Kërko

Papa: duhet të shqetësohemi nga britma e dhimbshme e botës

Në Meshën për katërqind vjetorin e shenjtërimit të jezuitëve Injaci i Lojolës dhe Françesk Saveri, karmelitanes Tereza d’Avila, Filip Nerit dhe laikut Isidori bujk, Françesku fton për t’i prekur pa frikë plagët e njerëzimit e për ta pyetur veten: “Si po e çojmë në lutje luftën në vijim?”.

R. SH. - Vatikan

Në Kishën-nënë të Shoqërisë së Jezusit, në Romë, Papa Françesku  bashkëkremtoi Meshën Shenjte me rastin e 400-vjetorit të shenjtërimit  të të jezuitëve Injaci i Lojolës dhe Françesk Saveri, karmelitanes Tereza d’Avila, Filip Nerit dhe laikut Isidori bujk. Ritin e kryesoi Eprori i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezuitëve, atë Arturo Sosa

Në qendër të homelisë së Papës, Ungjilli i Shndërrimit të Krishtit, reflektim mbi katër veprimet e kryera nga Jezusi, për të nxjerrë prej tyre  mësimet e duhura: ta marrim në dorë çdo ditë thirrjen tonë vetjake dhe historinë tonë komunitare; të ngjitemi  kah kufijtë  që na i tregon vetë Zoti, duke dalë nga vetvetja;  të lutemi për ta shndërruar botën ku  jemi zhytur; të rrimë, domethënë ta ruajmë vëmendshëm çka është kryesore në jetë, çka nuk kalon kurrë.

Ankimet e paralizojnë rrugën

Papa kujtoi se dëshira për t’u bërë dishepuj niset gjithnjë nga Jezusi, që do, zgjedh, thërret. E më pas vuri theksin mbi zanafillën e misterit të thirrjes:  mbi hirin dhe zgjedhjen, që i paraprin çdo vendimi tonë. “Ishte Ai, që na thirri, pa shikuar meritat tona. Para se  të jemi ata, që e bënë jetën dhuratë, jemi ata, që e morën dhuratën falas” - kujtoi Papa - Zoti na merr për dore  e na çon në cakun e udhës së krishterë, që është “Mali i Tij shenjt, ku e shikojmë veten gjithnjë me Të, të shndërruar nga dashuria e Tij”:

“Atje na prin hiri. Atëhere kur provojmë hidhërime e zhgënjime, kur  ndjehemi të papërfillur e të pakuptuar, nuk duhet të humbasim kohë me vaj e trishtim, Janë tundime, që na e paralizojnë udhën, na i mbyllin shtigjet, nuk të çojnë askund. Ta marrim, prandaj, në dorë  jetën tonë e të nismi nga hiri. E ta pranojmë dhuratën e të jetuarit çdo ditë si një copë rruge drejt cakut”.

Të ndjehemi në Kishë jo si solistë, por si tharm vëllazërimi

Papa ngulmon mbi bukurinë e përmasës komunitare, ku rrënjoset thirrja, në dritën e faktit se Jezusi “i merr dishepujt së bashku”. Prej këtu Papa u kujtoi sivëllezërve jezuitë  se “duhet rijetuar hiri i pranimit në Kishë, që është Nëna jonë e shenjtë hjerarkike, e për Kishën, nusen tonë. Jemi të Jezusit, e jemi si Shoqëri, theksoi:

“Nuk duhet të lodhemi kurrë s’e kërkuari forcën, që ta ndërtojmë e ta ruajmë bashkimin, që të jemi ‘tharm vëllazërie’ për Kishën e për botën. Nuk jemi solistë në kërkim të dëgjimit, po vëllezër, që këndojnë në kor. Nuk duhet të lejojmë të thithemi nga klerikalizmi, që ngurtëson, as nga ideologjitë, që përçajnë”.

Këto, fjalët e Papës, ndërsa i quante Shenjtorët e kujtuar dje “shtylla të bashkimit”: “Na kujtojnë - shtoi - se në qiell, pavarësisht nga larmitë e karaktereve e të këndvështrimeve tona, jemi të thirrur të rrimë bashkë”. Pikërisht këtë lidhje me jetën e amshuar, që na u premtua, mund të nisim ta jetojmë që tani, kujtoi Papa.

