Kërko

UKRAINE-RUSSIA-CONFLICT UKRAINE-RUSSIA-CONFLICT 

Papa Françesku: kultivimi i miqësisë, kundërhelm për tragjedinë e luftës

Papa kujton dramën e Ukrainës gjatë takimit me anëtarët e klubit të kanotazhit Remo, që kremton 150-vjetorin e veprimtarisë. I porosit, më pas, që praktika sportive të mos kushtëzohet nga logjika e tepruar e fitimit, por të jetë gjithnjë mjet për përhapjen e vlerave të dashurisë dhe kërkimin e lirisë e të paqes.

R. SH. - Vatikan

Rrethi “Canottieri Tevere Remo” kremton 150-vjetorin e themelimit e Papa - duke kujtuar një fragment nga përshëndetja që i drejtoi Presidenti - kujtoi rishtas tragjedinë që po luhet në Ukrainë, ku vijon gjakderdhja e shkatërrimi.

Amatorizmi i shëndetshëm të largon nga tmerret e luftës

"Rëndësi ka ta kultivosh këtë përmasë të amatorizmit: nëse sporti nuk është amator, nuk mund të quhet sport. Diçka i mungon. Duhet kultivuar ky amatorizëm, për të mos rendur pas interesave të tjera". Këtë theksoi Papa, për të nënvizuar më pas:

“Nuk mund të flasim, këto ditë, për gjëra të tjera, pa e kujtuar, të paktën, deri ku mund të arrijë mizoria. Shpirti sportiv, ky i amatorizmit tuaj, është përgatitje për të mos rënë në këtë pellg gjaku, por për të kultivuar miqësinë njerëzore, që na përgatit t’i kundërvihemi tragjedive të tilla dhe të mendojmë për njerëzit, që janë viktima të saj”.

Sporti, zhvillim i gjithanshëm i njeriut

Përvjetori i shoqatës krijon mundësi për të reflektuar mbi kuptimin dhe stilin e një pranie si kjo në shoqëri, në Romë dhe Lacio. Vënia për rrugë, sugjeruar nga një realitet sportiv si ky, anëtarët e të cilit konkurrojnë në disa disiplina, e nxiti Papën Françesku të reflektojë mbi rëndësinë që ka për të gjitha moshat, "të mos ndalosh". E duke kujtuar se me kalimin e viteve, Klubi u përpoq ta quajë veten “palestër e formimit njerëzor”, Papa saktësonise është e nevojshme që sporti të konceptohet si diçka që shkon përtej formimit fizik:

“Ka rëndësi për çdo grupmoshe, veçanërisht të rinjtë, të mos ndalen përballë pengesave të jetës, por t'i kapërcejë vështirësitë me këmbëngulje, me besim te Zoti dhe te vetja edhe me ndihmën e të tjerëve. Nëpërmjet sportit jeni thirrur të promovoni vlerat e konkurrencës së shëndetshme, miqësisë dhe solidaritetit. Bëhet fjalë për përhapjen e një kulture sportive që e koncepton ushtrimin e sportit jo vetëm si një faktor mirëqenieje fizike, por si ideal të guximshëm, si mjet për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut”.

Dëshmojeni forcën morale të veprimtarisë sportive

Papa i porositi posaçërisht sportistët e rinj: “ta ushtrojnë sportin me besnikëri dhe me frymë të shëndetshe gare”. Vetë jeta është garë - vërejti Françesku - prandaj sporti është i dobishëm në atë masë, me të cilën  përballohet në të ardhmen “me guxim e ndershmëri, me gëzim dhe besim të qetë”. Nga sporti, veç të tjerash, njeriu mëson të ndalet për “t’i pritur me durim ata që janë më të ngadaltë dhe e kanë më të vështirë të ecin”:

“Ju inkurajoj të ngulmoni që fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit të kultivojnë, nëpërmjet disiplinave të ndryshme sportive, vlerat themelore: dashurinë për të vërtetën dhe drejtësinë, respektin për krijimin, shijen për të bukurën dhe të mirën, kërkimin e lirisë dhe të paqes. Ndonjëherë bota e sportit duket se vuan nga kushtëzimi i logjikës së fitimit dhe konkurrenca e tepruar, e cila gjithashtu mund të degjenerojë në episode dhune. Është detyrë e realiteteve të tilla, si tuajat, të japin dëshmi për forcën morale të veprimtarisë sportive, e cila, nëse jetohet siç duhet, ndihmon në krijimin e miqësive të mira dhe favorizon ndërtimin e një bote më të qetë, më vëllazërore, në të cilën njëri mbështet dhe ndihmon tjetrin”.

Duke u përshëndetur me miqtë Papa - si zakonisht - kërkoi lutje për shërbesën e tij sepse, shtoi me një parafrazë: “Kam nevojë, mbasi ky sport nuk është aspak i lehtë!”.

09 prill 2022, 14:37