Papa Françesku: gjaku dhe lotët e fëmijëve në Ukrainë na trondisin në shpirt
R.SH. – Vatikan
“Ç’po jetojmë gjatë javëve të fundit nuk është ajo, që shpresonim pas emergjencës së rëndë shëndetësore, shkaktuar nga pandemia, e cila na bëri të provojmë pafuqinë dhe frikën, së bashku me brishtësinë e ekzistencës sonë”. Këto fjalë janë pjesë e Mesazhit të Papës Françesku drejtuar kryeipeshkvit të Vilniusit, imzot Gintaras Grušas, kryetar i CCEE-së, me rastin e hapjes së Ditëve Shoqërore Katolike Evropiane në Bratislavë. Kjo nismë, në edicionin e saj të tretë, organizuar nga CCEE (Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane) dhe nga COMECE (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), filloi dje e do të përfundojë të dielën, më 20 mars.
Të dëgjohet britma e të vuajturve
“Tragjedia e luftës në zemër të Evropës – pohon Papa – na lë pa fjalë; kurrë, nuk e kishim menduar se do të shihnim skena të tilla, që të kujtojnë luftrat e mëdha të shekullit të kaluar. Britma prekëse për ndihmë e vëllezërve tanë ukrainas na nxit, si bashkësi besimtarësh, jo vetëm të reflektojmë seriozisht, por edhe të derdhim lot e të bëjmë ç’është e mundur për ta; të ndajmë ankthin e një populli të plagosur në identitetin, historinë dhe traditën e tij. Gjaku dhe lotët e fëmijëve, vuajtjet e grave e të burrave, që mbrojnë tokën e tyre, ose ikin nga bombat, na e trondisin thellë shpirtin. Edhe një herë, njerëzimi kërcënohet nga shpërdorimi pervers i pushtetit dhe i interesave të njëanshme, që i dënon njerëzit e pambrojtur të vuajnë të gjitha format e dhunës më brutale”.
Faleminderit për ndihmën, dhënë atyre që ikin nga lufta
Papa falenderon ipeshkvijtë për ndërhyrjen e menjëhershme humanitare në ndihmë të refugjatëve e, më pas, i nxit të vazhdojnë lutjen, “që përgjegjësit e fateve të kombeve të mos lënë gur pa lëvizur për të ndaluar luftën dhe për të filluar një dialog konstruktiv, i cili duhet t’i japë fund tragjedisë së jashtëzakonshme humanitare, që po shkakton konflikti”.
Një politikë e re
Papa Françesku pohon se sot, është urgjente më shumë se kurrë “të rishikohet stili dhe efekasiteti i ‘ars politica’(artit të politikës)”. Duke përmendur enciklikën “Fratelli tutti”, Ati i Shenjtë kërkon të punohet që bashkësia njerëzore të bëhet e aftë për të realizuar vëllazërimin, duke filluar nga miqësia shoqërore ndërmjet popujve dhe kombeve. Pa dyshim, reflekton Papa, lufta “e lë botën më të keqe” dhe është “dështim i politikës e i njerëzimit, dorëzim i turpshëm para forcave të së keqes”. Françesku uron një reagim botëror, që të vërë themelet e një arkitekture të re për paqen në nivel global, ku Bashkimi Evropian, lindur për të garantuar paqen pas luftrave botërore, të ketë rol parësor.
Zejtarë të bashkimit, endës të unitetit
Së fundi, Papa i nxit të krishterët e të gjithë qytetarët evropianë të rindërtojnë shtëpinë e tyre të përbashkët, duke u bërë “zejtarë të bashkimit, endës të unitetit në çdo nivel: jo për strategji, por për Ungjillin”. Me fjalë të tjera, pohon Françesku, “duhet të rifillojmë nga zemra e Ungjillit: nga Jezu Krishti dhe nga dashuria e Tij që shpëton. Kush do me gjithë shpirt, e kapërcen frikën dhe mosbesimin ndaj atyre, që vijnë në kufijtë tanë, në kërkim të një jete më të mirë: nëse mikpritja, mbrojtja, shoqërimi dhe integrimi i shumë vëllezërve e motrave, që ikin nga konfliktet, uria dhe varfëria është detyrë, është njerëzore, aq më shumë është kristiane.