Kërko

Papa në lutje me të rinjtë italianë: guxim, pa e humbur pasionin për të Vërtetën

Me Marinë, adoleshente si ju kur i tha “po” Zotit, përsërisni “Ja ku jam”. Kështu Papa, duke folur para njëqind mijë të rinjve në Sheshin e Shën Pjetrit, në takimin e kërkuar nga ipeshkvijtë italianë. Ai i dëgjoi, u lut me ta, duke ia besuar të ardhmen Virgjërës dhe i inkurajoi të mos kenë frikë nga jeta, përkundrazi ta dhurojnë atë, duke e kapërcyer frikën me ndihmën e të afërmve

R.SH. – Vatikan

Më se një orë dialog dhe lutje me Papën, këngë, përvoja e dëshmi jete, përjetuar mbrëmë në dritën e Ungjillit sipas Gjonit (21,1-19), ku flitet për peshkimin e mrekullueshëm të shtatë dishepujve – dukja e tretë e Krishtit të Ringjallur pas Pashkëve. Ashtu si dishepujt rreth Jezusit, atë natë në liqenin e Tiberiadit, edhe adoleshentët u mblodhën dje pasdite rreth Papës për të ripërtërirë “po”-në e tyre për Zotin. Pikërisht kjo nismë, “#Ndiqmë”, mbylli mbrëmë, në të Hënën e Pashkëve, shtegtimin e të rinjve, më se 100 mijë vetë nga të gjitha dioqezat italiane në Sheshin e Shën Pjetrit, mbushur me entuziazëm, siç nuk ndodhte prej kohësh, për shkak të pandemisë. Por, adoleshentët e moshës 12-17 vjeç kishin në sy edhe tmerret e luftës në Ukrainë e Papa i kujtoi të dyja këto realitete, menjëherë pas festës së tyre të pasdites, me të ftuar të mirënjohur, si për shembull këngëtari Blanco, fitues i Festivalit të Sanremos.

Jezusi na sfidon e na nxit ta kapërcejmë frikën

Kur e mori fjalën, Papa Françesku kishte dëgjuar përvojën e Samuelit, të Sofisë, të Aliçes e të një Samueli tjetër, tregimin e tyre për kalimin nga “errësira” – jetuar për vdekjen e dikujt, për sëmundjen, për “dëshirën e paktë për jetën” – në dritën e dashurisë, siç u ndodhi dishepujve në liqen, që të habitur, nxorën rrjetat plot me peshq. Ati i Shenjtë dëgjoi edhe Mattia Piccoli-n, 12-vjeçarin (Flamurtar i Republikës Italiane), që ndihmon të atin e sëmurë me Alzheimer. Kjo përvojë “errësire”, nënvizoi Papa, është si ajo e dishepujve, kur, të dëshpëruar, mendonin se rrjetat nuk do të kapnin gjë, por befasohen nga Jezu Krishti, i cili bën mrekullinë e mbushjes së rrjetave me peshq. E Ati i Shenjtë u vuri në dukje të rinjve:

“Nuk duhet pasur turp për të thënë: kam frikë nga errësira! Të gjithë kemi frikë nga errësira. Frika duhet pohuar, frika duhet shprehur për ta dëbuar më pas. Kujtojeni këtë: frika duhet shprehur. Kujt? Babait, mamasë, mikut, shoqes, dikujt, që mund t’ju ndihmojë. Ajo duhet të dalë në dritë. Dhe kur frika, që është në errësirë, del në dritë, e vërteta shpërthen. Mos u shkurajoni”.

Mos kini frikë nga jeta, por nga vdekja e shpirtit

Papa Françesku u tha të rinjve të ndjekin shembullin e Gjonit, i cili e kuptoi i pari se në buzë të liqenit ishte pikërisht Jezu Krishti, por edhe atë të Pjetrit, që, me guxim, hidhet në ujë për ta takuar Zotin, pavarësisht se e pati mohuar tri herë me radhë. Adoleshentët kanë shpesh një lloj “nuhatjeje”, që u mungon të rriturve, nënvizoi Ati i Shenjtë: nuhatjen për të gjetur Zotin, nuhatjen për të Vërtetën. “Ju uroj të keni nuhatjen e Gjonit e guximin e Pjetrit”, u tha Papa. Me këto dy cilësi duhet përballuar jeta, theksoi Françesku, duke folur pa letër:

“Kini frikë nga vdekja, vdekja e shpirtit, vdekja e së ardhmes, mbyllja e zemrës: nga kjo të keni frikë. Por nga jeta, jo: jeta është e bukur, jeta është për t’u jetuar e për t’ua dhuruar të tjerëve, jeta është për t’u ndarë me të tjerët”.

Me Marinë, të përsërisim: “Ja ku jam!”

Së fundi, Papa ua besoi adoleshentët Zojës, pasi ajo është nënë – nënvizoi - e ashtu si nënat, e thërrasim në vështirësi. Shën Maria Virgjër i mësoftë të rinjtë t’i thonë gjithnjë Zotit “Ja ku jam!”, uroi Ati i Shenjtë, i cili e përfundoi mbrëmjen me lutjen para fugures së Zojës Salus Populi Romani e me Besojmën e Fesë, para se t’u jepte të gjithëve bekimin e tij apostolik.

19 prill 2022, 09:36