Papa: drejtësia bëhet e besueshme, nëse çlirohet nga ndikimet politike
R.SH. – Vatikan
“Mision fisnik dhe delikat”: kështu e quajti Papa detyrën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Magjistraturës italiane, me të cilët u takua sot në Vatikan. Puna juaj, nënvizoi Ati i Shenjtë, është t’u jepni përgjigje njerëzve, që kërkojnë drejtësi e, kjo e fundit “ka nevojë për të vërtetën, besimin, besnikërinë dhe pastërtinë e qëllimit”. Kjo do të thotë të dëgjohet “britma e atyre, që nuk kanë zë dhe vuajnë nga padrejtësitë”, do të thotë t’i shërbesh dinjitetit të njeriut dhe së mirës së përbashkët.
E, Papa Françesku paralajmëroi: “Kur pushtetet e mëdha bashkojnë forcat për të ruajtur vetveten, është i drejti që paguan për të gjithë”. Papa përmendi rastin emblematik të gjykimit të Krishtit: “Njerëzit kërkojnë dënimin e të drejtit dhe lirimin e keqbërësit”. Pilati pyet ç’të keqe ka bërë nazarenasi, por pastaj “lan duart”. Që këtej, këshilla e Papës:
“Besueshmëria e dëshmisë, dashuria për drejtësinë, autoriteti, pavarësia nga pushtetet e tjera dhe pluralizmi, besnik i qëndrimeve të ndryshme, janë kundërhelmet për të parandaluar mbizotërimin e ndikimeve politike, mungesën e efikasitetit dhe pandershmërinë. Të administrosh Magjistraturën sipas normave të virtytit do të thotë të jesh mbrojtje e sintezë e nivelit të lartë e detyrës për të cilën jeni thirrur”.
Papa dha si shembull Rosario Livatino-n, gjykatësin e parë të lum në historinë e Kishës; përmendi mësimin e Shën Katerinës së Sienës, e cila thoshte se për të reformuar duhet së pari, të reformojmë vetveten; u kërkoi gjykatësve italianë t’i kundërvihen luftës për pushtet dhe korrupsionit, si edhe të sigurojnë drejtësinë për të gjithë pa dallim.