Kërko

Papa Françesku, punëtorëve Papa Françesku, punëtorëve  

1 Maji: thirrjet e Papës për dinjitetin dhe të drejtat e punëtorëve

Në këtë ditë, kur Kisha kremton festën e Shën Jozefit, zdrukthatarit, rikujtojmë fjalët e Françeskut për njerëzit që dërsijnë në botën e madhe të punës. Në një Twitter, Papa kujton fatin e Marisë, Jozefin, dhe të gjithë ata, që janë të padukshëm a në sfond, ndonëse të domosdoshëm për jetën”.

R. SH. - Vatikan

Punonjës sipërmarrjesh, detarë, zyrtarë, punëtorë… Papa Françesku, gjatë papnisë së Tij, është takuar vazhdimisht me punëtorët.Në fjalimet kushtuar kësaj teme, një aspekt qendror lidhet gjithmonë me dinjitetin e punës, që duhet çliruar nga logjika e fitimit. Puna duhet të përjetohet si e drejtë e si detyrë. E, mbi të gjitha, si domosdoshmëri, pa të cilën nuk mund të kuptohet as vetë jeta! Në këtë ditë, në të cilën Kisha kremton Shën Jozefin punëtor, Papa shkruan, në një Twitter:

“Shën Jozefi na kujton se të gjithë ata që në dukje janë të fshehur ose në ‘plan të dytë’, kanë një protagonizëm të pashembullt në historinë e shëlbimit. Të gjithë meritojnë  falënderim e mirënjohjeje”.

Familje punëtorësh

“Kisha dhe puna kanë qenë e janë gjithnjë mike, duke nisur nga Jezusi, edhe Zoti, punëtor”. Në takimin me punëtorët, gjatë vizitës së tij baritore në Gjenovë, më 27 maj 2017, Papa pati nënvizuar se “puna është detyrë njerëzore e dorës së parë” e, si pasojë “edhe detyrë e krishterë”: “Ku ka një punëtor, aty është edhe vështrimi plot dashuri i Zotit dhe i Kishës”. Me atë rast, Papa pati kujtuar edhe virtytet e sipërmarrësve, e në veçanti gjatë një takimi  në Shtëpinë e Shën Martës.

Papa kujton takimin me një sipërmarrës

Kujton Papa : “Në përfundim të njërës nga Meshët në Shën Martë, në orën 7 të mëngjesit, në dalje përshëndes njerëzit, që më presin. Më afrohet një burrë. Po qante. E, me lot në sy, më tha: “Erdha të kërkoj hir: jam në një çast tejet të vështirë, kur duhet të deklaroj falimentimin. E kjo do të thotë të pushoj nga puna rreth gjashtëdhjetë punëtorë. Më duket sikur po pushoj vetveten”. Fliste burri i madh e qante si fëmijë. Ky është sipërmarrës i mirë. Që lufton e lutet për njerëzit e tij, sepse ata janë “të tijtë”: “Është familja ime”- thoshte mes lotëve.

Larg shtëpisë dhe njerëzve të dashur

Ka raste kur puna ndërthuret me çështje të paparashikuara, si ato të krijuara nga pandemia. Në videomesazhin e vitit 2020 për punëtorët e detit, Françesku kujton se flijimeve të shumta, të krijuara nga urgjenca shëndetësore, u shtohen edhe ngarkesa të tjera: distanca nga familjarët, nga miqtë, nga vendi i tyre. Ungjilli - thekson më pas Papa - na flet “për Jezusin me dishepujt e tij të parë, të cilët ishin të gjithë peshkatarë”. E u kujton se puna e tyre si detarë dhe peshkatarë është bërë edhe më e rëndësishme për të siguruar ushqime dhe për të plotësuar nevoja të tjera bazë për familjen e madhe njerëzore. Françesku u shpreh mirënjohjen për këtë, për flijimet, ngujimin ndër anije, pa mundur të dalin gjatë në breg, larg nga familja, miqtë dhe atdheu, me frikën e infektimit. Të gjithë këta elementë janë një barrë e rëndë për t’u mbartur, tani më shumë se kurrë -  u qan hallin Papa detarëve - duke u kujtuar se nuk janë vetëm, as të  harruar. “Puna juaj - i siguron - shpesh ju mban larg, por duhet ta dini se jeni gjithnjë të pranishëm në lutjet dhe mendimet e mia”.

Gjatë papnisë së tij, Papa Françesku ka bërë thirrje të shumta, duke shpresuar gjithmonë se mosmarrëveshjet dhe situatat delikate lidhur me jetën dhe të ardhmen e kompanive dhe bizneseve, mund të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për mbrojtjen e perspektivave dhe të vendeve e punës.

Pa punë nuk ka jetë

Nuk ka asnjë skaj as skutë të jetës së punëtorëve, ku nuk hyri fjala e Papës, shqetësimi i tij atëror, vlerësimi i punës njerëzore, që nga sipërmarrjet e mëdha, që mbajnë gjallë jetën e kombeve, tek punishtet e vogla, si ajo e Shën Jozefit, pa të cilat nuk mund të kuptohet njerëzimi, e as t’i bëjë ballë jetës,  e cila nuk mund të mbahet në këmbë, pa punën e njeriut!

01 maj 2022, 12:20