Kërko

2022.04.10 Domenica delle Palme 2022.04.10 Domenica delle Palme 

Papa: Krishti gozhdohet përsëri në marrëzinë e luftës

Në kremtimin e së Dielës së Larit, Papa kujtoi se “kur përdoret dhuna, harrohet Zoti, Ati, e aq më shumë të tjerët, që janë vëllezër”. Gjatë homelisë, në të cilën ndjehet ftesa e fortë për “ledhatimin e faljes”, që i kundërvihet “sulmeve të urrejtjes” përmblidhet gjithë hidhërimi përballë vuajtjeve të sotme, që të bëjnë të harrosh pse je në botë e të nxisin të bësh mizori absurde. E nga Sheshi jehoi në mbarë botën, në pritje, pushtuar nga ankthi, thirrja: “Atë, fali, sepse nuk dinë çfarë bëjnë”

R. SH. - Vatikan

Sot tremja e Bazilikës së Vatikanit, qe “pushtuar” nga “sulmi i çarmatosur i palmave”, simbol i dëshirës për paqen dhe për jetën, përballë frikës që vijon ta trondisë botën, nën hijen e vdekjes. Hapet kështu, Java e Madhe, që i paraprin dritës së Ngjalljes! Duke kryesuar Meshën e së Dielës së Larit, Papa Françesku komentoi Ungjillin sipas Lukës, që na kujton se fjalët e Krishtit të kryqëzuar u kundërvihen fjalëve e veprave të kryqëzuesve e se Zoti nuk lodhet duke përsëritur: “Fali, o Atë, pse nuk e dinë çfarë bëjnë”.

Papa: dashuria për armiqtë, kulmi i dashurisë

Që në krye të homelisë së kësaj dite kaq të shënuar, siç është e Diela e Larit, duke komentuar Ungjillin sipas Lukës (Lk 23,35), Papa i vuri besimtarët përballë dy mendësive, që ndeshen në Kalvar. Në Ungjill, fjalët e Jezusit të kryqëzuar u kundërvihen atyre të kryqëzuesve. Ata përsërisin një refren: "Shpëto veten!". Edhe prijësit përsërisin të njëjtin refren: "Të shpëtojë vetveten, nëse është Krishti i Zotit, i zgjedhuri" (Lk 23:35). E përsërisin edhe ushtarët: "Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten". Së fundi, deri një nga keqbërësit, që i dëgjon, përsërit pyetjen: "A nuk je ti Krishti? Shpëto veten!".

Pas krijimit të kësaj atmosfere, Papa e aktualizoi lajtmotivin e Kalvarit. Ajo “Ruaje veten, kujdesu për veten, mendo për veten, jo për të tjerët, por vetëm për shëndetin, suksesin, interesat, shpëto veten - kujtoi Ati i Shenjtë në homelinë e së Dielës së Larit - është refreni i njerëzimit, që e kryqëzoi Zotin.  E, më pas i ftoi të gjithë ta meditojnë këtë.

Mendësia e Zotit i kundërvihet asaj të njeriut

Po mendësia e “vetes” - kujtoi Papa - është e kundërt me atë të Zotit - shpëtimi i vetvetes i kundërvihet Shëlbuesit, që flijon veten. Në Ungjillin e sotëm edhe Jezusi, mbi Kalvar, e merr tri herë fjalën, si kundërshtarët e tij (krh. v. 34.43.46). Por në asnjë rast nuk kërkon asgjë për vete: e nuk e mbron, as nuk e përligj veten. I lutet Atit dhe e mëshiron hajdutin e mirë. Sa shumë ndryshojnë fjalët e Zotit, nga ata të kundërshtarëve të Tij. Në vend të “shpëtoni vetveten”- ai shqiptoi fjalët që vijojnë të jehojnë në botë: "O Atë, fali!”.

Krishti në kryq kërkon falje për kryqëzuesit

Le të ndalemi tek këto fjalë. Kur i thotë Zoti?  - pyeti në vijim Papa -  Në një çast tragjik, kur gozhdat i shpojnë kyçet e duarve e të këmbëve. Ta përfytyrojmë dhimbjen e tmerrshme që ndjen. E pikërisht kur ndjen dhimbjen më të mprehtë fizike të mundimeve, Krishti kërkon falje për kryqëzuesit. E Papa, me një paralelizëm të goditur, vijon të kujtojë ç’do të bënte njeriu i thjeshtë i gozhduar mbi kryq:

“Në ato çaste njeriu i thjeshtë do të shfrente gjithë zemërimin dhe vuajtjen e tij; ndërsa Jezusi thotë: Atë, fali. Ndryshe nga martirët e tjerë, për të cilët flet Bibla, ai nuk i qorton xhelatët, nuk i kërcënon me ndëshkime në emër të Zotit, por lutet për bakëqinjtë”.

