Kërko

Videomesazh i Papës Françesku Videomesazh i Papës Françesku

Papa: Kisha në dalje, për t’i çuar botës Ujin e Gjallë të shpresës në Krishtin

Në videomesazhin për Kongresin e 66-të të Edukimit Fetar në kryedioqezën e Los Anxhelosit, Françesku i fton katolikët kalifornianë të rinovohen për të sjellë, si dishepuj misionarë "që ecin gjithmonë përpara", mesazhin e Mëshirës së Zotit "në periferitë ekzistenciale”

R.SH. – Vatikan

         Tema e Kongresit tuaj, "Ujë i Gjallë i Shpresës", "na fton të përtërihemi vazhdimisht në ujin dhe gjakun, që rrjedhin nga Zemra e Krishtit, burim mëshire për mbarë botën". Pa këtë “Ujë të Gjallë” misioni ynë ka rrezik “të shndërrohet në një fe të brendshme dhe të dhimbshme…”.  Kështu u thotë Papa Françesku, në një videomesazh në spanjisht, pjesëmarrësve në Kongresin e 66-të të Edukimit Fetar, promovuar nga kryedioqeza e Los Anxhelosit, nga 18 deri më 20 mars. Kongresit i parapriu, më 17 mars, Dita e Rinisë.

Mëshira, Butësia dhe Dashuria e Zotit kundër pandemisë

Papa kujton se pandemia vazhdon të na ftojë të kujdesemi për njëri-tjetrin. “Koronavirusi – thekson ai - vijon të shkaktojë ndarje shoqërore e fatkeqësisht, edhe vdekjen e shumë njerëzve, duke sjellë krizë shoqërore. Shpresa jonë - ne jemi besimtarë - është te Zoti! Në këto kohë frike dhe pasigurie, Zoti vazhdon të na ftojë të ecim përpara dhe ta dëshmojmë besimin në mëshirën, butësinë dhe dashurinë e Tij të madhe”.

Kryqi i Zotit është spirancë, timon dhe shpresë

Spiranca jonë, thekson Françesku, është Kryqi i Zotit, përmes të cilit "jemi shpëtuar". Ai është edhe timon, sepse përmes tij “jemi shëlbuar” e, edhe shpresë, sepse përmes tij "jemi shëruar dhe përqafuar, që asgjë dhe askush të mos na ndajë nga dashuria shëlbuese e Hyjit”.

“Tema e Kongresit, “Uji i Gjallë i Shpresës”, na fton të përtërihemi vazhdimisht në Ujin dhe Gjakun, që rrjedhin nga Zemra e Jezusit, gurra të Mëshirës për mbarë botën. Pa këtë Ujë të Gjallë, misioni ynë mund të shndërrohet në një fe të brendshme dhe të dhimbshme… Nëse je i krishterë, nëse je Kishë, Kisha është në dalje, nuk mbyllet përbrenda, e duhet të arrish në periferitë ekzistenciale me guxim dhe krijimtari!”

Jubileu i kryedioqezës së Los Anxhelosit

Këtë vit, vazhdon Papa, "ju festoni jubileun e kryedioqezës së Los Anxhelosit, 250-vjetorin e Misionit Shën Gabriel, kishës së parë të themeluar nga Apostulli i madh i Meksikës dhe i Kalifornisë, Shën Junipero Serra". Françesku e shpalli shenjt në vitin 2015 e, në atë rast, nënvizoi se ai “diti ta jetonte ‘Kishën në dalje’”. Qoftë ky jubile, mundësi për ta përtërirë këtë mision, uroi Papa. Ati i Shenjtë u lut që Zoti “të rinovojë zellin tuaj si dishepuj misionarë që ecin ‘gjithmonë përpara’ në fe, për të sjellë shpresën tuaj në mbarë botën, jo me fjalë të bukura, por me veprime konkrete, duke e ndarë me të gjithë gëzimin se ne nuk jemi vetëm".

18 mars 2022, 18:26