Kërko

POPE-MALTA/PREPARATIONS POPE-MALTA/PREPARATIONS 

Françesku në Maltë, Scicluna: Papa vjen si lajmëtar i paqes e i pajtimit

Në prag të arritjes së Papës në Ishullin e Mesdheut, kryeipeshkvi metropolit i Maltës kujton se ky shtegtim pritej që prej dy vjetësh: Papa na kujton rrënjët e Ungjillit e, si Shën Pali, rëndësinë e shërimit.

R.SH. - Vatikan

Kisha malteze përgatitet për ardhjen e Papës Françesku, që do të jetë nesër paradite në Maltë, cak i shtegtimit të 36-të apostolik të papnisë së tij. Shkon  kështu, “tek burimet e kumtimit të Ungjillit”,  siç i quajti Papa, në një vend ku qe mbytur anija, me të cilën lundronte Shën Pali në vitet ’60 pas Krishtit, zanafillë e krishterimit në Ishull. Shtegtim, ky, shumë i dëshiruar nga Papa e i shtyrë nga shkaku i Pandemisë.

Pritja e Kishës në Maltë

Gjatë etapave të këtij shtegtimi, Papën do ta shoqërojë imzot Charles J. Scikluna, kryetar i Konferencës ipeshkvnore malteze dhe kryeipeshkëv i La Valletës, që nga viti 2015 kryeipeshkëv metropolit maltez dhe tejet i angazhuar në problemin e shpërdorimeve të klerit, në gjirin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë,  si zëvendës-sekretar i saj.

Shkëlqesi, ç’kuptim ka për Kishën në Maltë vizita e Papës?

“Pas pritjes prej dy vjetësh, vizita e Papës ka kuptim të thellë për popullin, e është edhe prani e çmuar, edhe pse çasti historik na bën të mendojmë gjithnjë për Evropën Lindore dhe tragjedinë, që po luhet këto ditë në Ukrainë. Papa vjen si lajmëtar i mëshirës, i pajtimit, i paqes; flet nga Evropa Jugore, nga zemra e Mesdheut, që ka qenë gjithnjë teatër i bashkimit, por edhe i konfliktit, e ka një histori, e cila i bashkon tre kontinentet, por edhe i ndan. Vjen edhe në të Dielën  e Kreshmëve, kur Jezusi, duke folur me gruan që kish shkelur kurorën, e shpëton nga dënimi i tmerrshëm me vdekje e pikërisht kësaj gruaje, zënë në flagrancë, i hap para rrugën e një jete të re. Fjala e Zotit, që do ta kremtojmë së bashku me Papën të Dielën e Kreshmëve, më 3 prill flet pikërisht për pajtim, për mëshirë, për fillimin e një rruge të re të një jete të re. E ky, edhe mesazhi që sjell Papa në Maltë, në zemër të Mesdheut, por duke përfshirë me shikimin e tij mbarë botën, e, në botë, posaçërisht, vëllezërit e motrat tona në Ukrainë”.

Një nga temat, që pasqyrohet edhe në logon e këtij shtegtimi, ku shikojmë dy duar të gatshme për të pritur, lidhet ngushtë me çështjen e mirëpritjes së migrantëve e është një nga temat e mëdha të këtij shtegtimi. Çfarë mund të na thoni për situatën në Maltë dhe për pasojat e fjalëve të Papës, që do të takojë të dielën disa prej këtyre migrantëve?”.