Zoti na fal, gjithnjë

Kështu bën Zoti edhe me ne - u kujtoi Papa besimtarëve në këtë ditë të madhe feste - Kur i shkaktojmë dhimbje me veprimet tona, ai vuan dhe ka vetëm një dëshirë: të na falë. Për ta kuptuar këtë, të shikojmë Kryqin:

“Nga plagët e tij, nga ato varrë dhimbjeje, shkaktuar nga gozhdat tona, buron falja. Ne e shikojmë Jezusin në kryq dhe mendojmë se nuk dëgjuam kurrë fjalë më të mirë se fjalën fali! E shikojmë Jezusin në kryq dhe besojmë se nuk pamë kurrë një vështrim më të butë dhe më dhembshur. E shikojmë Jezusin në kryq, dhe kuptojmë se nuk morëm kurrë një përqafim më të ngrohtë. Ne e shikojmë Kryqin dhe themi: ‘Faleminderit Jezus: ti më do dhe më fal gjithmonë, edhe kur e kam të vështirë ta dua dhe ta fal vetveten”.

Dashuria për armiqtë - kulm i dashurisë

Atje, teksa kryqëzohej, në çastin më të zi, Jezusi jeton urdhërimin e tij më të vështirë: dashurinë për armiqtë - kujtoi në vijim Papa - Të mendojmë për dikë që na lëndoi, na fyu, na zhgënjeu; dikë, që na zemëroi, nuk na kuptoi, nuk qe shembull i mirë. Sa kohë do të ndalemi të mendojmë për të? Sa, të shikojmë brenda vetes dhe të lëpijmë plagët që na hapën të tjerët, jeta, historia?

“Sot Jezusi na mëson të mos qëndrojmë aty, por ta copëtojmë rrethin vicioz të së keqes dhe të keqardhjes. T’i kundërvihemi  thonjve të jetës, me dashuri: goditjeve të urrejtjes, me ledhatimin e faljes”.

Më pas, pyetja tejet e vështirë: “Po ne, dishepujt e Krishtit, a e ndjekim Mjeshtrin, apo ndjekim instinktin tonë ankimtar? Po të duam të vërtetojmë se i përkasim Krishtit, le të shohim se si sillemi me ata që na  lënduan. Zoti na kërkon të përgjigjemi jo siç bëjnë të gjithë, por siç bën Ai me ne. Na kërkon ta copëtojmë zinxhirin e “të dua, nëse më do; jam shoku yt, nëse ti je miku im; do t'ju ndihmoj nëse më ndihmoni":

“Jo, Zoti ka dhembshuri dhe mëshirë për të gjithë, sepse sheh tek secili një bir. Nuk na ndan në të mirë dhe të këqij, në miq dhe armiq. Jemi ne, që  ndajmë kështu, duke e bërë Zotin të vuajë. Për të, ne jemi të gjithë bij të dashur, të cilët  dëshiron t'i përqafojë dhe t'i falë”.

Atë, fali se nuk dinë çfarë po bëjnë - përsëriti Papa thirrjen e Krishtit mbi kryq drejtuar Atit. Sepse Zoti nuk lodhet kurrë duke falur. Jezusi – na kujton Papa duke komentuar Ungjillin e Lukës - erdhi në botë për të na sjellë faljen e mëkateve dhe në fund na porositi t'ua predikojmë të gjithëve, në emrin e Tij. Prej këndej, porosia e Papës:

“Le të mos lodhemi me faljen e Zotit: ne priftërinjtë duke e mbarështuar,  çdo i krishterë, duke e pranuar e duke e dëshmuar”.

