Kërko

Papa Francesco - Viaggio Apostolico in Irlanda - IX Incontro Mondiale delle Famiglie a Dublino 2018.08.25 - Partenza da Fiumicino Papa Francesco - Viaggio Apostolico in Irlanda - IX Incontro Mondiale delle Famiglie a Dublino 2018.08.25 - Partenza da Fiumicino 

Papa, shtegtar i paqes në Kongo e në Sudanin e Jugut, nga 2 deri më 7 korrik

Salla vatikanase e shtypit njofton datat e vizitës së 37-të apostolike të Papës në dy vende afrikane, me ftesën e autoriteteve politike e fetare. Shtegtimi realizon dëshirën e shprehur prej vitesh për të shkelur në tokat e vëna në provën e rëndë të dhunës e të atentateve terroriste, për të cilat Françesku pati kremtuar një mbrëmësore lutjeje në vitin 2017, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare t’i ndihmojë gratë e fëmijët.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku do të jetë në Republikën Demokratike të Kongos nga 2 deri më 5 korrik, ndërsa në Sudanin e Jugut, nga 5 deri më 7 korrik. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, që sqaron edhe se në Kongo do të vizitojë qytetet e  Kinshasës e të Gomës, ndërsa në Sudanin e Jugut, nga 5 deri më 7 korrik, Giuba-n.

Papa Françesku kthehet në Afrikë, ku herën e fundit ka qenë në shtator 2019, për të vizituar Mozambikun-Madagaskarin e Maurizion. Ky, që po njoftojmë sot, është shtegtimi i dytë apostolik për vitin 2022, pas atij të Maltës, më 2 e 3 prillin e ardhshëm.

Bëhet, kështu, realitet ëndrra e Papës Françesku për të shkuar në Sudan në një shtegtim, që do të jetë ekumenik, në të cilin do të marrë pjesë edhe kryeipeshkvi Justin Welby, primat anglikan, si dhe Jim Wallace, moderator i Kishës së Skocisë. Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, ministër vatikanas i Marrëdhënieve me Shtetet, që ishte në Sudanin e Jugut  nga 21 deri më 23 dhjetori i vitit 2021, pati pohuar se Papa dëshironte ta bënte këtë udhëtim.

Përsa i përket shtegtimit në Republikën Demokratike të Kongos, kryeipeshkvi Ettore Balestrero, nunc apostolik, nënvizon se Papa do të shtegtojë në këtë vend 37 vjet pas vizitës së Gjon Palit II e se “Vendi që do ta përbujë sot, ndryshon shumë nga ai që priti Gjon Palin II.

Për nuncin, Republika Demokratike e Kongos mbetet  “Vend që sintetizon  të gjitha temat kryesore, të prekura nga Papa gjatë papnisë së tij”.

Nunci pohon edhe se Papa shkon në Kongo si “shtegtar i Zotit”, “për ta përforcuar në fe popullin kongolez” dhe deklaron se vizitën do ta organizojë një komitet i kryesuar nga kryeipeshkvi Marcel Utembi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Kongoleze, i asistuar nga ipeshkvi-ndihmës i Kinshasës, Carlos Ndaka, ndërsa Kryeministri Lukonde do të marrë pjesë si përfaqësues i qeverisë.

Programi i shtegtimit do të publikohet më pas.

Papa: të hedhim farët e paqes në trojet e Sudanit të Jugut e të Republikës Demokratike të Kongos

Kujtojmë se më 23 nëntor 2017, në Altarin e Katedrës, të Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Françesku pati kryesuar Kremtimin e Lutjes për Paqe në Sudanin Jugor dhe në Republikën Demokratike të Kongos.

Po kujtojmë çka pati thënë Papa në atë mbrëmësore:

“Sonte, me lutjen tonë, dëshirojmë të hedhim farët e paqes në trojet e Sudanit të Jugut e të Republikës Demokratike të Kongos, si dhe në të gjitha trojet e plagosura nga lufta. Në Sudanin Jugor pata vendosur të bëja një vizitë, por nuk qe e  mundur. Gjithsesi ne e dimë se lutja vepron me forcën e Zotit e për të nuk ka asgjë të pamundur.  “Paqja qoftë me ju!” (Gjn 20,19.21.26)- ishte lajtmotivi i këtij takimi gjatë të cilit i  prekur thellë, Papa i drejtoi Zotit këtë  uratë:

“Pa ty, o Zot, e kotë do të ishte lutja jonë; e rreme,  shpresa jonë për paqe! Po ti je i gjallë e vepron për ne, me ne. Ti, Paqja jonë!

O Zot i ngjallur, shembi muret e armiqësisë, që ndajnë sot vëllezërit, posaçërisht në Sudanin Jugor e në Republikën Demokratike të Kongos!

Ndihmoi gratë, viktima të dhunës në zonat e luftës e në të katër anët e botës.

Shpëtoi fëmijët, që vuajnë për shkak të konflikteve, krejt të huaja për ta, por që u rrëmbejnë fëmijërinë e, nganjëherë, edhe vetë jetën. Sa hipokrizi ka në fshehjen a mohimin e masakrave mbi gratë e mbi fëmijët!  Këtu lufta tregon fytyrën e vet më të tmerrshme!

Zoti - vijon lutja e Papës - i ndihmoftë gjithë të vegjlit e të varfrit e botës  të vijojnë të besojnë e të shpresojnë se Mbretëria e Hyjit është pranë, mes nesh e se ‘në Shpitin Shenjt është drejtësia, paqja e gëzimi (Rom 14, 17).I ndihmoftë të gjithë ata që, ditë për ditë, përpiqen ta luftojnë të keqen me të mirë, me gjeste e fjalë vëllazërie, respekti, takimi, solidariteti’.

Zoti forcoftë në qeveritarët e në të gjithë drejtuesit, një shpirt bujar, të drejtë, të vendosur e guximtar në kërkim të paqes, përmes dialogut e bisedimeve!

Zoti na dhashtë të gjithëve hirin të jemi artizanë të paqes, atje ku ndodhemi, në familje, në shkollë, në punë, në bashkësi, në çdo ambient; ‘duke ia larë këmbët njëri-tjetrit, sipas shembullit të Mësuesit e Zotit tonë. Atij i qoftë lumni e lavd, sot e në shekuj të shekujve’. Amen!”.

E tani dëshira e Papës për të hedhur farët e paqes në trojet e Sudanit të Jugut e të Republikës Demokratike të Kongos,. do të bëhet realitet.

03 mars 2022, 16:30