Kërko

1648812506762.JPG

Papa u kërkon falje indigjenëve kanadezë: indinjatë dhe turp për kolonizimin

Françesku takohet me delegacionet e popujve indigjenë të Kanadasë, pritur gjatë javës në tri audienca të ndryshme dhe, shpreh dhimbjen për tragjedinë e çrrënjosjes së kaq shumë njerëzve dhe familjeve nga trojet dhe kulturat e tyre. E, për të shprehur më shumë afërsinë e tij, njofton se do të shkojë në udhëtim në vend

R.SH. - Vatikan

Indinjatë e turp për gabimet e katolikëve në Kanada: këto janë ndjenjat, që u shprehu Papa Françesku delegacioneve të popujve indigjenë, pritur sot në audiencë në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Papa u takua ditët e fundit, tri herë, me përfaqësuesit e Inuit, Métis dhe Kombeve të Para, në kuadrin e udhës për shërimin e pajtimin, nisur në Kanada, me synimin për t’u siguruar drejtësinë viktimave të të ashtuquajturave “shkolla rezidenciale”, themeluar nga qeveria, e cila ua besoi, një shekull më parë, Kishave të krishtera, përfshirë Kishën Katolike. Ati i Shenjtë pohoi se “pa indinjatë, pa kujtesë dhe pa impenjimin për të mësuar nga gabimet, problemet nuk zgjidhen e, edhe kthehen”. Më pas, kujtoi luftën në Ukrainë e shtoi se “nuk duhet të flijohet kurrë kujtimi i së kaluarës në altarin e zhvillimit” a të atij, që supozohet si i tillë. Pastaj, theksoi:

“Jua kam thënë dhe po e përsëris: ndiej turp, dhimbje e turp për rolin që patën disa katolikë, veçanërisht, ata me përgjegjësi edukative, në gjithçka ju ka plagosur, në abuzimet e në mungesën e respektit për identitetin, kulturën e madje, edhe për vlerat tuaja shpirtërore. Kjo është kundër Ungjillit të Krishtit”.

Dhimbja e Papës për ngjarjet e së kaluarës

 Papa Françesku i kërkoi falje Zotit për qëndrimin e disa anëtarëve të Kishës Katolike e më pas, nënvizoi:

“Dua t’ju them nga zemra: jam shumë i pikëlluar. E, bashkohem me vëllezërit ipeshkvij kanadezë, duke ju kërkuar falje. Është e qartë se nuk mund të transmetohet përmbajtja e fesë në një mënyrë, që s’është e fesë: Jezusi na mësoi të mirëpresim, të duam, të shërbejmë dhe të mos gjykojmë; është e tmerrshme kur, pikërisht në emër të fesë, jepet një lloj kundër-dëshmie e Ungjillit”.

Tragjedia e kolonizimit

Papa Françesku e quan tragjedi çrrënjosjen e indigjenëve kanadezë përmes kolonizimit, i cili, pa respekt, i shkëputi shumë prej tyre nga ambienti i natyrshëm jetësor dhe u përpoq t’i uniformojë me një mendësi tjetër. Kështu, shumë familje u ndanë, “shumë të rinj u bënë viktima të kësaj vepre homologuese, mbështetur në idenë se zhvillimi arrihet përmes kolonizimit ideologjik, sipas programeve të studiuara në tryezë, në vend që të respektohet jeta e popujve”. Edhe sot, denoncoi Papa, ndodh shpesh kështu: “sa kolonizime politike, ideologjike dhe ekonomike ka ende në botë, shtyrë nga lakmia, nga etja për fitim, pa pyetur për popullsitë, historitë dhe traditat e tyre”.

“Fatkeqësisht, kjo mendësi koloniale është akoma shumë e përhapur. Ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta kapërcyer”.

Vuajtjet e popujve indigjenë

 Gjatë gjithë javës, në tri audienca të veçanta, Papa i dëgjoi me trishtim të madh historitë e vuajtjeve, të privimeve, të trajtimit diskriminues e të abuzimit, që pësuan indigjenët kanadezë para një shekulli. Françesku nënvizoi se kështu arriti “t’i prekë me dorë dhe t’i bartë në shpirt” këto tregime.

“Është rrëqethëse të mendosh se deshën t’ju rrënjosin ndjenjën e inferioritetit, t’i bënin disa prej jush të humbisnin identitetin kulturor, t’ua prisnin rrënjët, me të gjitha pasojat personale dhe shoqërore, që ka sjellë e vazhdon të sjellë kjo: trauma të pashëruara, që janë shndërruar në trauma ndërmjet brezave”.

Të vijohet udha në kërkim të së vërtetës

Ati i Shenjtë Bergoglio uroi që takimet e këtyre ditëve të hapin rrugë të përbashkëta, të inkurajojnë e ta nxisin impenjimin në nivelin lokal. Kërkoi veprime konkrete, duke siguruar mbështetjen e ipeshkvijve dhe të gjithë katolikëve për të nxjerrë në dritë të vërtetën e për të gjallëruar sërish kulturën e indigjenëve. “Dua t’ju them - përfundoi  duke iu drejtuar bashkësive indigjene kanadeze - se Kisha është me ju dhe dëshiron të vazhdojë udhën me ju. Dialogu është çelësi për t’u njohur e për t’u kuptuar, prandaj, ipeshkvijtë e Kanadasë e kanë shprehur qartë impenjimin e tyre për të ecur së bashku, në një rrugë të përtërirë, konstruktive dhe frytdhënëse”.

Së shpejti, një udhëtim në Kanada

Së fundi, Papa Françesku njoftoi se do të shkojë së shpejti në Kanada për të vizituar ato troje e për t’ua shprehur më mirë afërsinë e tij popullsive vendase.

01 prill 2022, 16:24