Fali, o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë! Vëmë re edhe një gjë - na kujtoi Papa në homeli - Jezusi jo vetëm që lutet për falje, por thotë edhe arsyen: falini sepse nuk dinë çfarë po bëjnë. Por si? Kryqëzuesit kishin paramenduar vrasjen e tij, organizuan kapjen e tij, gjyqet e tij dhe tani janë në Kalvar për të dëshmuar vdekjen e tij. Megjithatë Krishti i përligj ata dhunues, sepse nuk dinë çka bëjnë! E Papa, në vijim të homelisë, theksoi:

“Kështu sillet Jezusi me ne: ai bëhet avokati ynë. Nuk na kundërvihet ne, por mëkatit tonë. Dhe fjalët që përdor janë: ‘sepse nuk e dinë’”.

Në çmendurinë e luftës, kthehemi për të kryqëzuar Krishtin

Kur përdoret dhuna, nuk pyetet fare për Zotin, që është Atë, as për të tjerët, që janë vëllezër. Harrojmë pse jemi në botë dhe arrijmë deri aty, sa të kryejmë mizori absurde. E shohim në çmendurinë e luftës, ku  Krishti kryqëzohet rishtas e rishtas. Po, Krishti gozhdohet përsëri në kryq ndër nënat, që vajtojnë vdekjen e padrejtë të burrave dhe fëmijëve të tyre. Kryqëzohet në refugjatët, që ikin nga bombat me fëmijë në krahë.  Kryqëzohet në të moshuarit, që mbetën vetëm për të vdekur. Në të rinjtë, të cilëve u mohohet e ardhmja. Në ushtarët e dërguar për të vrarë vëllezërit.

Fali o Atë!

Fali, o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë! Shumë e dëgjojnë këtë frazë të padëgjuar; por vetëm një e mirëpret atë - kujtoi Papa në përfundim të homelisë - Një kriminel, i kryqëzuar pranë Krishtit. Mund të mendojmë se mëshira e Krishtit i ngjalli shpresën e fundit dhe e shtyu të thotë këto fjalë: "Jezus, kujtohu për mua!" (Lk 23:42). Si të donte të thoshte: “Të gjithë më harruan, por Ti mendon edhe për ata, që të kryqëzojnë! Me ty, pra, ka vend edhe për mua”. Hajduti i mirë e mirëpret Zotin kur mendon se jeta po përfundon, ndërsa kështu jeta e tij fillon përsëri; në ferrin e botës, sheh si i hapen dyert e parajsës: ‘Sot do të jesh me mua në parriz’. Shikojmë këtu mrekullinë e faljes së Zotit, e cila e shndërron kërkesën e fundit të njeriut të dënuar me vdekje, në shenjtërimin e parë në histori.

Zoti fal çdo mëkat

Vëllezër, motra - bëri thirrje Papa në përfundim të homelisë - këtë javë rifitojmë sigurinë se Zoti mund të falë çdo mëkat, mund të shlyejë çdo distancë, ta kthejë çdo vaj në valle (krh. Ps 30,12); sigurinë se me Jezusin ka gjithmonë vend për të gjithë; se me Jezusin jeta nuk mbaron kurrë, nuk është kurrë vonë. Me Zotin mund të kthehemi gjithmonë në jetë:

“Guxim, le të ecim drejt Pashkëve me ndjesën e Tij. Sepse Krishti ndërmjetëson vazhdimisht tek Ati për ne (krh. Heb 7,25) dhe, duke parë botën tonë të dhunshme e të plagosur, nuk lodhet duke përsëritur: ‘Fali, o Atë, pse nuk e dinë çka bëjnë!’”.

Kujtimi i Perusë dhe lutja që të përfundojë lufta

Në fund të kremtimit, Papa kujtoi edhe kontinentin e Amerikës Latine. Në çastet e vështira të tensionit shoqëror, që po kalon Peruja, Françesku i inkurajoi "të gjitha palët" të gjejnë, sa më shpejt të jetë e mundur,  zgjidhjen paqësore të konflikteve, duke respektuar të drejtat e të gjithëve dhe të institucioneve. E në përfundim përsëriti fjalët e Engjëllit drejtuar Marisë: “Për Zotin nuk ka gjë të pamundur”. Nuk është e pamundur as  t'i jepet fund një lufte, së cilës nuk po i duket fundi; një lufte, që çdo ditë na bën të shikojmë masakra të tmerrshme dhe mizori të kryera kundër civilëve të paarmatosur”.

Kështu, nga një Shesh i shtrënguar rreth tij, Papa nisi drejt viseve në konflikt, thirrjen e fuqishme: “Ulini armët, filloni armëpushimin e Pashkëve!".

10 prill 2022, 12:01