Françesku: luftërat t’ia lënë vendin mirëkuptimit dhe pajtimit
R. SH. - Vatikan
Papa, nga dritarja e Pallatit Apostolik, iu drejtua gjithë të pranishmëve në Sheshin e Shën Pjetrit: romakëve dhe shtegtarëve nga vende të ndryshme, duke përsëritur urimin e Pashkëve. Pasuar nga porosia për të mos e harruar njeriun në dhimbje:
“Hiri i Zotit të Ngjallur u dhëntë ngushëllim dhe shpresë atyre që vuajnë: askush të mos braktiset!”
Nënvizojeni gjithmonë fjalën pajtim
Mendimi i Atit të Shenjtë nuk mund të mos shkonte përsëri e përsëri tek skenat e tmerrit, ku ka trazira e ndeshje:
“Grindjet, luftërat, mosmarrëveshjet t’i lënë vendin mirëkuptimit dhe pajtimit. Theksojeni gjithmonë këtë fjalë: pajtim, sepse Jezusi në Kalvar dhe me ringjalljen e Tij deshi të na pajtojë të gjithëve me Atin, me Hyjin dhe me njëri-tjetrin. Pajtim!”.
Të kthehemi tek planet e drejtësisë së Zotit
Françesku kujtoi se “Zoti e fitoi betejën vendimtare kundër shpirtit të së së keqes”, e më pas, me këtë siguri, na fton "Ta lëmë të fitojë!".
“Të heqim dorë nga planet tona njerëzore, të kthehemi në planet e Tij për paqen dhe drejtësinë”.
Faleminderit për lutjet
Papa ia besoi Zotit të gjithë ata, që ditët e fundit i dërguan urime. Zemra e tij është plot me mirënjohje të veçantë për ata, që u lutën për Papën.
“Jam veçanërisht mirënjohës për lutjet! E lus Zotin, me ndërmjetësimin e Virgjërs Mari, ta shpërblejë secilin me dhuratat e tij”.
Të rinjtë, një shenjë e bukur shprese
Pasditen e sotme, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku do të takohet me më shumë se pesëdhjetë mijë adoleshentë nga e gjithë Italia. Entuziazmi, i fortë, ndjehet që në orët e para të mëngjesit:
“Një shenjë e bukur shprese! Tashmë është ndonjë! E kjo edhe arsyeja që tregon pse u përgatit sheshi kështu”.
Përsëriten brohoritjet për Papën dhe Papa, duke treguar me gisht disa djem, u thotë: “Eh, djem të mirë të së Papërlyerës!”. Dhe e mbyll takimin me urimin “t’i jetojmë këto ditë Pashkësh në paqen dhe gëzimin, që vijnë nga Krishti i Ngjallur”.