Kërko

Pro Life në shesh: "Kemi mbështetjen e Papës" Pro Life në shesh: "Kemi mbështetjen e Papës" 

Papa: jeta është dhuratë nga Zoti, jo pasuri për t'u manipuluar

Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa, duke përshëndetur manifestimin e djeshëm “Të zgjedhim jetën”, organizuar në Romë, kujtoi se jeta është “e shenjtë dhe e pacenueshme dhe se nuk mund ta bëjmë të heshtë zërin e ndërgjegjes”.

R. SH. - Vatikan

Fjalët plot vendosmëri, ato që përdori Papa pas lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore. Ati i Shenjtë përsëriti se njeriu nuk mund ta bëjë të heshtë ndërgjegjen përballë veprimeve që fyejnë jetën e mendësisë, që  nxit të konsiderohet si diçka që mund të përdoret sipas dëshirës. Këtë theksoi Papa duke përshëndetur manifestimin kombëtar italian, që u organizua e në Romë, me titull “Zgjedhim jetën”:

“Ju falënderoj për angazhimin tuaj në favor të jetës dhe në mbrojtje të kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, ushtrimi i të cilit synohet shpesh të kufizohet. Fatkeqësisht, vitet e fundit ka pasur një ndryshim në mendësinë e përbashkët dhe sot jemi gjithnjë e më të prirur të mendojmë se jeta është   pasuri që na përket plotësisht e se mund ta manipulojmë sipas dëshirës, se mund edhe të lindim a të vdesim sipas dëshirës, si të ishte pasojë e zgjedhjes sonë individuale”.

Jeta është e shenjtë

Françesku kujtoi se jeta është ende hir, gjë që nuk duhet harruar kurrë! E edhe se është dhuratë nga Zoti:

“Ndaj është gjithnjë e shenjtë dhe e pacënueshme e nuk mund ta bëjmë të heshtë zërin e ndërgjegjes”.

Në përfundim, Papa kujtoi edhe lumnimin, sot pasdite, në Lion, të Pauline Maria Jaricot, themeluese e Veprës të Përhapjes së Fesë për mbështetjen e misioneve:

 “Grua e guximshme, e vëmendshme ndaj ndryshimeve të kohës – e quajti Papa - me vizion universal të misionit të Kishës”.

 Java Laudato si'

Një mendim papnor edhe për Javën “Laudato Si'”që u hap sot “për të dëgjuar gjithnjë më me kujdes britmën e Tokës - theksoi – e cila na nxit të   kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët. Këtë mëngjes, në një postim në Twitter në faqen e internetit @Pontifex, Papa bëri thirrje për të shpejtuar, sepse “Thirrja e tokës dhe klithma e të varfërve nuk mund të presin më. Duhet, prandaj, të kujdesemi për krijimin, dhuratë nga Zoti ynë i mirë Krijues. E ta festojmë së bashku Javën Laudato Si!”

Takimet

Duke filluar që sot dhe deri më 29 maj, rikthehet Java “Laudato Si’”, nismë e promovuar nga Dikasteri për Zhvillimin Njerëzor, në përvjetorin e shtatë të enciklikës së Papës Françesku. Takimet do të përqendrohen të gjitha rreth konceptit të ekologjisë integrale, duke përfshirë temat: biodiversiteti, konfliktet, kriza klimatike, mirëpritja e të varfërve. “Përgjigjja britmës së tokës” është tema e së hënës më 23 maj, me një takim që do të transmetohet drejtpërdrejt nga Universiteti Katolik Australian i Romës. Të enjten, 26 do të trajtohet çështja e adoptimit të stileve të qëndrueshme të jetesës: investimet, në përputhje me besimin. Java do të përfundojë të dielën, më 29 maj, me temën e qëndrueshmërisë dhe fuqizimit të bashkësisë, si pjesë e udhës sinodale. Pasdite, një mbledhje lutjeje.

Programi i plotë i Javës Laudato Si, i botuar në LaudatoSiWeek.org - përfshin ngjarje në Ugandë, Itali, Irlandë, Brazil dhe Filipine. Mund të vizitohen gjithashtu kanalet Facebook dhe YouTube të Lëvizjes Laudato Sì’.

22 maj 2022, 14:18