Kërko

Papa i lutet Zojës Lurdë: na i hap zemrat për takimin me të tjerët

Papa Françesku u drejtohet me një videomesazh në spanjisht besimtarëve argjentinas, mbledhur për festën e Zojës së Lurdës në shenjtëroren e Buenos Airesit, kushtuar asaj. Fjalë, që kthehen në lutje për të mos qenë egoistë, sepse egoizmi është si tenja, që të gërryen përbrenda. “Takimi me të tjerët nuk është lëmoshë – pohon Ati i Shenjtë – është udhë e përbashkët”

R.SH. - Vatikan

“Nënë, na ndihmo të jemi bashkësi, që takohet me të gjithë!” Kjo është lutja, që i drejton sot Papa Zojës së Lurdës, në ditën solemne të festës së saj liturgjike, më 11 shkurt, kur shenjtërorja kushtuar asaj në Buenos Aires, mbushet me besimtarë. “Gëzuar festën!” uron Papa, i cili i lutet shën Marisë t’i hapë zemrat, ta kthejë bashkësinë e krishterë në një popull, që ecën pa egoizëm e izolim.

Të takohemi me të tjerët

Fjalët e Atit të Shenjtë përkojnë më ndjetet e shtegtarëve, të cilët i kërkojnë Virgjërës, që e nderojnë në atë shenjtërore qysh nga fillimi i viteve ‘900, një hir të madh: të jenë bashkësi në dalje, në një shkëmbim të vazhdueshëm e të anasjelltë, sepse takimi – siç nënvizon Papa – nuk është lëmoshë, është diçka që kërkon reciprocitet:

“Të jesh bashkësi, që takohet me të gjithë, që del për t’u takuar me të tjerët, por del edhe që të tjerët ta takojnë, sepse takimi është i ndërsjellë, takimi nuk është lëmoshë, është udhë e përbashkët, është dalje nga vetmia e izolimi për të ndenjur bashkë me të tjerët, me miqtë, me familjen, me Popullin e Zotit, të gjithë së bashku në lutje para Virgjërës”.

Egoizmi është tenjë

Të takohemi, të dalim, të ecim së bashku: këto janë arsyet, për të cilat i lutemi Zojës së Lurdës të na ndihmojë që të jemi vërtet bashkësi, pohon më tej Françesku. Kështu, para se të japë bekimin përfundimtar, Ati i Shenjtë lutet sërish:

“Takim do të thotë t’ua hapim zemrën të tjerëve; e kundërta e takimit është mbyllja e zemrës. O Nënë, bëj të mos e mbyllim zemrën, sepse egoizmi është si tenja, që ta gërryen zemrën nga brenda”.

11 shkurt 2022, 11:02