Papa: rrëfimi, ilaç i fuqishëm për mendjen e zemrën
R.SH. - Vatikan
“Vërtet të shumtë: rreth tetëqind klerikë!” Papa Françesku e nënvizoi këtë, gjatë audiencës së sotme me pjesëmarrësit e Kursit vjetor të Forumit të Brendshëm, organizuar këto ditë nga Pendestaria Apostolike, kësaj radhe, kushtuar Sakramentit të Rrëfimit. Grupi udhëhiqej nga kardinali Mauro Piacenza, kreu i organizmit vatikanas.
“Falja është e drejtë njerëzore”
Që në fillim të fjalës së tij, Ati i Shenjtë theksoi “sa i çmuar dhe i nevojshëm është, edhe në ditët tona, shërbimi i Pajtimit, që e bën të dukshme dhe e zbaton mëshirën e Zotit për njerëzit”. Më pas, shpjegoi vlerën e faljes, duke iu referuar një fraze, që e ka thënë edhe herë të tjera: “falja është e drejtë njerëzore”.
“Vërtet, atë e dëshiron me zjarr zemra e çdo njeriu, sepse, në fund të fundit, të të falin do të thotë të të duan ashtu siç je, pavarësisht nga kufizimet e mëkatet. E falja është ‘e drejtë’, në kuptimin që Zoti, në misterin e Pashkëve të Krishtit, ia dhuron atë në mënyrë të plotë e të pakthyeshme çdo njeriu, i cili dëshiron ta pranojë, me zemër të përvuajtur e të penduar”.
Rrëfyesit, që ua japin njerëvze me bujari faljen e Zotit, bashkëpunojnë në shërimin e njerëzve dhe të botës, nënvizoi më tej Papa.
Mirëpritje, dëgjim, shoqërim
Mirëpritja, dëgjimi dhe shoqërimi janë tri përmasat themelore të shërbimit të rrëfyesit. Nëse besimtari pritet mirë, theksoi Ati i Shenjtë, është më i gatshëm t’i afrohet Sakramentit të Pajtimit, duke ia hapur zemrën Hirit Hyjnor. Nëse dëgjohet, e ndien se dikush e do dhe i dhemb zemra për të. Besimtarët, nënvizoi Papa, kanë të drejtë të dëgjohen me fe nga rrëfyesi e me atë mëshirë, të cilën Ati Qiellor e përdor për bijtë e vet. Veçanërisht delikate, detyra e tretë e tij, shoqërimi, përmes të cilit rrëfyesi e bën besimtarin e penduar ta shohë të vërtetën në sy, por edhe kujdeset për shpirtin e tij, bën një copë udhë së bashku me të, që ai ta kuptojë vullnetin e Zotit.
Jubileu 2025 u sjelltë të gjithëve mëshirën e Zotit
Françesku i këshilloi të pranishmit, të cilëve u është besuar ky shërbim, “të shkojnë me dëshirë në rrëfyestore”. Të thuash: “Të janë shlyer mëkatet”, pohoi Papa, do të thotë t’i dëshmosh besimtarit se është i çmuar në sytë e Zotit. “Ky është ilaç shumë i fuqishëm për shpirtin dhe për psikikën e secilit”. Prandaj, gjatë përgatitjes për Jubileun e vitit 2025, Papa e ftoi Pendestarinë Apostolike të bëjë gjithçka duhet që Viti Shenjt i ardhshëm të sjellë fryte të begata. “Ju inkurajoj – përfundoi Françesku – të përdorni gjithë krijimtarinë, që ju dikon Shpirti Shenjt, në mënyrë që mëshira e Zotit të arrijë kudo dhe tek kushdo: falje dhe ndjesë!