Kërko

Papa Françesku: Zoti na e dhashtë paqen, që njeriu nuk di ta krijojë

“O Zot, dëgjoje lutjen e atyre, që vuajnë e ikin nën breshërinë e armëve”: kjo, lutja e Papës, në ditën e uratës e të agjërimit për Ukiranën, në përfundim të homelisë së Meshës të së Mërkurës së Përhime, lexuar nga Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, në Bazilikën e Shën Sabinës, për fillimin e kohës kreshmore. Papa nuk mundi ta kryesojë kremtimin, për shkak të gonalgisë - dhimbjes së gjurit.

R.SH. - Vatikan

“O Zot, Ti që shikon në fshehtësi e na shpërblen shumë më tepër se e presim, dëgjoje lutjen e atyre, që besojnë në Ty, posaçërisht të më të përvuajturve, më të vënve në provë, atyre që vuajnë e që ikin nën breshërinë e armëve. Riktheje paqen ndër zemra, rijepi ditëve tona paqe. Amen!

Paqe për Ukrainën! Këtë kërkoi Papa, në ditën e lutjes e të agjërimit! E lutja jehoi përmes zërit të kardinalit Pietro Parolin në hapësirën e Bazilikës romake të Shën Sabinës, për të arritur, që këtu, në mbarë botën. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, i cili kryesoi kremtimin në vend të Papës, i detyruar të pushojë për shkak të dhimbjes së fortë të gjurit, e nisi ritin në Bazilikën e Shën Anselmit, për t’i prirë, pastaj, procesionit drejt Bazilikës së Shën Sabinës, ndërsa kori e shoqëronte duke kënduar Litanitë e Shenjtorëve.

Lutje, bamirësi, agjërim, për t’ia ndryshuar faqen historisë

Duke komentuar faqen e Ungjillit të liturgjisë së sotme, Françesku ftoi për lutje, lëmoshë e agjërim, “ilaçe për të gjithë, të afta për t’ia ndryshuar faqen historisë”.

“Janë udhët kryesore, përmes të cilave Zoti mund të ndërhyjë në jetën tonë e të botës. Janë armët e shpirtit e me to, në këtë ditë lutjeje e agjërimi për Ukrainën, i kërkojmë Zotit  atë paqe, që njerëzit nuk mund ta krijojnë”.

Shpërblimi i Atit

Angazhimi kreshmor për lutje, bamirësi e agjërim - vëren Papa -  përfundon me “shpërblimin pranë Atit”. Shpërblim i amshuar, përfundimtar. Qëllim i jetës, që duhet t’i kundërvihet “shpërblimit nga ana e njerëzve” i cili, “si mirazh, të lë me duar bosh”! Shpërblim, që e kërkojmë kur admirimi dhe suksesi i botës kanë shumë më tepër vlerë para syve tanë:

“Kush kërkon shpërblimin e botës, nuk gjen kurrë paqe e as nuk di ta mbrojë paqen. Nuk di, sepse e humbet nga sytë Atin e vëllezërit. E ky është rrezik, që mund të na ndodhë të gjithëve”.

Sëmundja dhe ilaçi

Riti i hirit, me të cilin përhijmë kokën - nënvizoi ipeshkvi i Romës - është qortim “për të mos jetuar nën shenjën e vetëmburrjes, për të cilën çka vlen nuk është pastria e zemrës, por admirimi i njerëzve: nuk është syri i Zotit mbi ne, por syri me të cilin na shikojnë njerëzit:

“Kjo shenjë e thjeshtë, që na shtyn të mendojmë për shkurtësinë e jetës sonë njerëzore, është si ilaç me shije të hidhur, por i aftë për ta mjekuar sëmundjen e dukjes. Sëmundje shpirtërore, që e skllavëron njeriun, duke  e shtyrë të bëhet rob i admirimit të të tjerëve”.

Mendësia e botë është pluhur e hi

Mendësia e botës është pluhur e hi. Prej këndej, ftesa “për ta demaskuar”    As mjediset kishtare - pohon Françesku - nuk janë të mbrojtura nga kjo sëmundje: lutja, bamirësia e agjërimi “mund të bëhen edhe vetëvlerësuese”. Edhe pas gjestit më të bukur, mund të fshihet tenja e vetëpëlqimit. Nuk është e lirë zemra, që kërkon miratimin njerëzor, e jo dashurinë e Atit. “Hiri vë në dukje kotësinë, që fshihet pas kërkimit të ankthshëm të shpërblimit, që jep bota:

“Na kujton se mendësia e botës është si pluhuri, që e shpërndan edhe era më e lehtë. Motra, vëllezër, nuk jemi në botë për të shkuar pas erës;  zemra jonë ka etje për amshimin. Kreshmët janë kohë, që na e dhuron Zoti për të rijetuar e për t’u mjekuar në shpirt e për të ecur drejt Pashkëve, drejt çka nuk kalon kurrë,  drejt shpërblimit pranë Atit. Eshtë udhë shërimi”.

Agjërimi nuk është dietë

Në lutjen e bërë në fshehtësi, me sytë e ngulur mbi Krishtin e kryqëzuar -   vijoi Papa Françesku - në plagët e tij vëmë varrët tona e ato të botës, ndërsa pushtohemi nga dashuria e Zotit. Mëshira e lëmosha, larg reflektorëve, zbulojnë “bukurinë e dhënies, që bëhet marrje”. Agjërimi, më në fund, “nuk është dietë, madje na çliron nga kërkimi i mirëqenies fizike,   na ndihmon ta kemi gjithnjë në formë shpirtin, e na mëson t’i japim vlerën e duhur të gjitha sendeve”.

03 mars 2022, 12:42