Papa takon Institutin Papnor Teutonik: meshtarët të jenë njerëz, që falin shumë
R.SH. - Vatikan
500-vjetori i zgjedhjes së Papës Adriani VI, i parafundit ardhur nga bota gjermane, ishte rasti i takimit të sotëm të Atit të Shenjtë Françesku me bashkësinë e Institutit Papnor Teutonik, në kishën e të cilit – Shën Maria e Shpirtit, në Romë – është varrosur Papa. Para se t’i këshillonte meshtarët të tregojnë kujdes për Sakrementin e Pajtimit (Rrëfimit e të Pendesës), duke u vënë në dispozicion të besimtarëve, Bergoglio përmendi historinë e Adrianit VI.
Kush ishte Papa Adriani VI
Adrian Florensz u lind në Utrecht, i cili atëherë ishte pjesë e Perandorisë së Shenjtë Romake të Kombit Gjerman. U arsimua në Universitetin e Leuven dhe u bë mësues i perandorit të ardhshëm Karli V. Pasi kreu detyra të rëndësishme kishtare dhe politike, u krijua kardinal në vitin 1517. Kur i erdhi lajmi për zgjedhjen e tij si Ipeshkëv i Romës, në fillim hezitoi, por ndjenja e detyrës e bëri të pranojë.
“Në papninë e tij të shkurtër, që zgjati pak më shumë se një vit, - vuri në dukje Papa Françesku - ai kërkoi sidomos pajtimin në Kishë dhe në botë, duke vënë në praktikë fjalët e Shën Palit, sipas të cilave Zoti ua besoi shërbimin e pajtimit pikërisht apostujve (shih 2 Kor 5,18ss). Kështu, dërgoi Nuncin Chieregati në Dietën (takimin për paqe) e Nurembergut për ta pajtuar Luterin dhe pasuesit e tij me Kishën, duke kërkuar shprehimisht falje për mëkatet e prelatëve të Kuries Romake”.
“Kërkoni pajtimin, kujdes Sakramentin e Rrëfimit”
Mjaft aktiv edhe në sferën politike, Papa Adriani VI u impenjua për marrëveshjen ndërmjet dy fuqive kufitare, Francës, me mbretin Françesku I dhe vetë Perandorisë, me perandor Karlin V të Habsburgëve, në mënyrë që së bashku t’u bënin ballë otomanëve. Për shkak të vdekjes së tij të parakohshme, nuk arriti t’i çojë deri në fund këto plane. Por, nënvizoi Papa Françesku gjatë takimit, dëshmia e tij mbeti e gjallë në kujtesën e Kishës. Ati i Shenjtë e ftoi bashkësinë e Institutit Papnor Teutonik të marrë shembull nga Adriani VI, sidomos nga dëshira e tij për të pajtuar deri vende e perandori. Për këtë, Ati i Shenjtë i këshilloi meshtarët e bashkësisë të jenë mbarështues të denjë të Sakramentit të Rrëfimit e të Pendesës.
“Detyra e rrëfyesit është të falë, jo të torturojë – theksoi Papa Françesku. - Jini të mëshirshëm, njerëz që falin shumë, kështu ju do Kisha. Kjo do të thotë të gjeni kohë për të dëgjuar rrëfimet, dhe ta bëni këtë mirë, me dashuri, me mençuri, me shumë mëshirë. E jo vetëm kaq! Kjo shërbesë përfshin edhe predikimin, katekizmin, shoqërimin shpirtëror; e, para së gjithash, kërkon dëshmi, si gjithmonë. Për të qenë mbarështues i mirë i faljes së Krishtit, meshtari duhet të dijë t’i falë të tjerët; duhet të jetë i mëshirshëm në marrëdhëniet personale, të jetë njeri i paqes, i bashkimit”.
Së fundi, Papa i përshëndeti duke i bekuar e duke kërkuar ndihmën e Zojës për punën e tyre. Po sot, në Kolegjin teutonik në Vatikan, kjo bashkësi organizoi një takim mbi metrikën e re të vlerësimit të ndërmarrjeve, frymëzuar nga doktrina shoqërore e Kishës, ashtu siç paasqyrohet nga Ati i Shenjtë në enciklikën “Laudato sì”, ku promovohet zhvillimi i plotë i njeriut dhe mbrojtja e së mirës së përbashkët në këndvështrimin e ekologjisë së gjithanshme.