Kërko

Kharkiv në Ukrainë Kharkiv në Ukrainë

Papa: rruga e shkatërrimit prodhon rrënoja, vetëm dashuria e shpëton njerëzimin

Françesku pret anëtarët e Fondacionit Papnor “Gravissimum Educationis”, mbledhur në Romë për një konferencë mbi edukimin dhe demokracinë. Papa mendon për të rinjtë rusë dhe ukrainas, dërguar në front: lufta na ka mbërritur afër shtëpisë, prandaj nuk duhet t’i kthejmë sytë nga ana tjetër

R.SH. – Vatikan

Kur i krishteri nuk e ndjek Ungjillin dhe mësohet t’i kthejë sytë nga ana tjetër, bëhet dalëngadalë pagan, i maskuar si i krishterë. Lufta në Ukrainë, “është afër, është në shtëpitë tona” dhe na bën të mendojmë sa e egër mund të jetë natyra njerëzore. Këtë kujtoi Papa, gjatë audiencës me anëtarët e Fondacionit Papnor “Gravissimum Educationis”, mbledhur në Romë për kongresin ndërkombëtar me temë “Edukimi për demokracinë në një botë të fragmentuar”. Para se të lexonte fjalimin zyrtar, Françesku reflektoi disa minuta për luftën në Ukrainë, duke iu përgjigjur një letre të lexuar pak më parë, shkruar nga prof Yuriy Pidlisnyy, kreu i Komisionit për familjen dhe laikët në Kishën greko-katolike të Ukrainës, kreu i Katedrës së Shkencave Politike të Universitetit Katolik të Ukrainës dhe përgjegjës për projektin, që i dha titullin kongresit.

“Ne flasim për edukim e, kur mendojmë për edukimin, mendojmë për fëmijët, të rinjtë... Të mendojmë për ushtarët e shumtë, që dërgohen në front, shumë të rinj… ushtarë rusë.. të varfrit. Të mendojmë për shumë ushtarë të rinj ukrainas, të mendojmë për banorët, të rinjtë, të rejat, djemtë e vajzat e vogla… Kjo po ndodh pranë nesh”.

Nuk ka luftëra të drejta

 Një luftë jo e largët, si ato në Siri dhe në Jemen, por “afër shtëpisë”. Papa kujtoi edhe fëmijët e plagosur nga bombardimet, që tani janë shtruar në spitalin vatikanas “Bambino Gesù” dhe pyeti si e jeton një i krishterë këtë luftë, nëse agjëron e bën pendesë apo jeton i shkujdesur, ashtu siç ndodh, fatkeqësisht, kur është fjala për luftëra të largëta.

“Lufta, gjithmonë - gjithmonë! - është disfatë për njerëzimin: gjithmonë. Ne - të kulturuarit, që punojmë në fushën e edukimit - jemi të mundurit e kësaj lufte, sepse, në një farë kuptimi, jemi përgjegjës. Nuk ka luftëra të drejta: nuk ekzistojnë!”

Edukimi për demokracinë

Lutja për paqe, kujton Papa më pas, “duhet të shoqërohet me impenjimin edukativ plot durim, që fëmijët dhe të rinjtë të zhvillojnë vetëdijen e fuqishme se konfliktet nuk zgjidhen me dhunë dhe shtypje, por me konfrontim dhe dialog”. Pikërisht në kuadrin e luftës në Ukrainë, spikat edhe më shumë vlera e një Pakti Edukativ botëror, “që mund të bëhet mjet për të mirën e përbashkët globale”, me synimin për të “promovuar vëllazërimin universal në familjen njerëzore, bazuar mbi dashurinë”. Tema e kongresit ndërkombëtar të “Gravissimum Educationis”, theksoi Françesku, është tejet aktuale dhe e përshtatshme për traditën e Kishës, pasi e sheh arritjen e demokracisë përmes edukimit. Por duhet t’i largohemi tundimit për të pasur sa më shumë:

“Pasuritë e gjithësisë u jepen të gjithëve e secilit, në përpjesëtim me nevojat, që askush të mos grumbullojë teprica dhe askujt të mos i mungojnë gjërat e nevojshme. Përkundrazi, kur dëshira egosite për të pasur gjithçka i mbush zemrat, marrëdhëniet dhe strukturat politike e shoqërore, atëherë, helmohet shpirti i demokracisë. E kështu, ajo kthehet në demokraci formale, jo reale”.

Ilaç kundër totalitarizmit dhe shekullarizmit

Papa përmendi dy degjenerime të demokracisë, të cilave mund t’iu kundërvihemi me “forcën shndërruese të edukimit”. Njëri është totalitarizmi, i mirënjohur nga shqiptarët e tjetri, shekullarizmi radikal, “që e shtrembëron frymën demokratike”, pa u dukur, me mjete më të holla. “Duke eliminuar përmasën transhendentale”, nënvizoi Ati i Shenjtë, “dobëson dhe, pak nga pak, e zhduk krejtësisht çdo hapje për dialog”. “Vertet, nëse nuk ka asnjë të vërtetë përfundimtare, idetë dhe besimet njerëzore mund të shfrytëzohen lehtësisht për qëllime pushteti”. Papa këshilloi të ushqehet etja e natyrshme për demokraci e të rinjve e t’u mësohet atyre se e mira e përbashkët mbruhet me dashuri e s’mund të mbrohet me ushtri.

“Një bashkësi a një komb, që dëshiron të afirmohet me forcë, e bën këtë në dëm të bashkësive e kombeve të tjera, duke nxitur padrejtësi, pabarazi dhe dhunë. Rruga e shkatërrimit është e lehtë për t'u marrë, por të çon drejt rrënojave; vetëm dashuria mund ta shpëtojë familjen njerëzore”.

Së fundi, të rinjtë duhen edukuar ta jetojnë autoritetin si shërbim. “Të gjithë jemi të thirrur për të shërbyer me autoritet, në familje, në punë, në jetën shoqërore”, kujtoi Papa Françesku. “Të mos harrojmë se Zoti na beson disa role jo për afirmimin personal, por që përmes punës sonë, të zhvillohet e gjithë bashkësia”.

18 mars 2022, 12:35