Kërko

Papa viziton në spitalin Bambino Gesù fëmijët ukrainas Papa viziton në spitalin Bambino Gesù fëmijët ukrainas 

Bambino Gesù: Papa ledhaton fëmijët ardhur nga Ukraina

Dje, dita e festës së Shën Jozefit, atit tokësor të Jezusit, Papa Françesku nuk deshi që fëmijëve ukrainas, të shtruar në Spitalin Pediatrik romak, kushtuar Krishtit Fëmijë, t’u mungonte ledhatimi atëror. Shkoi, prandaj, t’i takonte aty, ku po mjekojnë “plagët e luftës”, por edhe sëmundje të tjera foshnjore.

R. SH. - Vatikan

Dje pasdite, pak pas orës 16.00, Papa Françesku shkoi në Spitalin Pediatrik Bambino Gesù për të vizituar repartin ku janë shtruar fëmijët ardhur këto ditët e fundit nga Ukraina. E priti presidentja e spitalit, Mariella Enoc, që më pas e shoqëroi Atin e Shenjtë në repartet e ndryshme.

19 fëmijë ukrainas, nga lufta, “në krahët e Krishtit Fëmijë”

Vijnë nga vise të ndryshme të Ukrainës në flakë. Ikën nga bombat që, megjithatë, i lanë shenjat e tyre vrastare mbi trupat e njomë, duke u vulosur në kujtesë, tmerret e luftës. Ikën. Për të arritur në këtë vend, ku të gjithë vrapojnë t’u japin nga një ledhatim. Për t’i ndihmuar të harrojnë.

Në këto çaste - sipas njoftimit që u dha gazetarëve drejtori  i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni - janë 19 fëmijë ukrainas të shtruar në repartet e ndryshme të spitalit, në selinë e Gianicolos, në Romë, e në atë të Palidoros, pak kilometra larg nga kryeqyteti.

Papa i vizitoi një për një. I ledhatoi. U ndalua për të shkëmbyer dy fjalë me prindërit.

Janë 50, fëmijët e ardhur nga Ukraina

Të vegjlit - kujtoi Bruni - ardhur në Bambin Gesù që nga fillimi i luftës në Ukrainë, janë rreth 50. Pacientë me sëmundje nga më të ndryshmet (onkologjike, neurologjike e të natyrave të tjera), të ikur që në ditët e para të sulmit rus mbi atdheun e tyre; por edhe të tjerë, që mbartën me vete mbi trupat e tyre të njomë, plagë të rënda, shkaktuar nga  bombat ruse.

Papa u ndalua krevat më krevat e i vizitoi të gjithë pacientët e vegjël, për t’u rikthyer, më pas, në Vatikan, si qe ndaluar ca çaste edhe me prindërit e tyre, ardhur në Romë bashkë me të vegjlit, të ngarkuar edhe më rëndë, me tmerret e konfliktit.

20 mars 2022, 10:07