Kërko

Papa Françesku: të nxitet vëllazërimi, kundër mashtrimit të luftës

Lufta nuk është kurrë zgjidhje, por problem. Këtë theksoi Françesku gjatë takimit të sotëm, në Vatikan, me një delegacion nga B'nai B'rith International, organizatë hebraike themeluar në Nju Jork më 1843, që synon të mbështesë të varfërit dhe të luftojë antisemitizmin. E fortë, thirrja për të kujtuar të kaluarën, që të mund të parandalohet përhapja e sëmundjes

R.SH. - Vatikan

Duke parë konfliktet që copëzojnë botën dhe ekstremizmat e rrezikshme, që vënë në lojë sigurinë e të gjithëve, Papa Françesku kujtoi se dhuna shoqërohet gjithnjë me gënjeshtrën dhe indiferencën!

Ëndrra e Zotit: një botë vëllezërish

Duke takuar delegacionin hebre të B'nai B'rith International, i bëri thirrje kujtesës së përbashkët shpirtërore judaiko-kristiane, duke kujtuar pyetjen që Zoti i drejtoi Kainit, përgjegjës për vrasjen e vëllait të tij Abelit: “Ku është yt vëlla?”. Një provokim ky, edhe për ne sepse “nuk mund ta rigjesh vetveten, pa kërkuar vëllain; e as Amshimin, pa përqafuar të afërmin”:

Ne nuk mund ta zëvendësojmë ëndrrën hyjnore, të përbërë nga një botë vëllezërish, me botën e fëmijëve të vetëm, të dhunshëm dhe indiferentë. Përballë dhunës e përballë indiferencës, Shkrimet e Shenjta na çojnë rishtas tek fytyra e vëllait, tek “sfida e jote”- kujtoi Papa.

Ndihmoni të fundmit

Udha më konkrete për më shumë vëllazëri, është të ndihmosh të voglin, të varfërin, të sëmurin. Nevojtarët kanë të drejtë për ndihmë, solidaritet, shpresë. Të ndihmosh nevojtarët, për hebrenjtë dhe të krishterët, theksoi Papa, “do të thotë  bësh vullnetin e  të Tejetlartit”.

Varfëria ushqen urrejtjen

Duke menduar për konfliktet e shumta dhe ekstremizmat e rrezikshme, që kërcënojnë jetën e të gjithëve”, shtoi Ipeshkvi i Romës, arrijmë në përfundimin se “shkaku më i madh i rrezikut është varfëria materiale, arsimore dhe shpirtërore, e cila shndërrohet në truall pjellor për të ushqyer urrejtjen, zemërimin, zhgënjimin dhe radikalizmin:

“Ne jetojmë në një epokë në të cilën paqja kërcënohet në të katër anët e botës: perspektivat partikulariste dhe nacionaliste, të nxitura nga interesat egoiste dhe lakmia për përfitime, duket sikur duan të marrin hov gjithnjë e më shumë. Por kjo, në fund të fundit, thellon rrezikun që të humbasë dhe të nëpërkëmbet vetëm dinjiteti njerëzor”.

Kujtesa, kundër gënjeshtrave të dhunës

Prej këndej, thirrja për të kujtuar të kaluarën, luftërat, Shoah e shumë e shumë mizori të tjera, që të mund të parandalohet shkallëzimi. Në çdo traditë fetare apo shoqëri njerëzore - vërejti Françesku - fshihet rreziku i pakënaqësisë dhe i grindjes, madje edhe në emër të parimeve absolute dhe të shenjta:

“Është tundimi gënjeshtar i dhunës, e keqja e strukur në derën e zemrës (krh. Zan 4,7). Është mashtrimi sipas të cilit mosmarrëveshjet zgjidhen me dhunë dhe luftë. Në vend të kësaj, dhuna lind gjithnjë më shumë dhunë, armët prodhojnë vdekje e lufta nuk është kurrë zgjidhje, por problem e  shpartallim”.

Dialog hebraiko-katolik në zemër

“Së bashku për të mbrojtur njerëzit më të brishtë dhe më të harruar, për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për të kërkuar paqen, drejtësinë dhe mbrojtjen e krijimit”.

Për këtë i bëri thirrje Papa B’nai B’rith International, e cila me Selinë e Shenjtë - vëren ai - “ka një histori të gjatë kontaktesh që nga publikimi i Deklaratës Konciliare “Nostra aetate”. Françesku shprehu kënaqësinë për praninë e delegacionit hebre në Vatikan, pas dy vitesh pandemie. Lidhur me këtë, kujtoi shokët hebrenj të shkollës kur ishte fëmijë dhe komentoi:

“Jam gjithnjë i interesuar ta nxis dhe ta thelloj dialogun hebraiko-katolik”.

30 maj 2022, 13:45