Kërko

Audienca e pëgjithshme Audienca e pëgjithshme 

Papa: urtia e pleqve, pritë për korrupsionin

Në audiencën e përgjithshme Françesku vijoi thellimin e temës së pleqërisë, duke kujtuar një përgjegjësi, tipike për të shkuarit nga mosha: kujdesin për të rinjtë dhe transemtimin e përvojës që vlen me të vërtetë, sipas shembullit të Noesë, të drejtit, i cili punoi arkën, për të shpëtuar njerëzimin.

R. SH. - Vatikan

“Zoti u zemërua aq nga ligësia e njerëzve, që u bë stil normal jete, saqë mendoi se kishte gabuar që i krijoi e vendosi t’i shfaroste”. Nisi me këtë mendim të fortë, katekizmi i sotëm i Papës, që vijoi ciklin kushtuar moshës së shkuar:

“‘E Zoti tha: do ta zhduk nga faqja e dheut njeriun që e krijova e kafshët e rrëshqanësit e zogjtë, mbasi u pendova që i bëra’. Po Noe gjeti hir para syve të Zotit” (Zan 6,5-8).

Paraqitje e pavetëdijshme e fundit të botës

Françesku kujtoi, kështu, rrëfimin biblik të lexuar pak më përpara e vërejti një kontradiktë të kohëve tona: “Nga njëra anë - kujtoi - kemi optimizmin e rinisë së përjetshme “dhe progreset e shkencës e të teknikës na bëjnë të parashikojmë një ardhmëri të mrekullueshme”; nga ana tjetër “fantazia jonë duket se përqendrohet më shumë tek paraqitja e një katastrofe përfundimtare,  që do të na shuajë nga faqja e dheut”. Gjë që ndodh me luftën atomike:

“Një ditë pas kësaj - nëse do të ketë akoma ditë e qenie njerëzore - do të na duhet t’ia nisim nga zeroja. Të rrënosh gjithçka, për t’ia nisur nga zeroja! Nuk dua ta banalizoj temën e progresit, natyrisht. Por më duket se  simboli i përmbytjes  po fiton terren në nënvetëdijen tonë”

E nënvizoi, më pas, një ndjenjë, që e kemi në shpirt, ndërsa  shikojmë dramat e shumta të historisë:

“A nuk na ndodh shpesh - të dërrmuar siç jemi nga pafuqia për t’iu kundërvënë së keqes, a të demoralizur nga ‘profetët e gjëmave’, të mendojmë se ndoshta do të kishte qenë më mirë të mos kishim lindur fare? E a duhet t’i besojmë teoritë e kohëve të fundit, që e shikojnë specien njerëzore si dëm evolutiv për jetën mbi planetin tonë?”.

Noe, i drejti, na shpëtoi nga përmbytja

Ai, që e shpëtoi njerëzimin  nga zhdukja, është njeriu më i moçëm, Noe, “i drejti”. “Thua do të jenë pleqtë - pyeti Françesku - ata që do ta shpëtojnë botën? Pyes veten - vijoi - e si do ta shpëtojnë? Në këndvështrimin e  mbijetesës, deri tek drama e fundit, apo në atë të jetës përtej vdekjes? Jezusi, duke folur  për kohët e Noesë,  na thotë se në ato ditë hahej e pihej, merreshin burra e gra, deri në çastin  e përmbytjes që “i  mbyti të gjithë”. E komenton se të hash, të pish e të marrësh burrë a grua - janë veprime të jetës normale. Ku qëndron, atëhere, çthurja? Jezusi – shpjegoi - dëshiron të na thotë se njerëzit “kur kufizohen në gëzimin e jetës, arrijnë deri në atë pikë, sa ta humbasin edhe perceptimin e çthurjes dhe të jetojnë krejt çkujdeshëm. Pa u shkuar as nëpër mend se kjo mund të ketë pasoja të hatashme”:

“Kur ti shkon të bësh ndonjë gjë e kjo gjë që është e ngadalshme, ky proces i bërjes është pakëz i ngadalshëm, ndonjëherë dëgjon të thuhet: ‘Epo, nëse më jep ndonjë bakshish, mund edhe të shpejtoj paksa’. Shumë herë dëgjon: ‘Më jep, të jap’. Sa shpesh e dëgjojmë këtë avaz”.

Normalizmi i korrupsionit  

Korrupsioni a çthurja - ngulmon Françesku - është pjesë normale e jetës, e në këtë mënyrë gjithçka nis të humbasë kuptimin e vlerën:

“Pasuritë shpenzohen e shijohen pa shqetësimin për cilësinë shpirtërore të jetës, pa kujdes për shtëpinë e përbashkët. Gjithçka shfrytëzohet pa u shqetësuar fare për lëndimin që i dëshpëron të gjithë,  e aq më pak, për të keqen, që e vreros bashkësinë. Derisa jeta normale të mbushet përplot me “mirëqenien’, nuk duam të mendojmë aspak për çka e bën boshe, pa dashuri e pa drejtësi. ‘E po unë jam fare mirë! E pse u dashka të mendoj  për problemet e botës e luftërat, për mjerimin njerëzor, për varfërinë e ligësinë e pafundme njerëzore?”.

E Papa kujtoi se pikërisht pleqëria është në gjendje ta kuptojë sa i rremë është  normalizimi i jetës së etur për kënaqësi e krejt boshe në shpirt:

“Do të jemi ne, që do të japim alarmin: ‘Mos harroni se prej këtij korrupsioni nuk vjen asgjë e mirë. Urtia e pleqve na kujton se nuk është aspak e lehtë sot t’i kundërvihesh korrupsionit. Breznitë e reja presin nga  ne, pleqtë, nga ne të moshuarit, një fjalë që të jetë profeci, që ia hap portat perspektivave të reja, jashtë kësaj bote të çkujdesur të korrupsionit, larg  zakonit për të qenë të korruptuar, të prishur”.

Kujdesi për pleqtë

Pleqtë janë profetë kundër korrupsionit. Zoti e zgjodhi karizmën e pleqërisë, që pleqtë të kujdesen për ardhmërinë e breznisë në rrezik, sipas shembullit të Noesë. Duke sajuar arkën e mikpritjes, ku gjejnë shpëtim  njerëz e kafshë, ai i ngjet urdhërimit të Zotit e përsërit gjestin e ëmbël të krijimit. Kështu edhe ne, pleqtë, duhet të kujdesemi për të rinjtë, për fëmijët, që janë rrezik - kujtoi Papa - për ta përfunduar katekizmin e audiencës së përgjithshme me porosinë drejtuar pleqve dhe të rinjve:

“Kujdes;  ju keni përgjegjësinë për ta denocuar korrupsionin njerëzor, në të cilin jetohet e shkon përpara kjo mënyrë e të jetuarit të relativizmit, krejtësisht relative, si të ishte gjithçka krejt e ligjshme. Të shkojmë përpara! Bota ka nevojë për të rinj të fuqishëm, që shkojnë përpara, e  për pleq të urtë. T’ia lypim Zotit hirin e urtisë”.

16 mars 2022, 15:09