Folja “të ngjitemi”

Foljen “të ngjitemi” Françesku e shpjegoi duke përdorur figura metaforike: “Udha e Jezusit nuk është tatëpjetë, por përpjetë - saktësoi - Drita e shndërrimit nuk arrin në fushë, por pas një ngjitjeje raskapitëse. Për ta ndjekur Jezusin, duhen lënë fushat e mediokritetit e të zbritjeve të rehatisë; duhen lënë zakonet e këndshme, për të ecur në rrugën e daljes. Vetëm udha e Kryqit të  çon në majat e lavdisë!”.

Të ecësh në dalje, do të thotë të kërkosh “shqetësueshëm Zotin”

Dalja dhe ngjitja e karakterizojnë udhën e posaçme të karizmës injaciane:  është tejet i vetëdijshëm Papa jezuit i cili, përmes kësaj homeli, kujtoi se në Shkrimin Shenjt “maja e maleve është simbol i kufirit ndërmjet tokës e qiellit”. E përsëriti sa e rëndësishme është “të luftosh për ta mbrojtur  rrugën e kushtimit të plotë të jetës në duart e Zotit:

“Jemi të thirrur të dalim, për të shkuar ‘në kufijtë ndërmjet tokës e qiellit, atje ku njeriu ‘ndeshet’  mundimshëm me Zotin… Atje duhet të jemi, e për ta bërë këtë, duhet të dalim e të ngjitemi. Ndërsa armiku i natyrës njerëzore dëshiron të na bindë të vëmë majet, ku vumë thembrat e të jetojmë një jetë të shterpët, të rehatshme, Shpirti Shenjt na këshillon t’i hapim, jo t’i mbyllim zemrat, na jep paqe, pa na lënë kurrë në paqe, i nis dishepujt e vet në kufijtë më të largët. Mjafton të mendojmë për Françesk Saverin”.

 Këtë theksoi Papa, duke kujtuar, në vijim, se duhet luftuar shumë  për ta mbrojtur këtë rrugë, rrugë e lëshimit të plotë në duart e Zotit.

Prej këndej, Papa iu lut Shën Terezës të na ndihmojë të dalim nga vetvetja e të ngjitemi në Mal me Jezusin, për të kujtuar se “Ai duket edhe përmes plagëve të vëllezërve, mundimeve të njerëzimit, shenjave të kohëve”.
Papa ftoi t’i prekim plagët pa frikë, sepse - nënvizoi - janë plagët e Zotit!  

Të përqendrohemi tek themelorja

Në vijim kujtoi pasurinë çmuar, që është “shqyrtimi injacian”: Shën Injaci na ndihmoftë ta ruajmë këtë thesar, gjithnjë aktual për Kishën e për botën - nënvizoi - Eshtë lentja që na ndihmon “t’i shikojmë të reja të gjitha gjërat e Krishtit” .

Françesku e përfundoi homelinë duke shprehur bindjen se pikërisht ky shqyrtim është themelor “për ne e për Kishën”. E këtu citoi Pietro Fave-n: “Gjthçka e mirë, që mund të realizohet, të mendohet, të organizohet,  të bëhet me shpirtin e  mirë, jo me atë të keqin”.

Atë Sosa i uron Françeskut nëntë vjetorin e Papnisë

Në përfundim të Meshës, eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, në emër të gjithë familjes injaciane, e falënderoi Papën për praninë e tij në këtë kremtim, “shenjë e shoqërimit të përhershëm e të kujdesshëm të shërbimit të Kishës”. Natën e festës së nëntë vjetorit të zgjedhjes Ipeshkëv i Romës, uroi të ketë shumë hir në kryerjen e misionit të tij papnor. E, duke kujtuar fjalët e Shën Injacit, i uroi edhe “të ketë hirin për t’i parë të gjitha sendet në Krishtin”, në këtë kohë plot me të papritura, në të cilën jetojmë. Më pas akoma, një lutje drejtuar Marisë së Nazaretit, për të cilën nuk ka asgjë të pamundur”.

Atë Sosa i paraqiti Papës dhjetë gra në ikje nga lufta e nga persekutimet, të strehuara në Qendrën Astalli dhe i dhuroi katalogun e ekspozistës fotografike “Syno të ardhmen”, simbol i angazhimit të burrave e grave në 40-vjetorin e veprimtarisë për refugjatët si dhe një  çantë pëlhure ngjyra-ngjyra, realizuar në kohën e pandemisë, edhe ky fryt i angazhimit për paqen.

 

13 mars 2022, 11:39