Kërko

Mbrëmësore lutjesh për Ukrainën Mbrëmësore lutjesh për Ukrainën 

Ukraina, Papa nxit t’i lutemi Marisë, Mbretëreshë e Paqes, për fundin e luftës

Tweet i ri i Françeskut në faqen e internetit @Pontifex, për të kërkuar fundin e luftës në vendin e martirizuar të Evropës lindore. Në terren. Ministria ruse e Mbrojtjes dha njoftimin për armëpushim, e ndërkaq u hapën edhe korridoret humanitare për t’u krijuar civilëve kushtet të largohen nga qytetet e Mariupolit e Volnovakhas. Autoritetet ukrainase kujtojnë se ndalimi i zjarrit nuk është respektuar.

R. SH. - Vatikan

Në një tweet, që lexohet sot në faqen e internetit @Pontifex edhe në gjuhën ukrainase e atë ruse - Papa fton të lutemi së bashku për Ukrainën: “T’i kërkojmë Mbretëreshës së Paqes - shkruan -  ta shtrijë mbi ne dorën e saj. E t’i lutemi: Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Nëna e Shenjtë e Zotit; mos i përbuz lutjet tona në këto çaste prove, por lirona nga çdo rrezik, o Virgjër e lumnueshme dhe e bekuar!”.

Në terren, pushimi i armëve, njoftuar sot nga ministria ruse e mbrojtjes, ishte thjesht shpresë e brishtë. Autoritetet bashkiake të Mariupol njoftuan  se forcat ushtarake ruse nuk po e respektojnë armëpushimin gjatë gjithë udhës së caktuar. E shtojnë edhe se, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme, u shty edhe evakuimi i civilëve nga Mariupol. Sipas ministrit të jashtëm rus, Serghei Lavrov, largimin e civilëve nga qyteti, po e pengojnë vetë autoritetet ukrainase.

Duam paqe – kjo thirrja e fuqishme, që arrin deri tek froni i Zotit!  

Ndërsa bota mbarë bën thirrje për paqe, trupat ruse, si morën nën kontroll  centralin bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, po i afrohen gjithnjë më shumë një centrali tjetër bërthamor. Duke folur, në Poloni, sekretari amerikan i shtetit, Blinken, deklaroi se po kërcënohen drejtpërdrejt paqja e siguria. “Do ta mbrojmë - deklaroi - çdo centimetër  të territorit të Natos”.

Ndërkaq Fortlumturia e tij, kreu i Kishës greko-katolike, imzot Sviatoslav Shevchuk, iu drejtua bashkësisë ndërkombëtare, duke i kërkuar të japë ndihmesën që karvanet humanitare të mund të arrijnë në qytetet e rrethuara  e refugjatët, nën strehët e huaja. E pikërisht situata e refugjatëve do të jetë në qendër të vëmendjes të hënën e ardhshme, në një takim  të ri të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar konfliktit në Ukrainë

05 mars 2022, 15:15