“Çështja e migrantëve është gjithmonë aktuale. Nëse shikojmë nga Evropa Lindore, realiteti i migrantëve që ikin nga një konflikt i dhunshëm, agresiv dhe i padrejtë është vërtet i qartë dhe na fton të mirëpresim ata që ikin nga kombi i tyre jo për teka, por për nevojë, të shtyrë nga nevoja. Për vite me radhë ne, në Maltë jemi një kufi që nuk pengon, por është pikë takimi, pikë   mirëpritjeje. Edhe fjalët, që vijojnë të na flasin nga Veprat e Apostujve, e pikërisht nga Kapitulli 28, fryt i një rrëfimi shumë të lashtë, na kujtojnë mikpritjen që maltezët u patën bërë 276 të fundosurve në det, ndërmjet të cilëve, edhe apostulli Pal. Më ka habitur gjithmonë shpjegimi i disa studiuesve, që  thonë se emri "Malta" vjen nga një rrënjë fenikase shumë e lashtë – nga "malet" - që do të thotë liman i sigurt. Malta është e bekuar, vend me limane vërtet të sigurta, ku lundërtarët mund të ndaloheshin, të freskoheshin, madje të kryenin edhe akte adhurimi, në tempujt e kultit parakristian, të shumtë në Maltë. Ndaj kjo ishte jo vetëm strehë personale dhe psikologjike, por edhe shpirtërore; e ky është një tipar gjeopolitik, i cili nuk do harruar. Malta ndodhet në qendër të Mesdheut dhe duhet ta llogarisë mirë korridorin qendror të migracionit, por pa harruar edhe reagimin legjitim, reagimin e mrekullueshëm të vendeve evropiane ndaj flukseve migratore, që po vijnë nga Ukraina këto ditë. Mes nesh themi se do të ishte mirë që ky solidaritet europian të jetohej edhe me vendet e jugut, të cilat prej vitesh kanë mbartur një barrë të rëndë, joproporcionale, pa marrë të njëjtin tip solidariteti nga të tjerët”.

Ju cekët Veprat e Apostujve, ku përshkruhet mbytja e anijes, me të cilën lundronte Shën Pali; këtu vërejmë edhe një aspekt tjetër me natyrë apostolike: vetë Papa Françesku do të vizitojë, siç patën bërë edhe Gjon Pali II e Benedikti XVI - Shpellat e Shën Palit. Çfarë kuptimi ka i gjithë shtegtimi, parë në këndvështrimin apostolik, si për bashkësinë e krishterë, ashtu edhe për Kishën malteze?

“Duhet pranuar se frymëzimi i shtegtimit, dy vjet më parë, u nis pikërisht nga fjalët e Atit të Shenjtë në ato ditë, në fillim të janarit 2020, kur komentonte  kapitullin e 28-të të Veprave të Apostujve. Na i kujtoi edhe ne, duke lexuar fjalët e bukura, që përdor Shën Luka për të na kujtuar  mikpritjen dhe dashamirësinë e maltezëve, edhe të prijësit tonë, që quhej Publius. Pali ndenji mes nesh tre muaj në atë Shpellë tejet të lashtë, që Papët e vizitojnë gjithnjë kur vijnë mes nesh, 2000 vjet pas Palit. Papa vjen për të na kujtuar rrënjët e Ungjillit, e sjell me vete Fjalën e Krishtit. Si Pali, që sigurisht u foli banorëve të këtij ishulli për Krishtin, edhe pse Luka nuk na tregon çka u pati thënë. Por gjithsesi na tregon si shëroi disa njerëz, në emër të Krishtit. E kështu mund të themi se edhe ne - domethënë etërit tanë - e takuam Jezusin në Fjalën që shpëton, që pajton, që shëron. E kjo është edhe fjala, që presim nga Papa, Pasardhësi i Pjetrit”.

Si po përgatitet ishulli për ardhjen e Papës, në aspektin praktik? E çfarë atmosfere ndjehet këto ditë, kur sapo u betua kryeministri i ri? Çfarë atmosfere ndjehet në Ishull, në prag të ngjarjes së madhe?

“Gjithçka është në pritje. E natyrshme, zgjedhjet e fundjavës së kaluar janë ende në rendin e ditës; formohet qeveria e re; ky është çast i jetës civile, që nuk mund të mos na interesojë. Po kjo nuk e pengon aspak ritmin e përgatitjes. E ne s’na mbetet tjetër, veçse të lutemi që të diel të jetë mot i mirë, sepse kur fryn erë në ishujt mesdhetarë, nuk fryn, por tërbohet... Urojmë, prandaj, të jetë ditë e bukur, ashtu si e meriton një ngjarje e tillë”.   

01 prill 2022, 12:05