Kërko

Indigjenët Métisë Manitoba tek Papa: “Na i preku zemrat"

Rreth pesëdhjetë anëtarë të Federatës, qeveri autonome pas një marrëveshjeje me shtetin, në korrik 2021, mbërritën nga Kanadaja - në Romë për të vazhduar rrugën e pajtimit me Kishën, pas abuzimeve në “shkollat ​​rezidenciale”. Presidenti Chartrand: “Ky nuk është thjesht mesazh pajtimi, por kryesisht, mesazh shprese. Françesku, Papë largpamës për të ardhmen”

R.SH. - Vatikan

Lotë, kujtime, histori, falënderime për lypjen e ndjesës dhe kërkesa për një shtegtim në trojet e tyre. Audienca e Papës me 55 indigjenë nga Federata Métis Manitoba, ardhur nga Kanadaja dhe pritur dje paradite në Sallën Klementine, në Vatikan, ishte e përzemërt dhe prekëse. Federata është qeveri e mirëfilltë e Kanadasë, që nënshkroi marrëveshjen e autonomisë me shtetin më 6 korrik 2021. Anëtarët - të njohur si “Red River Métis” - banojnë kryesisht në rajonin e Manitoba, në kullotat veri-perëndimore të Kanadasë. Prandaj federata nuk mori pjesë, në fund të marsit, në audiencat e Papës me popullsitë autoktone të Kanadasë (Métis, Inuit dhe First Nation), të pranuara në Vatikan njëra pas tjetrës, “si organizata”

Një mesazh shprese dhe përtëritjeje

Ashtu si indigjenët e tjerë, edhe Metisët e Manitoba-s u shpërdoruan në të ashtuquajturat “shkolla rezidenciale” hapur nga qeveria e besuar kishave të krishtera, duke përfshirë edhe atë katolike. Fakte të cilat Papa në audiencën e 1 prillit, në prani të ipeshkvijve të Kanadasë, i quajti “të turpshme”, për të kërkuar, më pas, edhe falje. Ishte mesazh i fuqishëm, të cilin këto popullata e prisnin prej dekadash.

Metisët e Manitobës mbetën tejet të prekur nga gjesti e nga fjalët e Papës, siç e shpjegoi, më pas Presidenti David Chartrand në një mesazh, me rastin e takimit të sotëm në Vatikan: “Ashtu si të gjithë indigjenët e Kanadasë, veçanërisht disa nga ne, që pësuan dëme nga njerëz, të cilët pastaj u fshehën pas Kishës katolike, u qetësova kur dëgjova Papën Françesku duke u kërkuar falje të pranishmëve. E di se shumë metisë e prisnin këtë çast prej shumë vitesh. Shpresoj se do të ndihmojë për fillimin e procesit të shërimit e do të na bashkojë në udhën e pajtimit, të gjallërimit e të përtëritjes". Këto fjalë Chartrand i përsëriti edhe në Sheshin e Shën Pjetrit, duke folur para një grupi gazetarësh, pas takimit në Sallën Klementine. “Mesazhi ynë - shpjegoi - ishte tejet i veçantë. I vlerësuam lart fjalët e Papës, kërkimin e faljes, të pajtimit, ndërsa sillnim me vete mesazhin e madh të shpresës e të përtëritjes”.

 Lotë e dhembshuri

“Shenjtëria e Tij i pranoi lotët, që u derdhën e historitë që u treguan, me një hir të tillë, që na preku shumë. Aq më tepër kur kërkoi falje”- pohoi prijësi indigjen, një nga të mbijetuarit, i quajtur Andrew, “i cili pasi pagoi një çmim të lartë si fëmijë", pati mundësinë t’ia tregonte historinë e tij personale Françeskut. E Papa e ndoqi me durim, vëmendje e me aq emocion, sa i preku zemrat e të gjithëve me dhembshurinë e tij.

Dhurata, që tregojnë historinë e një populli

Mysafirët i treguan Papës marrëveshjen e qeverisë nënshkruar me Kanadanë. Françesku nënshkroi kopjen, që do të ekspozohet në një muze, i cili do të ngrihet së shpejti. Më pas vendasit dorëzuan dhurata të ndryshme, kryesisht vepra artizanale të punuara me rruaza, qindisur 300 vjet më parë, shenjë dalluese e kësaj popullate. “Puna jonë me rruaza është historia jonë - shpjegoi Chartrand - tregon kush jemi ne. Dikur njiheshim si ‘populli i perëndimit me perla lulesh’, sepse nuk dinin si të na quanin. Dhe kështu, të gjitha veprat tona kanë lulet e livadheve. Historinë tonë e tregojnë lulet e perlat”. Vendasit i dhanë Papës edhe disa pantofla dhe kryqe tipike, punuar në vitet 1800.

 Sipas të ftuarve, Françesku u shtrëngoi duart gjithë të pranishmëve. U ngrit nga froni dhe deshi të vinte tek ne - treguan më pas - E pamë që  ecte me vështirësi e i thamë: ‘Uluni, se vijmë ne tek ti’. Na preku zemrat! Shumë prej nesh do ta kujtojnë sa të rrojnë këtë takim. Është nder i madh për ne që kemi një Papë kaq largpamës. Së pari, është Papa i Zotit, më pas, i Vatikanit”.

Kërkesë për të vizituar varrin e Louis Riel

Papa Françesku u dha të gjithëve nga një medalje të papnisë. Shumë qanin. E me lot në sy Métisët i përsëritën ftesën për një shtegtim në Kanada (ndoshta në korrik), për të vizituar kryeqytetin rajonal Winnipeg dhe për të bekuar varrin e Louis Riel, udhëheqësit Métis, që njihet si babai i Manitobës e që, më 1800, udhëhoqi lëvizjet e rezistencës të Lumit të Kuq duke u përpjekur të ruante të drejtat dhe kulturën e autoktonëve, kur trojet e tyre ranë nën sferën e ndikimit kanadez. Kryeministri i atëhershëm John A. MacDonald premtoi një shpërblim prej 5000 dollarësh për atë që do ta tradhtonte! Dhe u tradhtua e u ekzekutua. Indigjenët i kërkuan sot Papës që, në programin e shtegtimit të tij në Kanada, të shënojë edhe një vizitë te varri i “Njeriut që dhuroi gjithçka, edhe jetën, jo vetëm për popullin Metis, por edhe, e sidomos, për Kishën”.

22 prill 2022, 11:56