Kërko

Papa Françesku dhe Angelo Sodano Papa Françesku dhe Angelo Sodano  

Françesku: Sodano, bir i dashur e shembullor i Kishës

Në një mesazh prekës ngushëllimi, Papa kujton shërbimin e gjatë në Selinë e Shenjtë, kryer nga kardinali Sodano, që ndërroi jetë mbrëmë, në moshën 94-vjeçare. E jetoi misionin si bari me përkushtim e disiplinë.

R. SH. - Vatikan

“Edhe unë munda të përfitoj nga dhuratat e mendjes dhe të zemrës së tij, veçanërisht gjatë kohës kur kryente detyrën e dekanit të Kolegjit të Kardinajve”. Ndërmjet rreshtave të telegramit, spikat ky kujtim personal i Papës Françesku për figurën e kardinalit Angelo Sodano, i cili u shua mbrëmë në Romë në Columbus-Hospital-Gemelli, ku ishte shtruar për pneumoni, pas prekjes nga Covid.

Kudo tharmi i Ungjillit

“Vdekja e kardinalit Angelo Sodano ngjall në shpirtin tim ndjenja mirënjohjeje ndaj Zotit për dhuratën e këtij njeriu të nderuar të Kishës, i cili e jetoi bujarisht meshtarinë”- shkruan Françesku në krye të mesazhit  të gjatë, në të cilin kujton dhe nënvizon “përgjegjësitë e rëndësishme” që pati Prelati i lartë në gjirin e diplomacisë së Vatikanit, “deri në detyrën delikate të sekretarit të Shtetit”, kryer ndërmjet viteve 1991 dhe 2006, si dhe “zellin” me të cilin nxiti “dialogun dhe pajtimin” në përfaqësitë papnore të Quitos, Ekuadorit, Uruguait dhe Kilit. “Në Kurien Romake - vazhdon Papa - e kreu me përkushtim shembullor misionin e tij, çdo detyrë që iu ngarkua, e kreu si njeri i disiplinuar kishtar, bari i dashur, i nxitur nga dëshira për ta përhapur kudo tharmin e Ungjillit”.

Telegrami i Françeskut, drejtuar motrës së tij, Maria Sodano, përfundon me lutjet për kardinalin, afërsinë me familjen e tij dhe me bashkësinë e Astit, ku kardinali Sodano filloi rrugën e meshtarisë. Në përfundim, një mendim të veçantë, mirënjohës për Motrat e Shën Martës dhe për ata, që e ndihmuan me dashuri.

Të martën, Mesha e Dritës

Të martën, 31 maj 2022, në orën 11.00, në Altarin e Bazilikës së Shën Pjetrit do të kremtohet Mesha e Dritës e kardinalit Angelo Sodano, Sekretar nderi i Shtetit të Vatikanit  dhe Dekan nderi i Kolegjit Kardinalor.  Meshën për shpirtin e të ndjerit do ta kremtojë  kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit, në bashkëkremtim me kardinaj, kryeipeshkvij e ipeshkvij.  Në përfundim të Kremtimit Eukaristik, Ati i Shenjtë Françesku do të kryesojë ritin e Ultima Commendatio (të lëshimi në dorë të Zotit) dhe të Valedictio (lamtumirës së fundit).

28 maj 2022, 11:08