Papa i fton ipeshkvijtë e botës të bashkohen me të për t'ia kushtuar Zojës Rusinë e Ukrainën
Lutja e kushtimit Zemrës së Papërlyer të Marisë do të shqiptohet nga Papa pasditen e së premtes së 25 marsit në Bazilikën e Shën Pjetrit. Akti do të kryhet në bashkim me Kishat e të gjitha kontinenteve
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku i ftoi sot gjithë ipeshkvijtë e meshtarët e botës të bashkohen me të në lutjen për paqen dhe për kushtimin e Rusisë e të Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë. Lajmin e dha drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Papa do ta shqiptojë lutjen pasditen e së premtes së 25 marsit, në festën e Lajmërimit të Zotit, në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e Kremtimit të Pendesës, në orën 17. I njëjti akt, në të njëjtën ditë, do të kremtohet nga të gjithë ipeshkvijtë e botës, ndërsa Lëmoshtari apostolik, kardinali Konrad Krajewski, do ta bëjë këtë në Fatima, si i dërguari i Papës.
18 mars 2022, 14:57