Kërko

Papa në Maltë: "Jeni një ishull i vogël, por me zemër të madhe, një thesar në Kishë"

“Pritja është provë vendimtare dhe e pakundërshtueshme për të verifikuar se çfarë është në të vërtetë Kisha e përshkuar nga fryma e Ungjillit”. Kёtё e nënvizoi Papa në predikimin e tij, sot pasdite, në Shenjtëroren mё tё famshme tё Maltёs, nё Gozo

R.SH. - Vatikan

Takimi i fundit sot pёr Papёn Françesku në Maltë, është ai i lutjes në Shenjtëroren kombëtare Ta 'Pinu tё Maltёs. “Pritja është provë vendimtare dhe e pakundërshtueshme për të verifikuar se çfarë është në të vërtetë Kisha e përshkuar nga fryma e Ungjillit”. Kёtё e nënvizoi Papa në predikimin e tij, sot pasdite, në Shenjtëroren e famshme tё Maltёs, nё Gozo.

"Ne nuk mund ta mirëpresim vetëm njëri-tjetrin, nën hijen e Kishave tona të bukura, ndërsa jashtë shumë vëllezër e motra vuajnë dhe kryqëzohen nga dhimbja, mjerimi, varfëria e dhuna", tha Papa Françesku. "Ju jeni në një pozicion gjeografik vendimtar, me pamje nga Mesdheu si një pol tërheqjeje dhe një strehë shpëtimi për kaq shumë njerëz të përndjekur nga stuhitë e jetës që për arsye të ndryshme mbërrijnë në brigjet tuaja.

Në fytyrën e këtyre njerëzve të varfër është vetё Krishti që prezantohet para jush". “Ja ky është Ungjilli që jemi thirrur ta jetojmë: të mirëpresim, të jemi ekspertë të humanizmit, të ndezim zjarret e përdëllimit, tё mirësisë kur tё ftohtit e jetës u kërcënohet atyre që vuajnë”, përfundoi Papa.

“Kriza e fesё, apatia e praktikës së besimit, veçanërisht në post-pandeminë dhe indiferenca e shumë të rinjve ndaj pranisë së Zotit, nuk janë çështje që duhet t’i ‘zbusim’, duke menduar se në fund të fundit njëfarë shpirti fetar ende i reziston. Jo". Kështu u shpreh akoma Papa Françesku në takimin e lutjes në Shenjtëroren e Ta 'Pinu, të Gharb, në ishullin Gozo (Maltë). "Nganjëherë, në fakt, dukja mund të jetë fetare, por pas kësaj veshjeje feja plaket", paralajmëroi Papa.

Papa Bergoglio kujtoi se Kisha malteze "mburret me një histori të çmuar nga e cila mund të nxjerrë kaq shumë pasuri shpirtërore dhe baritore". Sidoqoftë, jeta e Kishës – duhet ta kujtojmë gjithmonë - nuk është kurrë thjesht 'një histori e kaluar për t'u kujtuar', por një 'e ardhme e madhe për t'u ndërtuar', e bindur ndaj planeve të Zotit.

Nuk mund tё mjaftohemi me njё fe tё pёrbёrё nga doke tё trashëguara, nga kremtime solemne, raste të bukura popullore, momente të forta dhe emocionuese; ne kemi nevojë për një fe që themelohet dhe ripërtërihet në takimin personal me Krishtin, në dëgjimin e përditshëm të Fjalës së tij, në pjesëmarrjen aktive në jetën e Kishës, në shpirtin e pёrshpirtёrisё popullore”.

02 prill 2022, 19:55