I -Albino Luciani qe kryeipeshkëv i Romës vetëm 34 ditë. Përmes Tij, në ato pak javë papnie, Zoti gjeti mënyrën për të na treguar se thesari i vetëm është besimi, besimi i thjeshtë i Apostujve, i propozuar rishtas nga Koncili II Ekumenik i Vatikanit. Këtë e dëshmon çdo faqe e këtij vëllimi, ku mblidhet gjithçka na la trashëgim. Kryesisht fjalimet e mbajtura dhe të shkruara gjatë papnisë Në ato pak ditë, që i jetoi si Pasardhës i Pjetrit, Papa Gjon Pali I foli për fenë, shpresën dhe dashurinë, virtytet kryesore dhuruar njeriut nga Zoti, duke ua kushtuar katekizmat e së mërkurës. Nuk i harroi kurrë të varfrit. Posaçërisht në liturgjinë e kremtuar në Shën Gjonin e Lateranit për marrjen në dorëzim të Katedrës romake - pati cituar formulat dhe lutjet e mësuara si fëmijë për të ripohuar se “shtypja e të varfërve” dhe “grabitja e pagave të punëtorëve” janë mëkate që “kërkojnë gjyq para syve të Zotit”. Nuk i mungoi as vështrimi profetik mbi plagët dhe të këqijat e botës, duke treguar sesa për zemër e ka  paqen Kisha. E dëshmojnë këtë shprehjet e shumta në mbrojtje të paqes në ndërhyrjet e tij publike të atyre ditëve, që mund t’i lexojmë në faqet e këtij libri, në mbështetje të bisedimeve për paqen, mbajtur nga 5 deri më 17 shtator 1978, me të cilat u morën në Camp David, presidenti amerikan Jimmy Carter, presidenti egjiptian Anwar al-Sadat dhe kryeministri izraelit Menachem Begin. Më pas, edhe fjalët drejtuar, më 4 shtator, mbi njëqind përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare, përmes të cilave Papa shprehte besimin se “Kisha, kumtuese e përvuajtur e Ungjillit në të gjithë popujt e tokës, mund të japë ndihmesën e vet të çmuar në krijimin e atmosferës së drejtësisë, të vëllazërisë, solidaritetit dhe shpresës, pa të cilat bota nuk mund të jetojë”. Kështu Papa Luçiani përsëriti se gjëja më urgjente, më në lartësinë e kohëve, kohëve tona, nuk ishte pasojë e njërit nga mendimet apo planet e tij fisnike, por shtegtim i thjeshtë në gjurmët e Apostujve. Në atë fe, të cilën e mori si dhuratë nga familja e tij punëtore e mërgimtare, që e dinte mirë sa djersë duhet derdhur për të sjellë në shtëpi bukën e përditshme. Edhe përvujtërinë e trashëgoi prej njerëzve të familjes, që ecnin me këmbët mbi tokë, jo mbi re! Pastaj pjesë e këtij trashëgimi ishte edhe njohja e vetvetes, jo me poza, por me mirënjohje. Sepse njeriu mund të përvuhet plot mirënjohje vetëm kur provon mëshirën e Jezusit e ndjesën e Tij. Gjë që të ndihmon t’i përgjigjesh me gjithë zemër ftesës së Zotit: “Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë” (Mt 11:29). Kur Papa Luciani vdiq, Óscar Arnulfo Romero - kryeipeshkvi i San Salvadorit, i vrarë në altar, që sot nderohet si shenjtor nga populli i Zotit - pati kremtuar  një Meshë për shpirtin e Papës, më 3 tetor. Me shkurtësinë e papnisë së tij - tha Romero - Gjon Pali I “pati kohë për t’i dhënë botës përgjigjen e shkurtër, por që ia jep vetë Zoti botës së sotme”. Në një kohë kaq të shkurtër, me vdekjen e dy Papëve dhe dy zgjedhjeve papnore – vërejti kryeipeshkvi martir - sytë e mbarë botës u ngulën mbi hierarkinë e Kishës, mbi atë hjeraki, që mban mbi shpatulla njerëzit e brishtë, e që megjithëkëtë, është e thirrur të jetë “shenjë sakramendore hiri, që iu dhrohet njerëzve”. “Në Kishë hierarkia nuk është entitet i izoluar e vetëvendosës. Ajo është në gji të popullit të mbledhur nga Zotit “në shërbim të Mbretërisë së Qiellit e të mbarë botës. Sepse Kisha nuk është qëllim në vetvete, e aq më pak hierakia; hierarkia është për Kishën, e Kisha, për botën”. Kështu mund të themi me plot gojën se Papa “mbështetet nga Ai, që është jeta e pasosur, e pamort, nga Shenjti, Hyjnori: Jezu Krishti, Zoti ynë”. E ky është misteri që shndrit edhe në mësimet  e Gjon Palit I”.

08 maj 2022, 11:37