Kërko

Ukrainë Ukrainë 

Papa: kush mund ta ndalojë luftën, të dëgjojë thirrjen për paqe

Në audiencën e përgjithshme, Françesku shprehu përsëri besimin se më në fund armët mund të heshtin: në këtë çast të vështirë, njerëzimi ka etje për vëllazërim.

R.SH. - Vatikan

Nuk mungon besëlidhja e thirrur për të ndërtuar ura paqeje e për ta ndaluar shkatërrimin e luftës. Është dialogu ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve, që mund t’ia rihapë udhën së ardhmes! Këtë e nënvizoi Papa Françesku pas katekizmit duke përshëndetur shtegtarët frëngjishtfolës.

“Në këtë çast të vështirë, në të cilin njerëzimi ka etje për paqe dhe vëllazëri, është urgjente që besëlidhja ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve të jetë e frytshme dhe ta bëjë secilin, pavarësisht nga kushtet e jetesës dëshmitar dhe ndërmjetës i bekimeve të Zotit ndër popuj”.

Thirrja e Papës për paqen, në origjinalin italisht

Të heshtin armët

Besës së lidhur nga të rinjtë me të moshuarit, i shtohet një dëshirë tjetër themelore: t’i jepet fund luftës: dëshirë, që duhet t’i nxisë pushtetarët ta dëgjojnë dhe ta mirëpresin thirrjen për paqe. Papa e kujtoi këtë, duke përshëndetur shtegtarët portugezë:

 “Ju kërkoj të luteni vazhdimisht për paqe. Të ulen armët,  në mënyrë që kush ka fuqi ta ndalojë luftën, të mund ta dëgjojë britmën e paqes, që pushton planetin! Zoti ju bekoftë!”.

Ndërsa, duke përshëndetur shtegtarët kroatë, posaçërisht delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Papa i nxiti të jenë mjeshtra që dinë të bëjnë paqe:

“Të dashur miq, takimi i përditshëm dhe shtegtimi me Zotin e ringjallur jua ndeztë flakë zemrat që, ta dëshmoni me entuziazëm besimin dhe të shpallni veprat e mëdha të Zotit, si veprimtarë të vërtetë të paqes në shoqëri dhe në botë”.

Të shtënat, frika, lutja dhe falja

Gjatë urimit drejtuar polakëve, Papa kujtoi përvjetorin e veçantë të një njeriu të jashtëzakonshëm: tetëvjetorin e shenjtërimit të Gjon Palit II:

“Sot, në tetëvjetorin e shenjtërimit të Gjon Palit II, me ndërmjetësimin e Tij, kërkojmë të jemi dëshmitarë besnikë të Krishtit dhe të dashurisë së Tij të mëshirshme në botë, në familje dhe në vendin e punës”.

Përshëndetje vendit solidar me një të ri ganez

Në përshëndetjen drejtuar besimtarëve italianë, Papa kujtoi historinë e një djali ganez me emrin John, që mbërriti në Itali shtatë vjet më parë, në kërkim të një ardhmerie më të mirë. Ky migrant i ri sapo gjeti punë në një punishte vere në Vignale Monferrato, u sëmur nga kanceri. Kur shprehu dëshirën që të kthehej në vendlindje për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit para se të vdiste, makina e solidaritetit u vu menjëherë në lëvizje. Falë kësaj stafete u blenë bileta avioni për të dhe për të kushëririn, që e shoqëronte drejt Ganës. Papa Françesku, i cili e pati kujtuar këtë ngjarje në lutjen e Engjëllit të 6 shkurtit të kaluar, sot u shprehu përsëri mirënjohjen  piemontezëve.

“Një mendim i veçantë për besimtarët e Vignale Monferrato, të pranishëm në shesh, shoqëruar nga ipeshkvi. Përsëris mirënjohjen time për çka bënë në favor të të riut ganez, i sëmurë pa shpresë shpëtimi”.

"Më falni që po rri ulur"

Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku kujtoi edhe një herë dhimbjet e gjurit, që po i përsëriten kohët e fundit, duke e penguar shpesh për takimet e ndryshme:

“Ju kërkoj falje nëse do t’ju përshëndes ulur, sepse ky gju nuk po di të shërohet dhe unë nuk mund të rri gjatë në këmbë. Më falni, prandaj, për këtë”.

27 prill 2022, 13:40