Kërko

Papa: të kapërcehet koncepti iluminist ideologjik i edukimit

Françesku pret rregulltarët maristë, me rastin e konferencës së përgjithshme. I nxit t’i edukojnë të rinjtë për t’iu kundërvënë “mendësisë së kësaj bote, që e ndot ekologjinë”, duke e bërë sipërfaqësore: “Horizonti i Zotit është ai i një ekologjie të gjithanshme, që e lidh përmasën shoqërore me atë ambientale”

R.SH. – Vatikan

“Të shikojmë përtej që të edukojmë për të parë përtej” horizontit të atij “koncepti iluminist të edukimit, që është të kopjojë ide e ide e ide” e që çon në një perspektivë “ideologjike”. Kjo ishte këshilla e Papës Françesku për rregulltarët maristë, që i takoi sot paradite në Vatikan, me rastin e konferencës së tyre të përgjithshme, e cila mbahet çdo tetë vite. Kësaj “familjeje shumëkulturore e shumëetnike”, Ati i Shenjtë i kërkoi t’i ndihmojë të rinjtë të jenë “Rojtarë të Krijimit” e të kuptojnë rëndësinë e “ekologjisë së gjithanshme, që e lidh gjithnjë përmasën ambientale me atë shoqërore, britmën e Tokës me atë të të varfërve”. Ky, nënvizoi Papa, është “horizonti i Zotit”.

Të shikojmë përpara, pa u shkëputur nga rrënjët

Të rinjtë, pohoi Françesku jashtë tekstit zyrtar, duhen edukuar të shohin përtej horizontit të kësaj bote, në mënyrë që më pas, të jenë në gjendje t’u mësojnë të tjerëve për të parë përtej. Koncepti iluminist i edukimit është kopjimi i ideve pa fund, por është koncept statik e ideologjik. Edukimi është sfidë, që e përfshin njeriun tërësisht, përfshin mendimet, ndjenjat dhe punën e tij. Prandaj, duhet parë përtej, gjithnjë përpara e kurrë mbrapa, por, pa u shkëputur nga rrënjët:

“Absolutisht jo! Nuk ka asnjë kontradiktë ndërmjet besnikërisë ndaj rrënjëve dhe hapjes universale: është vazhdimësi, është zhvillim normal. Përkundrazi, sipas modelit të Krishtit Zot, pikërisht duke i qëndruar besnik deri në fund paktit të dashurisë me popullin që na është besuar, shërbimi ynë bëhet i frytshëm për të gjithë, nëpërmjet fuqisë së hirit të Tënzot”.

Përtej mendësisë së kësaj bote

Ati i Shenjtë vuri në dukje përparësitë për t’i konceptuar gjërat në rendin e duhur, sidomos gjatë kësaj periudhe Krezhme. Në vendin e parë, Zoti e Fjala e Tij, për të parë përtej “mendësisë së kësaj bote, përtej interesave të ngushta, përtej perspektivave të pjesshme, që t’ia hapim zemrën horizontit të vëllazërimit universal”. Papa nënvizoi se të rinjtë kanë interes të madh për ekologjinë, duke shtuar:

“Këtu kemi një fushë të madhe edukimi; sepse, fatkeqësisht, mendësia e kësaj bote e ndot edhe ekologjinë, e zvetënon, e bën ideologjike dhe sipërfaqësore. Përkundrazi, horizonti i Zotit është ai i një ekologjie të gjithanshme, që e lidh gjithnjë përmasën ambientale me atë shoqërore, britmën e Tokës me britmën e të varfërve”.

Nuk lindim Rojtarë të Krijimit, bëhemi

Të rinjtë, vijoi Papa, duan të jenë rojtarë të Krijimit të Zotit, por kanë nevojë ta kuptojnë se kjo nuk është thjesht parrullë a denoncim, por mënyrë jetese, që kërkon durim, qëndresë, maturi e drejtësi. Nuk lindim rojtarë të Krijimit, por bëhemi të tillë përmes edukimit, theksoi Françesku. E kështu ndodh edhe në fusha të tjera. Këtu duhet të synojnë maristët, u tha Papa rregulltarëve, pasi “edukimi shpirtëror”, që u japin brezave të rinj, është “baza e zhvillimit të gjithanshëm”

“Jezu Krishti është Mësues i jetës dhe i së vërtetës, rruga që duhet ndjekur për t'u bërë burra dhe gra të denja, ndërsa Shpirti Shenjt është Mësuesi i brendshëm, që formon Krishtin në ne. Çfarë thirrjeje, çfarë misioni, vëllezër, të bashkëpunosh me Krishtin dhe me Shpirtin Shenjt për t’i shoqëruar të rinjtë në këtë aventurë! Është vërtet gjë shumë e madhe për ne, që jemi mëkatarë të mjerë”.

Por Zotit, përmendi Papa fjalët e Zojës në Magnificat, “i pëlqen të bëjë gjëra të mëdha me të vegjlit e me të varfrit, mjafton t’ia hapin zemrën me përvujtëri e ta pranojmë Fjalën e Tij, duke vënë në dispozicion gjithë vetveten”.

24 mars 2022, 14:22