Kërko

Papa të rinjve: lufta na vë në provë, të dalim prej saj së bashku!

Në një videomesazh, Papa i nxit djemtë e vajzat, që po përgatiten për DBR-në 2023 në Lisbonë të Portugalisë, të dalin nga kriza me guxim, frymë krijuese e poezi, tipike për moshën e tyre plot freski e hove.

R.SH. - Vatikan

“Po kalojmë nga kriza në krizë”. Papa Françesku ndalet tek çasti tejet i vështirë historik, që po jetojmë, në një videomesazh në gjuhën spanjolle. Ua drejton të rinjve, të cilët po përgatisin Ditën Botërore të Rinisë 2023, që do të kremtohet në Lisbonë nga 1 deri më 6 gusht. Më poshtë, mesazhi i   regjistruar nga imzot Américo Manuel Aguilar, ndihmës i Lisbonës, kryetar i Fondacionit DBR Lisbona 2023, që u prit në audiencë nga Papa më 3 marsin e kaluar:

“Dolëm nga kriza pandemike, për të hyrë në krizën ekonomike e tani  jemi në krizën e luftës: më e keqja e të këqijave që mund të na ndodhte!”.

Së bashku në përballimin e krizave

Ftesa e Papës është të mbahet gjallë takimi i të rinjve, duke u bërë gjithnjë “më i freskët”, “më krijues”, jo hije e Ditëve të tjera të Rinisë. Ati i Shenjtë citon, më pas, të Lumin Carlo Acutis, për të kujtuar se jemi të thirrur për të qenë origjinalë, jo fotokopje:

“Krizat kapërcehen së bashku, jo vetëm për vetëm. E na vënë në provë, që të mund të dalim prej tyre më të mirë. Nga krizat nuk mund të dalim, siç hymë: ose dalim më të mirë, ose më të këqij. E sfida që kemi përpara është  të dalim më të mirë”

Krijues e poetikë

Françesku kërkon nga të rinjtë ç’kanë më të mirë: “Ju jeni krijues, poetë!” - shkruan - duke i ftuar, më pas, të krijojnë poezi frymëzuese, me sytë e ngulur në gushtin 2023. Papa u kërkon, në fund, lutje, të rinjve që do të marrin pjesë, duke i siguruar se edhe ai do të lutet për ta e për takimin e madh, “që të jetë sa më i frytshëm”  e më frymëzues. Kështu  të gjithë do të mund të nisen shumë më të mirë se arritën!

09 mars 2022, 11:01