Kërko

2019.10.26 Sinodo dei Vescovi sedicesima Congregazione generale 2019.10.26 Sinodo dei Vescovi sedicesima Congregazione generale

Papa ipeshkvijve të botës: “Të gjithë të bashkuar në këtë orë të errët, kur kërcënohet paqja botërore”

Letra e Françeskut drejtuar prelatëve të të gjitha vendeve, për t’i ftuar të bashkohen me të në aktin e kushtimit të Rusisë e Ukrainës, drejtuar Zemrës së Papërlyer të Marisë, më 25 marsin e ardhshëm. Papa kërkon të mblidhen në vende të shenjta priftërinj, rregulltarë e besimtarë “për t’ia drejtuar njëzëri e me gjithë zemër lutjen, Virgjërës Mari: “Mbarë Kisha do të jetë pranë atyre, që po i paguajnë me jetë pasojat e konfliktit”

R.SH. - Vatikan

Letra e Françeskut drejtuar prelatëve të të gjitha vendeve, për t’i ftuar të bashkohen me të në aktin e kushtimit të Rusisë e Ukrainës, drejtuar Zemrës së Papërlyer të Marisë, më 25 marsin e ardhshëm.

Mbarë populli i Zotit: ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, besimtarë shekullarë, të bashkohen në lutje për fundin e luftës! Gati një muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë, “që po i hap plagë gjithnjë më të thella, gjithnjë më të tmerrshme kësaj popullsie të martirizuar, duke kërcënuar njëheresh edhe paqen në mbarë botën, Papa Françesku nis një Letër.

Eshtë ftesë drejtuar njerëzimit për t’u bashkuar në aktin e kushtimit të Rusisë e Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë, që Ati i Shenjtë Bergoglio do ta kryejë pasditën e së premtes, 25 mars, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ftesa u drejtohet ipeshkvijve të të gjitha vendeve, e shoqëruar edhe me tekstin e lutjes së kushtimit, krijuar me këtë rast. Në të, ndërmjet tjerash, i kërkon së Papërlyerës çka është më e rëndësishme në këto çaste, kur nuk ka zemër njerëzore që nuk rreh vrullshëm, ndërsa rijeton gjithë kasaphanat e historisë, duke ndjekur konfliktin e ri që përgjak Ukrainën e kujton pasojat e tmerrshme planetare që mund të ketë:n

“Shuaje urrejtjen,

paqtoje hakmarrjen,

mësona faljen,

çlirona nga lufta,

mbroje botën nga kërcënimi bërthamor”.

Papa kërkon që  lutja të thuhet gjatë ditës, në bashkim vëllazëror.

Kisha, pranë njerëzve që paguajnë pasojat e konfliktit

Kisha - shkruan më pas Papa - në këtë orë të errët, është e thirrur fuqimisht  të ndërmjetësojë tek Princi i Paqes e “të jetë gjithnjë më pranë njerëzve, që po i paguajnë me lëkurën e tyre pasojat e ndeshjes”. E, në vijim, i falënderon të gjithë ata që, me bujari të madhe, po u përgjigjen thirrjeve të tij për lutje, agjërim, bamirësi.

Lë, pastaj, të nënkuptohet se gjesti i devocionit i 25 marsit, ditë në të cilën Kisha kremton Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit, është përgjigje që u jepet kërkesave të panumërta, marrë nga Populli i Hyjit. ”Dëshiroj t’ia besoj në mënyrë të veçantë Zojës kombet në konflikt” - nënvizon akoma Papa -  duke kujtuar fjalët e veta shqiptuar në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 20 marsit. Papa Françesku fton, në përfundim, çdo bashkësi e çdo besimtar të bashkohet me të të premtën, në lutjen për paqen dhe për kushtimin e Rusisë e të Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë, “në mënyrë që Ajo, Mbretëresha e Paqes, me ndërmjetësinë e Saj, t’u japë fund vringëllimave të armëve, që po e tmerrojnë mbarë njerëzimin”.

Papa do ta shqiptojë lutjen pasditen e së premtes, 25 mars, në festën e Lajmërimit të Zotit, në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e Kremtimit të Pendesës, në orën 17.00. I njëjti akt, në të njëjtën ditë, do të kremtohet nga të gjithë ipeshkvijtë e botës. Ndërsa kushtimi është në progam në të njëtën ditë, në orën 18.30 në Fatima. Me dëshirën e Françeskut, kushtimin do ta bëjë lëmoshtari papnor, kardinali Krajewski. Papa uron që akti i kushtimit të Popujve Zemrës së Papërlyer të Marisë “t’i sjellë paqen mbarë botës”.

Të lutemi të gjithë, për fundin e dhunës!

Të lutemi, që ta ndjejmë në korp e në shpirt dhimbjen e rrënimit,

gjakun e plagëve e fyerjen e trojeve,

humbjen e jetëve e haraçin e pakuptimtë

që po paguajnë ukrainasit, në trojet e veta,

nga të cilat ikin me lemeri,

duke lënë pas gjakun e gjakut të tyre!

Bij, që po mbrojnë me jetë tokën mëmë.

E edhe bij të tjerë, që vriten

ku erdhën për të vrarë

në një luftë pa pikën e kuptimit,

siç është çdo luftë

që duhet t’ia lëshojë një herë e përgjithmonë

vendin paqes e përparimit të njerëzimit.

Ky njerëzim u besohet krahëve amtarë të një Zoje

nga e cila rrezatohet drita e mirësisë së Zotit!”.

23 mars 2022, 15:27