Françesku: Ukraina e Siria të bashkuara në dhimbje, Kisha mbjell shpresë
R.SH. – Vatikan
Shqetësimi për vuajtjet e shkaktuara nga lufta në Ukrainë përshkon letrën e Papës Françesku, lexuar dje në arabisht, në hapje të konferencës “Kisha, Shtëpi e Bamirësisë – Sinodaliteti dhe koordinimi”, organizuar në Damask të Sirisë, nga Kongregata për Kishat Lindore. “Në këto ditë lufte dhe vuajtjeje të pamasë për vëllezërit dhe motrat tona në Ukrainë, - shkruan Papa - t'i përqafojmë ata me lutje dhe dashuri, duke besuar se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet shpejt, në mënyrë që puna e agjencive humanitare të vijojë në atë komb të dashur, siç ndodh sot për Sirinë”.
Françesku kujton se konflikti sirian vijon, duke shkaktuar “uri, vdekje dhe ikje të vazhdueshme” nga vendi, por nënvizon edhe se “bëhen përpjekje të mëdha për t'u dhënë shpresë e perspektiva atyre që mbeten”. Konferenca, e cila përfundon nesër, është mënyrë për t’i ripohuar popullsisë afërsinë e Kishës, me të gjitha gjymtyrët e saj, siç thotë Shën Pali apostull: kur një pjesë e trupit vuan, të gjitha të tjerat i vijnë në ndihmë.
Sinodalitet do të thotë të ecim së bashku
“Të gjithë jemi anëtarë të Korpit të Krishtit, që është Kisha”, pavarësisht nga dallimet, shton Papa. Thirrja mbetet e njëjtë: “Të dëshmojmë Zotin përmes kumtimit të Ungjillit dhe veprave të bamirësisë”, “të ecim së bashku”, në frymën e unitetit dhe të respektit për ndryshimet ndërmjet nesh. Sinodalitet, që merr forcë nga Trinia Shenjte, vijon Françesku, por që jetohet edhe “në marrëdhëniet e përditshme, në dialogun e debatet e vazhdueshme mbi mënyrën për të qenë Kishë në kuadrin aktual, përmes vlerësimit dhe dëgjimit të të tjerëve, për të kuptuar se jemi të gjithë vëllezër e motra”. Sinodalitet, që të bën ta duash Kishën, për ta dashur pastaj njerëzimin me pasion.
Shenjë e prekshme e bamirësisë së Kishës
Papa Françesku nënvizon se “bamirësia, e jetuar në mënyrë sinodale, nuk lë vend për interesa egoiste, as nga ana e atij që jep e, as nga ana e atij që merr, pasi përkon me atë të Krishtit, i cili dhuroi vetveten për të tjerët”. Që këtej, falënderimi i tij personal për ata, që bëhen “shenjë e prekshme e bamirësisë së Kishës, ushqyer nga Ungjilli”. “Shpresoj – përfundon Ati i Shenjtë – që përpjekjet tuaja, këto ditë, të jenë mundësi për ta thelluar dhe për ta ringjallur shpirtin misionar të Kishës, duke hapur shtigje të reja për t’u përshkuar së bashku dhe duke bashkërenduar veprat e bamirësisë me kujdesin plot dashuri për të varfërit dhe të mënjanuarit”.
Sandri: të jesh këtu është shenjë shprese
Në fjalën e tij në konferencë, kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, nënvizoi përgjegjësinë e Kishës në Siri për brezat e rinj dhe për pjesët më të ligshta të bashkësive katolike në vend. Kardinali foli edhe për Ukrainën, duke u bërë thirrje për lutje sirianëve, këtyre “ekspertëve të dhimbjes dhe të sprovës së luftës, që e mbështjell tokën me errësirë dhe i privon popujt nga drita e shpresës”. “Besojmë se lutja juaj për paqe dhe pajtim, e sprovuar në kryqin e vuajtjeve, nuk do të mbetet e padëgjuar nga zemra e Zotit. Shpresojmë të hapen zemrat dhe mendjet e të pushtetshmëve që kanë në dorë fatet e kombeve e të reshtë çdo lloj barbarie”.