Kërko

Papa me studentët irlandezë Papa me studentët irlandezë 

Papa, studentëve irlandezë: në universitet promovoni kulturën e vërtetë të takimit

Mos kaloni pranë njerëzve, por “ndaluni” e “merruni me ta”. Kështu realizohet “kultura e takimit” që Papa Françesku ua beson si mision kryesor studentëve të Kapelanisë Katolike të Queen's University në Belfast të Irlandës, pritur sot në Pallatin Apostolik.

R.SH. - Vatikan

Jo vetëm të shohësh, por “të shikosh”. Jo vetëm të dëgjosh, por “ta vësh mirë veshin”. Mos kaloni pranë njerëzve, por “ndaluni” e “merruni me ta”. Kështu realizohet “kultura e takimit” që Papa Françesku ua beson si mision kryesor studentëve të Kapelanisë Katolike të Queen's University në Belfast të Irlandës. Një grup prej 25 djemsh dhe vajzash u  prit sot paradite në Pallatin Apostolik, me rastin e pesëdhjetëvjetorit të Kapelanisë së Universitetit.

Takojini ata, që i keni pranë

Papa foli lirisht me të rinjtë irlandezë, duke dëgjuar pyetjet dhe dëshirat e tyre. Në fjalimin, që ua dorëzoi, u kërkon ta thellojnë mirëkuptimin, ta vlerësojnë “pasurinë intelektuale dhe shpirtërore të traditës katolike” e, njëkohësisht, të kultivojnë “kulturën e takimit ndërmjet tyre e edhe në bashkësinë universitare”, “me frymë të vërtetë ungjillore".  Sepse gjithçka nis nga takimi - kujtoi Papa - edhe vetë besimi i krishterë “është takim me Jezu Krishtin”:

“Nëse besojmë vërtet në Jezusin, duhet të përpiqemi të sillemi si Jezusi: t’i takojmë të tjerët, t’i takojmë ata që kemi pranë, të ndajmë me ta të vërtetën shëlbuese të Ungjillit. Si njerëz, e sidomos si të krishterë, u krijuam në një mënyrë të tillë, që nuk mund të jetojmë, të rritemi dhe të përsosemi ndryshe, përveçse duke kërkuar të vërtetën dhe duke ua dhuruar sinqerisht vetveten  të tjerëve”.

Një karvan solidar

Papa u kërkoi studentëve angazhim personal: “Jo vetëm të shohësh, por të shikosh; jo vetëm të dëgjosh, por “ta vësh mirë veshin”; jo vetëm të takosh apo të kalosh pranë njerëzve, por të ndalesh dhe të merresh me ta për gjërat që kanë vërtet rëndësi”. Por përtej angazhimit, vazhdoi Françesku, të “ngazëllen” dëshira për të ndarë udhëtimin tënd me të tjerët:

“Ne e mbështesim njëri-tjetrin në kërkimin e së vërtetës dhe përpiqemi të thurim një rrjet marrëdhëniesh, që mund ta bëjnë jetën tonë të përbashkët përvojë të vërtetë vëllazërimi, karvan solidariteti, shtegtim të shenjtë”.

Prandaj, secili mund të bëhet në mënyrën e vet, “pionier i kulturës së takimit në mjediset universitare”, për të kontribuar kështu “në mbajtjen gjallë të traditave fisnike irlandeze të mikpritjes, pajtimit, besnikërisë ndaj Ungjillit dhe këmbënguljes në kërkimin e shenjtërisë.

Në përfundim të bisedës, fjalët prekëse, për të mos u harruar:

 “Uroj të jeni gjithnjë bashkësi feje dhe miqësie, në zemër të kampusit universitar”.

25 prill 2022, 13:22